Skandal financiar: 120 milionë lekë “dieta” të zhdukura nga arka e shtetit

554
Një skandal financiar duket se ka arritur të zbulohet nga Auditi dhe KLSH në afro 11 institucione dhe ndërmarrje shtetërore në Elbasan, ku janë zhdukur pa asnjë gjurmë plot 120 milionë lekë nga arka e shtetit. Bëhet fjalë për miliona lekë të zhvatura nga drejtorët dhe zëvendësit e tyre, por edhe zyrtarët e rangut të dytë, për gjoja “dieta” apo shërbime jashtë rrethit, por që në fakt nuk korrespondojnë gjëkundi me dokumentacionin zyrtar që kanë arshivat dhe sekretaritë e këtyre institucioneve. Burime tepër të besueshme i thanë “Telegraf” se “miliona e miliona lekë janë zhvatur dhe vjedhur nga arkat e ndërmarrjeve duke nisur nga shitja e tollonave, shitja e materialeve të tjera në depot dhe magazinat e shtetit, e duke përfunduar tek shpenzimet e tjera për gjoja “dieta” për drejtuesit, zëvendësit e tyre, dhe zyrtarët e tjerë, që i janë sulur parave të shtetit sikur ti kishin të xhepave të tyre”. Gjatë muajve mars-prill 2016, Auditi KM dhe KLSh kanë zbarkuar në 11 ndërmarrje dhe institucionet e shtetit, pas sinjalizimit për vjedhje dhe abuzime me paratë e shtetit, dhe kanë verifikuar dhe zbuluar skandalin financiar që kap vlerën e mbi 120 milion lekëve. I njëjti burim tha se “vjedhja e parave dhe mungesa e justifikimit të shpenzimeve ka arritur kulmin kur, drejtorët, si militantë partish, kanë sponsorizuar përveç udhëtimeve të tyre, edhe të familjarëve dhe zyrtarëve të lartë nga Tirana me bileta avioni, të cilat janë pronotuar dhe marrë nga e njëjta agjenci udhëtimesh, e cila ndodhet në qendër të Elbasanit”. Janë mbi 114 bileta avioni ( madje edhe me çarter) me linja si me Italinë, Gjermaninë, Turqinë, Greqinë, dhe qindra bileta tragetesh, si dhe linjash autobusi kryesisht udhëtime drejt Turqisë e Greqisë, që janë fshehur dhe janë shkruar në shkresat zyrtare sikur të ishin “dieta” për shërbime me rrethet. 

Abuzimet marramendëse me fondet publike

Auditi KM dhe KLSH, ka verifikuar dhe është në proces verifikimi me destinacionet e mbërritjes së zyrtarëve dhe drejtorëve në rrethe, dhe deri tani ka rezultuar se, asnjë shërbim “pune”, apo “inspektim” nuk është kryer qysh nga korriku 2015 deri në mars 2016, veç takimeve të njoftuara nga ministrat e linjës. Mashtrimi dhe vjedhja e milionave nga arka e shtetit, mbetet vjedhja e radhës dhe zhvatja e “heshtur” e cila deri sot ka mbetur e pazbuluar, por që dy institucionet e kontrollit duhet ti shkojnë deri në fund zbulimit dhe penalizimit të përgjegjësve të këtij skandali financiar. Vjedhja e miliona lekëve për gjoja “dieta” dhe për shërbimet dhe inspektimet jashtë rrethit, mbetet forma më e zakonshme e mashtrimit që kanë përdorur dhe përdorin akoma edhe sot drejtorët dhe kodoshët e tyre, duke i kthyer fondet nometare të shtetit në para xhepi për veten, dhe familjarët dhe eprorët e tyre lart në qeveri. Të njëjtat burime thanë se “ka drejtorë që përgjatë 3 viteve që kanë postin, kanë qenë dhe janë akoma, sponsorizuesit direktë të deputetëve dhe ministrave të caktuar, kryesisht kur ata dalin jashtë shtetit, këto fakte janë lehtësisht të verifikueshme, mjafton të kontrollohen prenotimet dhe blerjet e biletave për avionët e zakonshëm dhe linja speciale , dhe do të dalin të gjitha të vërtetat, kjo është një vjedhje e hapur, një zhvatje e hapur që u bëhet parave të taksapaguesve nga njerëz që postin e morën duke paguar para, dhe sot e kësaj dite sërish po zhvatin miliona për tu mbajtur me thonj pas postit të tyre të pamerituar, dhe një njollosur me vulën e korrupsionit dhe vjedhësit”. 
Sigal