Shteti në funksion të patronazhistëve: Ndërmarrjet publike vuajnë nga humbjet dhe emërimet politike

35
Sigal

‘Punësim elektoral’

Kur audituan kompaninë “Agrokredit” në vitin 2019, inspektorët e KLSH-së nuk gjetën probleme vetëm me rekomandimet partiake në dosjet e punës së punonjësve. Ata konstatuan gjithashtu se kompania publike e kishte fshirë konkurimin nga procedurat e rekrutimit si dhe kishte shpërndarë dieta dhe shpërblime përtej parashikimeve buxhetore.

“Nga auditimi i dosjeve të personelit është verifikuar se në vitin 2018, të gjitha rekrutimet e reja janë realizuar pa konkurim, është bërë publikimi i pozicionit vakant, por nuk është zhvilluar konkurim për pozicionin. Emërimi është bërë direkt nga administratori i kompanisë,”- thuhet në raportin e Auditit. Të njëjtat probleme me rekrutimet e punonjësve të rinj janë gjetur edhe në kompanitë e tjera publike, OSHEE dhe OST.

Audituesit e KLSH-së kanë vërejtur se nuk ka gjurmë të procesit të rekrutimit të punonjësve dhe as transparencë si në OSHEE, ashtu edhe në OST.

“Procedura e ndjekur gjatë kësaj përzgjedhjeje nuk është e qartë dhe transparente, sepse nuk ka të dokumentuar asnjë nga hapat që duhet të ndiqen për rekrutimin e punonjësve të rinj,”- thuhet në një raport auditi të ushtruar në vitin 2023.

Auditi thekson gjithashtu se janë dhënë dieta dhe shpërblime jashtë vlerës së lejuar, edhe pse OSHEE dhe kompanitë bija të saj, OSSH dhe FSHU, kishin humbje prej 143 milionë eurosh në bilancin e vitit 2021.

Ndërkohë, në kompaninë e naftës Albpetrol, KLSH ka theksuar në një raport të vitit 2022 se brenda dy viteve ishin ndryshuar 6 administratorë dhe 59 drejtorë gjatë viteve 2021 dhe 2022.

“Vetëm në dy vitet e fundit në Albpetrol janë emëruar 287 punonjës dhe janë larguar 333 të tjerë. Vlera e dëmshpërblimeve për ndërprerjet e paligjshme të marrëdhënieve të punës në këtë periudhë arriti në 1 milion euro,”- shtohet në raport.

Bordet, të mbushur me këshilltarë dhe zv.ministra  

Bordet e ndërmarrjeve shtetërore në Shqipëri janë gjithashtu tejet të politizuara dhe janë kthyer në një mundësi për të shtuar pagat e zyrtarëve të lartë të administratës.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se në pjesën dërrmuese të bordeve udhëheqin drejtuesit e lartë, këshilltarët e ministrave, sekretarët e Përgjithshëm dhe zv. Ministrat, duke i përdorur kompanitë si një mundësi e artë për të marrë shtesë page, shpërblime dhe dieta.

Këshilltari i një ministri që foli me BIRN në kushtet e anonimatit pranoi se të ardhurat shtesë nga bordet kishin qenë një arsye më shumë për ta pranuar pozicionin politik.

“Unë kam patur një punë të mirë dhe të mirëpaguar në sektorin privat dhe më kërkuan të mbaja postin e këshilltarit të ministrit. Vetë ministri më kërkoi dhe më premtoi se do të kisha një pagë dinjitoze, pasi do të më vendoste në dy borde, sepse në të kundërt nuk lëvizja,”- tha këshilltari.

“S’mund të shkoja me pagë më të ulët sesa isha. Janë disa që shkojnë, por i nxjerrin ndryshe,”- shtoi ai. Inspektimet financiare të brendshme dhe ato të kryera nga KLSH ndër vite kanë konstatuar se në disa vendime, bordet kanë marrë vendime në konflikt interesi duke shpërblyer veten me pagë.Edhe në auditimin e ushtruar pranë Albpetrol këtë vit, Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti se anëtarët e bordit kishin shpërblyer veten me një pagë me vlerë 223 mijë lekë të rinj dhe kishin përfituar qindra litra karburant pa patur asnjë dokumentacion justifikues.

Një tjetër kompani që ka shpërndarë shpërblime të majme gjatë vitit të fundit është Korporata e Investimeve, ku gjashtë anëtarët e bordit kanë ndarë 83 mijë euro shpërblime në vitin 2021 dhe 187 mijë të tjera gjatë vitit 2022. Pano Soko nga Nisma Thurje i tha BIRN se bordet e ndërmarrjeve publike, jo vetëm që janë të mbushura me përfaqësues politikë, por edhe nuk funksionojnë realisht.

“Bordet janë qoka që i jepen njerëzve me pushtet ose pranë pushtetit,” tha Soko, ndërsa shtoi se: “bëjnë mbledhje për të marrë pagesën, sepse udhëzimet vijnë nga lart”. Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se, përpara zgjedhjeve të 14 majit, bashkitë e drejtuara nga Partia Socialiste në pushtet rekrutuan mijëra të punësuar të rinj për të siguruar vota.