Skandali i inceneratorit të Fierit/ MF e pranon: Nuk u përmbushën pikat e kontratës

75

“Për koncesionin e Inceneratorit të Fierit, treguesi kryesor për realizimin e nivelit të përmbushjes së shërbimit të ofruar është sasia e mbetjeve urbane të rikuperuara dhe të përdorura si lëndë djegëse për prodhimin e energjisë. Për vitin 2019, sipas kontratës parashikohej që sasia e mbetje urbane të rikuperuara të jetë 64.800 ton/vit, ose 5.400 ton/muaj, por duke qenë se objekti është në ndërtim nuk është realizuar akoma ky tregues performance”, shkruhet në dokumentin e Ministrisë së Financave.

Pra, duket qartë që Ministria e Financave pranon se inceneratori i Fierit ka shkelur afatin kontraktor, i parashikuar për vitin 2019, si edhe nuk ka përmbushur detyrimin për të arritur sasinë e parashikuar të mbetjeve të rikuperuara.

Kontrata koncensionare për ndërtimin e inceneratorit të Fierit është objekt i kallëzimit që Partia Demokratike dorëzoi pak ditë më parë në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).

Sipas kallëzimit të Partisë Demokratike, inceneratori i Fierit ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit, ndërkohë që nuk ka nisur aktivitetin e tij.

Ndërkaq, edhe vetë Ministria e Financave pranon se kompania koncensionare, e drejtuar në shumicë nga Klodian Zoto, ka marrë të plota pagesat nga buxheti i shtetit, sipas parashikimeve në kontratë.

“Për këtë projekt është projektuar mbështetja buxhetore me vlerë prej 4.5 miliardë lekë përgjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit”, shkruhet në dokumentin e Ministrisë së Financave. Sipas raportit, “pagesat faktike të vitit 2019 janë në masën rreth 752,7 milionë lekë, duke rezultuar me një realizim prej 100% përqind nga plani vjetor 2019”.