Siguria e Rinasit/ Skaneri ndezi dritën e kuqe për efektivin dhe dy turqit me drogë, punonjësja e aeroportit nuk njoftoi policinë

139

 Çantat e shpinës së tyre ishin të mbushura me hashash dhe lënda narkotike rezulton të jetë pikasur, por punonjësja nuk ka sinjalizuar efektivët e policisë për të ushtruar kontrollin fizik. Punonjësja është vënë në hetim administrativ ndërkohë që mësohet se është kunata e një prokuroreje në Tiranë dhe gjatë marrjes në pyetje është shfajësuar me argumentin se ka qenë një gabim njerëzor

Menaxhimi i sigurisë së brendshme në aeroportin e Rinasit, është kthyer në problem serioz, për shkak të shtimit të rasteve të kalimit të drogës, shumave financiare të padeklaruara në kufi dhe sendeve me vlerë si floriri dhe argjendi. Precedentët e ditëve të fundit që ndodhën njëri pas tjetrit, me kalimin e lëndës narkotike kanë sjellë hije dyshimi mbi vigjilencën e punonjësve të kompanisë private, që kontrollon dhe monitoron sigurinë e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Shqipëri. Policia dhe strukturat e tjera ligjzbatuese, kanë nisur një hetim administrativ për të mësuar shkaqet se ku po e çon sistemi i kontrollit fizik, skanerit dhe qenve nuhatës të strukturave policore. Burime thanë se sistemi i kontrollit është i monitoruar me kamera nga të katërta anët. Por çuditërisht rastet e fundit të trafikut të drogës, floririt, argjendit dhe denoncimet për vjedhjen e parave në valixhe, janë shtuar. Megjithëse herë pas herë stafi që kryen kontrollin është kapur me shkelje dhe punonjësit janë ndërruar me të tjerë, sërisht grupet kriminale shqiptare kanë arritur të depërtojnë përmes aeroportit të Rinasit, duke kaluar herë pas here sasi droge, flori dhe shuma të ndryshme financiare që nuk deklarohen në kufi. Hetimi i nisur mes vetë strukturave të kompanisë, por edhe Agjensisë së Mbikqyrjes Policore, ka për qëllim të monitorojë veprimet e punonjësve të policies, që kanë qenë në detyrë, në turnin kur kaluan dy shtetasit turq me 31 kg drogë. Nga verifikimet e kryera deri në këtë fazë, shtetasit turq janë pikasur nga skaneri, i cili ka shfaqur sinjalin e kuq “Alert”. Por çuditërisht punonjësja e turnit që verifikon e administron të dhënat e mbledhura nga skaneri, nuk ka marrë asnjë masë për të parandalur kalimin e shtetasve turq. Çantat e shpinës së tyre ishin të mbushura me hashash dhe lënda narkotike rezulton të jetë pikasur, por punonjësja nuk ka sinjalizuar efektivët e policisë për të ushtruar kontrollin fizik. Punonjësja është vënë në hetim administrative ndërkohë që mësohet se është kunata e një prokuroreje në Tiranë dhe gjatë marrjes në pyetje është shfajësuar me argumentin se ka qenë një gabim njerëzor dhe jo i qëllimshëm, që nuk ka sinjalizuar policinë pasi ka vërejtur sinjalin e kuq në skaner. Kjo situatë ende nuk është mbyllur pasi hetimi administrativ, ka shumë gjasa të transferohet në hetim penal në prokurorinë e Tiranës.

Sigal