Skandal / Raiffeisen Bank zapton hapësirat publike në kundërshtim me ligjin. Qytetarët denoncojnë, IMT e gjobiti, por banka refuzoi të paguante

 

 Raiffeisen Bank zapton hapësirat publike në Tiranë në kundërshtim me ligjin. Qytetarët denoncojnë skandalin, IMT e gjobiti, por banka refuzoi të paguante.

 Shumë institucione publike ndër muaj e vite, bënë fiks dy sy qorr dhe veshët e shurdhër përballë një zaptimi të hapësirës publike. Zaptuesi nuk ishte një i fortë apo llaç rrugësh, as më shumë e as më pak ishte selia qendrore e Raiffeisen Bank Albania. Në pjesën e pasme, që lidh Rrugën e Kavajës me Rrugën e Durrësit, në një lagje autoktone tiranase e në mes të kryeqytetit, Raiffeisen Bank e ktheu hapësirën publike dhe trotuarin në një strehë për kondicionerët e zyrave. Kjo situatë në plot 70 m2, sipas IMT, është ndërtuar pa leje, e pikërisht nga një institucion që ligjin dhe lejen do duhet t’i ketë të shenjta. Pra, BANKA.

Sigal

I vetmi institucion që guxoi të përballej pa u joshur, edhe pse Raiffeisen Bank ka shumë para, ishte Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit Tiranë. Ky institucion, në përgjigje të ankesave të banorëve, konstatoi zaptimin dhe ndërtimin e paligjshëm nga Raiffeisen Bank, e gjobiti dhe i kërkoi largim të menjëhershëm dhe kthim të trotuarit në shërbim të publikut. Por banka, nga ana e saj, e refuzoi këtë vendim, duke trokitur në gjykatë. Pak javë më parë, gjykata i ka dhënë të drejtë IMT-së, duke detyruar Raiffeisen të paguajë gjobën e vendosur nga IMT. Ajo që mbetet shumë e habitshme është se si këtë situatë nuk e panë satelitët Albania 1 dhe 2, si dhe Policia e Shtetit, Policia Bashkiake e shumë institucione publike, duke toleruar thuajse një geto me hekura, gjenerator dhe kondicionerë që ua nxinë jetën banorëve.

Gjykata: Raiffeisen Bank të paguajë gjobën

Më 5 shkurt 2026, gjykata ka vendosur që Raiffeisen Bank të paguajë gjobën e vendosur nga IMT, si dhe interesat si kamatëvonesë, duke e çuar në afro 6 mijë euro faturën për bankën. Mbetet për t’u parë nëse banka ka reaguar apo do të reagojë edhe për heqjen e ndërtimit pa leje.

DOKUMENTI 1
BASHKIA TIRANË
INSPEKTORATI I MBROJTJES SË TERRITORIT – NJËSIA 10

Seria Nr: 0008170. Proces Verbal Nr: 8170. Datë: 20.10.2025.Për: Konstatimin e kundërvajtjes.

Bazuar në Ligjin Nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, i ndryshuar, si dhe ligje të tjera në fuqi, inspektorët ushtruan kontroll në subjektin: Subjekti: Raiffeisen Bank, Adresa: Rruga e Kavajës, Tiranë

KONSTATUAN:

Shtesë me sipërfaqe rreth 70 m², e ndërtuar në terren ekzistues. E mbuluar me konstruksion alumini + gjenerator brenda. Punime të kryera pa leje nga organet përkatëse. Referuar ankesës me portalin “Hapësira Ime Publike” (me nr. reference 2025/019). Kërkohet: Të paraqitet dokumentacioni tekniko-ligjor pranë IMT brenda afateve ligjore në fuqi.

Inspektorët:
(E. Brah… / J. Batrak…)

DOKUMENTI 2
BASHKIA TIRANË. INSPEKTORATI I MBROJTJES SË TERRITORIT – NJËSIA 10.

Seria Nr: 0007310. Vendim Nr: 7310. Datë: 29.10.2025. Për: Dënimin me gjobë.

Në bazë të procesverbalit nr. 8170, datë 20.10.2025, pas kontrollit në subjektin: Subjekti: Raiffeisen Bank. Adresa: Rruga e Kavajës, Tiranë.

Është konstatuar kundërvajtja administrative: Ndërtim me sipërfaqe rreth 70 m², i mbuluar me konstruksion alumini dhe vendosje gjeneratori, pa leje ndërtimi. Bazuar në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe Ligjin nr. 10 279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative”.

VENDOSA:

Dënimin e kundërvajtësit Raiffeisen Bank me gjobë në masën: 93,200 (nëntëdhjetë e tre mijë e dyqind) lekë të reja. Gjobë që duhet të paguhet brenda 10 ditëve nga data e njoftimit të vendimit.
Vendimi mund të ankimohet në gjykatë brenda 10 ditëve. Ankimi nuk pezullon ekzekutimin e tij.

Kryeinspektori
(Firmë dhe vulë)