Situata e ARMO-s është edhe për vetë fajin e Bashkisë

914
Nga Dr. Vladimir MICI

Vijon nga numri i kaluar

E them me mungesë ligjore, sepse prona e ARMO-s ka vlerë nga asetet e saj që janë të sintetizuara në vlerën e aksioneve. Pra në ligjin shqiptar një kompani aksionere lë kolateral pasuri fizike, kur shumë mirë mund të linte vlerën e aksioneve, në përputhje me vlerën e kredive të marra. Kjo do të nënkuptonte që banka nuk mund të merrte pasuri fizike, por aksione. Që në këtë moment pasuria e kompanisë nuk mund të rivlerësohej dhe zhvlerësohej me ekspert kontabël dhe rivlerësimi i pasurisë së kryer më 2011 do të ishte nul. Nëse do të kishte kolateral, aksionet bankat do të ishin të interesuara për të rritur vlerën e aksionit, dhe jo groposjen e tij siç ka ngjarë. Nga ana tjetër përfitimi do të ishte më i madh edhe për faktin se investitori potencial s’mund të luante lojën e vjeljes së parave duke marrë kredi pa kriter. Së fundmi, kompania mbetej dhe jo të shitej në ankandet e stisura nga myteberë, që s’kanë asnjë lidhje me vlerat reale duke shkatërruar praktikisht një nga kompanitë emblemë të shtetit shqiptar. Pasojat e saj: Hedhja në rrugë e punonjësve dhe rritja e paligjshmërisë. E them paligjshmëri. Kjo kompani edhe në rastet e sekuestrimit, apo “shitjes” së aktiviteteve esenciale të ARMOS, ligji përsëri nuk është zbatuar. Në kodin civil, neni 605 caktohet: Radha e preferimit, ku qartësisht Bankat nuk kanë asnjë akses, cilat do qoftë forma mbi të ardhurat, që do të vinin nga likuidimi apo shitja e pasurive individuale. Fakti që bankat kanë përdorur tash e dy vjet me qira këto prona përbën një zullum, që është bërë me leje dhe me miratim të shtetit. Sepse qiraja e përfituar ishte një e ardhur e paligjshme e bankës apo bankave. Ato para duhet të shkonin për të likuiduar marrëdhëniet e punës, gjë që nuk është bërë. Nga ana tjetër nuk ka asnjë kontroll, se dhe sa ishte kjo qira dhe sa duhet të ishte niveli i qirasë. Përse u përdorën aktivet qarkulluese të ARMO-s, që ishin gjendje aktive, të cilat nuk ishin peng. Përse nuk u likuiduan punonjësit sipas preferencave, të cilët janë të parët në listë. Kush duhet ta zbatojnë listën? Ai që e siguroi në mënyrë të paligjshme! Sigurisht këto kërkojnë, që ARMO të vihet, së pari nën kontrollin qeveritar, t’i jepet fund vjedhjes dhe babëzisë. ARMO ka kryer dhe kryen funksione sociale të fuqishme duke krijuar të mira publike dhe pa kosto, të cilat shteti apo bashkitë dhe komunat kanë përfituar mjaft. Nuk është rastësi që ARMO del debitor ndaj OSSHE. Nuk është se OSSHE nuk do t’ia presë dritat. Por për OSSHE, ARMO është pronare e nënstacionit elektrik 110 Kilo-volt, i cili kthen energjinë nga 110 Kilo-volt në 6 dhe 20 Kilo-volt dhe që i shërben gjithë zonës dhe sistemit e që i duhet OSSHE-së dhe KESH-it. ARMO është pronari i ujësjellësit, që furnizon gjysmën e Mallakastrës dhe jo vetëm qytetin e Ballshit dhe ku mbi 70% e ujit nuk faturohet dhe 70% nuk pasqyrohet dhe nuk paguhet nga ujësjellësi. Po kështu Bashkia Ballsh dhe ish-komuna nga vjen Bashkiaku i sotëm e kanë ngopur me taksa lokale krejt të pazakonta dhe në kundërshtim me ligjin, siç është taksa në mjedis, e cila është taksa kryesore që rëndon mbi të, paçka se ka të punësuar gjithë banorët e qytetit dhe një pjesë të mirë të banorëve të fshatrave përreth. Harrojnë se taksa e ndotjes mjedisore përfshihet në taksën e karbonit dhe është taksë kombëtare, por pse duhet edhe një super taksë lokale?! Por çfarë ka bërë Bashkia apo komuna Qendër, kur kanë marrë këto taksa? Sa i kanë përkthyer në investime për pastrimin e ndotjes mjedisore? Përgjigja është – zero. Një taksë për të garantuar shpenzimet e pakontrolluara të Bashkisë janë të pamerituara. Me paratë që ka marrë ish-komuna Qendër apo sot Bashkia nga kjo sipërmarrje të tregojë se ku ka eliminuar ndotjen e shkaktuar nga KPTHN apo TEC-i Ballsh. Bashkia duhet të rishohë pozicionin e saj për të lehtësuar në maksimum Rafinerinë nga gjobat dhe të projektohet me ARMON në projekte që sjellin pastrimin e mjedisit, projekte që financohen së bashku. Në krizën aktuale, është i vonuar deklarimi i Bashkiakut të Ballshit për pezullimin e tatimit. Më e ndershme do të ishte heqja e taksës për një kohë, derisa ARMO të jetë mbi këmbët e veta një ekonomi e shëndetshme dhe pastaj studimi për një taksë të ndershme, se përse i duhet Bashkisë nga kjo Rafineri. Situata e ARMO-s është edhe për vetë fajin e Bashkisë. Po kështu ARMO është edhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të pushtetit lokal për sistemin e shuarjes së zjarreve. Ajo ka dy sektorë zjarrfikës, një në Fier dhe një në Ballsh, që është një garanci që iu ka shërbyer tërë kohës, dhe vijon edhe sot t’i shërbejë. A janë kosto këto? Sigurisht po t’i shtosh shpenzimet e tilla, shpenzimet për shndërrimin e energjisë, shpenzimet për prodhimin dhe furnizimin me ujë si dhe taksa të nivelit të bashkive si dhe kosto të panevojshme të Qirasë në Tiranë (kosto qiraje që në vit shkonte 100000 euro), kostot do të rriten dhe mund të mos e bëjnë konkurrente. Por këtë zë nuk e bën një menaxher privat, i cili nuk ka aspak transparencë, pavarësisht se ka përgjegjësi publike për punonjësit që ka të punësuar. 

Atë mund ta bëjë shteti duke ndjekur këto hapa:
1- Caktimin emergjent të një stafi menaxherial, i cili duhet të marrë në dorëzim Aktivet e shoqërisë. Kjo duke bërë inventarizim të të gjithë pasurisë, aktiveve afatgjatë dhe afatshkurtër.
2- Ndërtimin e një programi për evidentimin e dëmeve dhe investimeve të kryera dhe të raportuara, së bashku me preventivat e tyre së bashku me aktet e kolaudimit dhe marrjes në dorëzim. Gjendja reale e tyre dhe ekzistuese dhe a përputhen investimet e kryera me ato të deklaruara në çmime dhe sasi.
3- Ndërtimin e planit emergjent për funksionimin duke ndërtuar një skemë organizative të re me paga të reja.
4- Përcaktimin të gjitha detyrimeve që mbarten që vijnë dhe të kërkojë fshirjen, pezullimin dhe vendosjen e përparësive :
a. Nga marrëdhëniet e punës ( pagat e pa marra, gjyqet e fituara nga punonjësit)
b. Nga marrëdhëniet me shtetin( TATIMET, DOGANAT DHE BASHKIAKE)
c. Nga marrëdhëniet me bankat
d. Nga marrëdhëniet me ALBPETROL,OSSHE, KESH, OSTE
e. Nga marrëdhëniet me Furnitorë të tjerë
f. Të tjera detyrime.
5- Ndërtimi i një programi pune për vënien në gatishmëri të të gjitha aktiveve, së bashku me kostot e tyre.
6- Përcaktimi i nevojave minimale për të punuar. (Paga, lëndë të parë, material ndihmëse) në formë buxheti. Përcaktimi dhe miratimi i nivelit të humbjeve dhe caktimi i skemës dhe strukturës së prodhimit.
7- Përcaktimi i tregjeve të mundshme dhe caktimi i çmimeve të brendshme, nën të cilin nuk duhet të shitet. Lidhja e kontratave të shitjes.
8- Përcaktimi i formulës së shlyerjes së detyrimeve ndaj punonjësve.
9- Analiza e kredive të marra nga bankat dhe fillimi i procedurave për ristrukturimin e tyre duke marrë parasysh, arsyet e dhënies së kredisë, ligjshmëritë që ka ndjekur banka, për dhënien e kredisë dhe plotësimin e dosjes për kreditë e dhëna në kundërshtim me ligjin në prokurori, si kredi që kanë pasur me qëllime falimentimin e kompanisë të dëmtimit të interesave të shtetit dhe punonjësve.
10- Përcaktimin e investimeve minimale për: Uljen e humbjeve dhe ndotjen e mjedisit, të paktën për tri vitet e para.
11- Për të përmbushur këtë plan masash është e detyrueshme:
a. Një hua financiare buxhetore, e cila presupozon:
I. Ndalimin e çdo pagese të prapambetur të rezultuar ndaj të tretëve deri në shlyerjen e huasë financiare. Përfshihen edhe tatimet, doganat dhe bankat. Përjashtim bëjnë blerje dhe shërbimet e reja si dhe detyrimet për paga dhe tatime që lindin nga marrëdhënia e re.
II. Ndërtimi i një grafiku për shlyerjen e huasë dhe eliminimi i krijimit të inventarëve të rinj me qarkullim të ngadalshëm dhe stok deri në krijimin e mjeteve qarkulluese me burimet e veta
III. Ndërtimi i rregulloreve të përgjegjësisë për çdo abuzim me kërkesat e tepruara për mallra dhe shërbime deri me përgjegjësi personale penale.
IV. Të tjera, por ky program nuk mund të shpaloset me një artikull gazete.
Duke e përfunduar shteti, duhet të veprojë shpejt, se duart e liga janë zgjatur të vjedhin jo vetëm naftëtarët , por pa frike ka kohë, që vjedhin tatimet dhe për pasojë gjithë qytetarët shqiptarë, barra e borxhit publik e të cilit është mjaft e lartë. Ky borxh publik mund të jetë më i lartë, pasi shifrat e pa likuiduara konsiderohen të ardhura, por të ardhura, që s’merren dot, për pasojë ato kanë rritur borxhin publik indirekt.
Sigal