Skrapar-Bagaçilar-Turqi, binjakëzim me lidhje të forta, për realizim projektesh me leverdi reciproke

648
Bashkia Skrapar, në kuadër të konsolidimit të punës së saj, si një institucion që ka lidhje direkte e të plotë me problemet jetike të njerëzve, po zgjeron aktivitetin e saj në shërbim të komunitetit të zonës së qytetit Çorovodë dhe të krejt zonës, që përfshin bashkia e re e Skraparit, duke krijuar mundësi të reja me bashkëpunim e bashkëveprim jo vetëm me institucionet, shoqatat, biznesin dhe pushtetin lokal brenda rrethit, prefekturës e Shqipërisë, por edhe me njësitë e pushtetit lokal jashtë territorit të vendit tonë. Një lidhje konkrete për bashkëpunim e bashkëveprim konkret dhe efiçent reciprok mes tyre, mësohet se është binjakëzimi me zgjidhje aktuale e perspektive, që Bashkia Skrapar ka bërë me një bashki të Turqisë. Për të finalizuar edhe zyrtarisht, edhe publikisht këtë binjakëzim ose më saktë këtë bashkëpunim mes dy njësive homologe të pushtetit vendor, dje në mesditë, në qytetin e Çorovodës, në sallën e Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Skraparit, u organizua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së binjakëzimit midis Bashkisë Skrapar dhe Bashkisë Bagçilar të Turqisë. Për këtë binjakëzim të shumëpritur e të shumëvlerësuar nga palët dhe nga komuniteti i Skraparit, nga drejtuesit e Qarkut Berat dhe qeveria, iniciator ka qenë Presidenti i Fondacionit “Alsar”, zoti Mehdi Gurra, që fal negocimeve e bashkëpunimit të mëparshëm, të këtij tij të fundit me stafet e dy bashkive, u bë i mundur binjakëzim mes palëve. Delegacioni i bashkisë së Bagaçilar, kryesohej nga kryetari i saj z. Lokman Kagirçi, Kryetari Këshillit, nga nënkryetari i kësaj bashkie etj. Të pranishëm në nënshkrimin e protokollit binjakëzues kanë qenë deputeti socialist, Fidel Ylli, Prefekti i Beratit Fadil Nasufi, ish-Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Selfo Kapllani, anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe nëpunës të Bashkisë Skrapar. 
Bashkia Skrapar, i jep titullin “Qytetar nderi” kryebashkiakut turk
Pas firmosjes të aktmarrëveshjes nga dy kryetarët respektivë, Këshilli i Bashkisë Skrapar nderon Z. Lokman Kagirci me titullin “Nderi i Bashkisë” Skrapar me motivacion: “Për iniciativën e ndërmarrë për bashkëpunim në fusha të ndryshme me interes të përbashkët për qytetet dhe komunitetet tona”. Çertifikatë që i është dorëzuar nga kryetari i këshillit të bashkisë. Më pas miqtë turq kanë vizituar urën e Kasabashit, ndërtuar 3 shekuj më parë nga Mimar Kasëmi, si dhe kanë soditur nga afër Kanionet e Skraparit, nga më të famshmet në bashki e më gjerë, si dhe kanë bërë vizitë në Teqenë e Dhoresit tek gjurma e “Abas Aliut”. Për Kryetarin e Bashkisë së Bagaçilar, të Turqisë dhe delegacionin që e shoqëronte, Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu shtroi dhe një drek pune.
Nesim Spahiu, Kryetar i Bashkisë Skrapar: Lidhjet tona të forta, do të realizojnë projekte të mëdha e me leverdi reciproke
“Kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçante që me atributin e Kryetarit të Bashkisë t`i uroj mirëseardhjen delegacionit mik të Bashkisë Bagaçilar, si dhe gjithë të pranishmëve në këtë event shumë të veçantë për Bashkinë Skrapar! Në ceremoninë e nënshkrimit të Akt-Marrëveshjes së Binjakëzimit midis dy Bashkive Skrapar e Bagaçilar. Kjo është për mua, për të gjithë Këshillin përfaqësues të Bashkisë Skrapar, stafin e saj, për të gjithë komunitetin tonë, një ditë e madhe, një ditë që hap një faqe të re, atë të vendosjes së miqësisë e të bashkëpunimit, të shkëmbimit të vlerave midis dy vendeve, popujve dhe komuniteteve tona. Është nder, fat dhe përgjegjësi e madhe që qeverisjet lokale, që janë votuar dhe gëzojnë besimin e tyre të realizojnë hapa të tilla, me interes të gjerë, siç është nënshkrimi i marrëveshjes së binjakëzimit, një marrëdhënie me vlera të shumanshme bashkëpunimi e integrimi, jo vetëm midis institucionesh, por dhe shkëmbim vlerash të përbashkëta historike, arsimore, kulturore, politike, shoqërore midis popujve. Në këtë moment solemn dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre për të arritur në këtë ngjarje të shënuar. Në radhë të parë, të falënderoj Këshillin Bashkiak të Bagaçilarit, Ambasadën Turke dhe mbi te gjitha Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, i cili me interesimin dhe mbështetjen e tij mundësoi këtë Akt-Marrëveshje, Binjakëzim shumë të rëndësishme. Por një falënderim të veçantë dua të bëj për kolegun dhe mikun tim të dashur z. Lokman Kagirҫi, i cili së bashku me stafin e tij, ka mirëpritur idenë e binjakëzimit ka evidentuar fushat e bashkëpunimit, për shkëmbimin e ideve të projekteve të përbashkëta, duke i bërë tashmë këto marrëdhënie realisht shumë të afërta dhe të prekshme midis dy qeverisjeve dhe bashkive tona. Duke përfunduar, ju siguroj se firma ime në këtë marrëveshje bashkëpunimi e binjakëzimi, do të jetë një nga angazhimet e mia më të mëdha gjatë këtij mandati, që do të shoqërohet me përpjekjet e mia maksimale, si dhe të gjithë stafit tim, për zbatimin dhe çuarjen e saj sa më përpara”.

Lokman Cagici, Kryetar i Bashkisë Bagaçilar-Turqi: Ndihem i privilegjuar që sot nënshkruaj një marrëveshje, që ka lidhje me shqiptarët
“Jam këtu mes miqve, në fakt edhe më parë bashkia që unë drejtoj ka pasur një bashkëpunim të mirë me bashkinë e Beratit dhe sot këtu në Skrapar mes miqve shoh dhe ish- kryetarin e saj, Fadil Nasufin, duket se kjo miqësi u shtri edhe më tej në bashkinë që ne sot do të nënshkruajmë këtë akt-marrëveshje miqësie. Marrëveshjet e Binjakëzimit janë hapa shumë të rëndësishme për qeverisjet lokale, pasi përafrojnë popujt, kulturat, qytetet, qeverisjet lokale në funksion të mirëqeverisjes dhe shërbimit ndaj komuniteteve, janë ura bashkëpunimi dhe miqësie. Populli Turk dhe populli shqiptar janë dy popuj me tradita, lidhje shumë të hershme, të shumëfishta, miqësie, kulture, tregtie, biznesi etj. Këto lidhje janë forcuar dhe i kanë qëndruar kohës, jo vetëm nga prezenca e një komuniteti të madh shqiptar, i cili jeton në Stamboll dhe në qytetet e tjera, por dhe prezenca e madhe e komunitetit turk të sipërmarrjeve që operojnë në vendin tuaj. Thuajse sa banorë ka sot Shqipëria përafërsisht po kaq banojnë sot në Stamboll, ndërsa në bashkinë që unë drejtoj, shumica e komunitetit janë nga vendi juaj. Bashkia që unë drejtoj ka një sipërfaqe prej 22 mijë metra katror, ndërsa ka një popullsi prej 750 mijë banorë. Ndaj kjo Marrëveshje Binjakëzimi, që ne po firmosim sot, do të ndihmojë për gjenerimin dhe forcimin e këtyre lidhjeve, në kushtet e një realiteti të ri gjithëpërfshirës. Edhe pse është pak e vonuar kjo marrëveshje, pasi ka një vit që bisedohet, ne do t’i kapim hapat e vonuar me punë, me ardhjet e shpejta të grupeve të studentëve, grupeve të të rinjve dhe anasjelltas dhe këmbimin e përvojave në shumë fusha. Uroj që marrëveshja të jetë sa më frytdhënëse!

Ish-Ministri Naço, përshëndet aktin e binjakëzimit: “Është një hap, që do sjellë ndryshime në dobi të dy komuniteteve” 
“Sot kam kënaqësinë e veçantë të jem i pranishëm në këtë aktivitet, që promovon vlerat e një zonë plot resurse të jashtëzakonshme edhe me mundësi zhvillimi në shumë sektorë. Në këtë kuadër, do të doja të ndaja me ju emocionin e jashtëzakonshëm për konkretizimin e kësaj Marrëveshje Binjakëzimi, përmes së cilës evidentohen dhe mbështeten vlerat, të cilat do të mundësojnë që Skrapari ynë i përbashkët të ecë drejt rrugës së zhvillimit dhe mirëqenies, falë miqësisë dhe solidaritetit të banorëve të bashkisë Bagaçilar të Turqisë. Ka qenë kjo miqësi dhe ky solidaritet mes qeverisë shqiptare dhe asaj turke, të cilën e them pa hezitim se ka njohur rritje në vitet e fundit dhe kjo dallohet lehtësisht në nivelin e lartë të shkëmbimeve ekonomike dhe bashkëpunimin në shumë sektorë të tjerë prioritare. Ne jemi të ndërgjegjësim se ka akoma dhe shumë potenciale dhe resurse të pashfrytëzuara në kulturë, në art, në muzikë, në sporte e bujqësi, në turizëm e infrastrukturë etj, që fal këtij bashkëpunimi, por edhe në fushën financiare të biznesit, të trajnimeve apo praktikat në bashkëpunimin e ndërsjelltë, ato mund dhe do të ndryshojnë gjithmonë e më shumë imazhin e kësaj zone. Ky binjakëzim që bëjmë sot midis dy bashkive tona është një mundësi e shkëlqyer për ne dhe miqtë tanë të ardhur nga Turqia, për të shkëmbyer eksperienca të vyera, por edhe për të nxitur realizimin e projekteve të përbashkëta. Elementët e këtij bashkëpunimi janë të shumta dhe do të përfshijnë mjaft sektorë, duke filluar nga ato që synoj në rritjen e profesionalizmit në administratë e deri tek mbështetja e të rinjve në arsimimin e tyre. Për një zonë si Skrapari, që bukurinë natyrore e ka kudo, një element mjaft i rëndësishëm do të jetë bashkëpunimi dhe shkëmbimi i eksperiencave në fushën e trashëgimisë kulturore, natyrës dhe mjedisit. Por gjithashtu nuk mund të rri pa përmendur dhe evidentuar një pikë të veçantë në këtë marrëveshje që ka të bëj me grupet e margjinalizuara, si:(të paaftë; njerëz të sëmurë; apo fatkeq etj ), të cilëve do të mund t’ju sigurohet një mbështetje reale në përballimin e problemeve të ndryshme sociale. Të nderuar pjesëmarrës, Është e vështirë për mua që në një fjalim prej disa minutash të mundem të përmbledh të gjithë elementët, që përfshin ky binjakëzim me miqtë tanë nga Turqia, por mund t’ju them me siguri të plotë, se ne sot hedhim një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të Skraparit tonë. Të nderuar bashkëqytetarët e mi! Në përfundim të fjalës sime, në emrin tim, por besoj dhe në emrin tuaj, më duhet t’i jap falënderimet e përzemërta Kryetarit të Bashkisë, zotit Nesim Spahiu, Këshillit bashkiak, por edhe stafit të përkushtuar të kësaj bashkie! Falënderimet e përzemërta i përcjell edhe Shkëlqesisë së tij, zotit Lokman, Kryetar i Bashkisë së Bagaçilarit dhe stafit, që e shoqëron për angazhimin në këtë iniciativë të rëndësishme, e cila do të ofrojë së shpejti një tjetër dimension të ri të Skraparit. 
***
Në kthim delegacioni turk ka qëndruar në hyrje të fushës të aviacionit Kuçovë, ku ka parë nga afër ambientet e saj në hyrje, si dhe ka bërë një vizitë të shkurtër në bashkinë Kuçovë i shoqëruar nga Kryetari saj, Selfo Kapllani dhe stafi i tij. 
Sigal

Sulo GOZHINA