Si të regjistrohesh dhe ndryshosh online mjekun e familjes

610
Sigal

Janë shtuar dy shërbime të reja online në e-Albania, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, të cilët nuk kanë një mjek familje apo për ata, që kërkojnë ta ndryshojnë atë. Lajmin e bëri publik Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook:

“e-Albania i vjen në ndihmë edhe qytetarëve, që nuk e kanë ende një mjek familje, ashtu sikurse atyre, që kërkojnë ta ndryshojnë mjekun e tyre, përmes dy shërbimeve të reja online në e-Albania: ‘Aplikim për regjistrimin pranë mjekut të familjes’; ‘Aplikim për ndryshimin e mjekut të familjes’”.

Drejtoresha Karçanaj informon gjithashtu qytetarët të bëjnë kujdes, duke i kujtuar një nga kushtet, që duhet të përmbushin gjatë aplikimit online. “Çdo qytetar ka të drejtë të përzgjedhë vetëm një mjek, si dhe të ndryshojë mjekun e familjes vetëm brenda mjekëve të Qendrës Shëndetësore të njësisë administrative, ku ka vendbanimin e përhershëm!” shkruan në statusin e saj drejtoresha e AKSHI-t, ndërsa videoja shoqëruese shpjegon hap pas hapi procedurën, që qytetarët duhet të ndjekin për t’u regjistruar pranë mjekut të familjes, apo për ta ndyshuar atë.

Me herët, drejtoresha Mirlinda Karçanaj, informoi qytetarët se përmes e-Albania, do të mësojnë, për herë të parë, në kohë reale se cili është mjeku i tyre i familjes dhe numri përkatës i celularit, sipas adresës së vendbanimit, një zgjidhje e mirëpritur nga qytetarët, që në këto kohë të vështira të përhapjes së Covid-19, evitojnë vizitat fizike në qendrat shëndetësore, në mbrojtje të jetës.