“S’mund të pranoj t’i fus në shtëpi se Klodiani çfarë pati e mori me vete”, babai i 25-vjeçarit dhuron paratë për një vogëlushe, deklarata mes lotësh

303
Sigal

Mes lotësh, babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha, Qazim Rasha, ashtu siç ishte paralajmëruar, ka treguar se i ka dhuruar të gjitha paratë që i janë mbledhur pas vdekjes së të birit. Këto para do të shkojnë për kurimin e një vajze të vogël nga Shkupi.

“Nuk mund të pranoj t’i fus në shtëpi ndihmat që na kanë dhënë për Klodianit, se ai cfarë pati e mori me vete”, u shpreh ai.

“Ju falënderoj që ndatë dhimbjen bashkërisht për djalin tim. Dhimbja e djalit tim është dhimbja e gjithkujt, është fatkeqësi e rëndë, është një bombë që nuk përjetohet, por mua më ra përpjesë. Mendova që pjesën time, për interesimin që bënë për djalin tim, që u munduan të ma lehtësonin dhimbjen, duke qenë se në shtëpinë time shumë njerëz kanë ardhur për të kontribuar për shpirtin e Klodianit, të mund t’ua kthej këtë në një gëzim. Nuk mund të pranoj t’i fus në shtëpi ndihmat që na kanë dhënë për Klodianit, se ai cfarë pati e mori me vete. Të mundohemi të shërojmë një zemër nëne, një zemër prindi, një plagë. Apeli im është mos lëndoni nëna, mos lëndoni zemra, mos merrni jetë. Duke falënderuar babain e artistit Noizy, kam vendosur t’ia dhuroj paratë vajzës, që po dergjet. Të gjitha ndihmat për Klodianin t’i kalojnë shërimit të asaj vajze. Zoti e shëroftë. Plagë të tilla mos përjetoftë askush”, tha i ati i të ndjerit.

Duke folur për “News24” për ndryshimin e akuzës ndaj efektivit të Forcave Shqiponja, që qëlloi për vdekje birin e tij, Qazim Rasha është shprehur se kërkon drejtësi, pasi ajo sipas tij, shëron plagët dhe zemrën.

Sipas tij, vrasja e djalit të tij nga polici është një ngjarje që ndodh njëherë në shekull.

“Jemi bij të këtij shteti, kërkojmë drejtësi prej tij. Drejtësia shëron plagët, ajo shëron zemrat. Përveç shtetit, kush mund të bëjë drejtësi? Kur shteti kërkon të nxjerrë të vërtetën, ka një lehtësim. Kërkova drejtësi që ditën e parë e vijoj ta kërkoj. Kam besim të plotë që çdokush e ndjen dhimbjen time. S’ka fije dyshimi që gjërat do të shkojnë atje ku duhet. Raste të tilla ndodhin njëherë në shekull. Unë nuk e kisha menduar kurrë se do më ndodhte. Kurrë mos ndodhtë ajo që më ndodhi mua. Kam besim se shteti do të bëjë punën e vet”, ka thënë mes të tjerash Qazim Rasha.