Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, iu ka përcjellë të gjithë myslimanëve urimet me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.Gjatë fjalës së tij, Spahiu thotë se “ky muaj është afrim i njeriut me Krijuesin dhe përjetim shpirtëror i pa krahasueshëm për këdo”. “Të dashur besimtarë myslimanë dhe gjithë ju bashkëkombas brenda dhe jashtë Shqipërisë. Më lejoni që në emrin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, t’ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit. Nesër, myslimanët në Shqipëri dhe mbarë botën nisin një rrugëtim të lartësimit shpirtëror, moral, pse jo edhe shëndetësor. Ramazani është muaj në të cilin mëshira, paqja dhe begatia e Zotit përfshin çdokënd. Ramazani është muaji i zbritjes së librit, Kuranit të Shenjtë. Libër i cili është fjala e Zotit që erdhi te ne nëpërmjet Profetit Muhamed (a.s.), është udhëzuesi ynë shpirtëror dhe social”, thotë ai.Ky muaj është afrim i njeriut me Krijuesin dhe përjetim shpirtëror i pa krahasueshëm për këdo. Ky muaj është paqe, solidaritet, mirësjellje. Në këto kohë të trazuara që po kalon bota, lutemi për më shumë paqe e solidaritet midis njëri-tjetrit dhe midis popujve e kombeve. Lutemi për më shumë kujdes e vëmendje ndaj nevojtarëve, jetimëve, të moshuarve e fëmijëve.


















