Shqipëria përherë në mbështetje të Ukrainës

30
Sigal

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov u vlerësua me medaljen “Shqiponja e Artë” nga presidenti i “Klik Ekspo Group”, Luan Muhametaj.

Komisioni i Vlerësimit e cilëson ambasadorin një figurë të shquar në shumë aspekte politike, sociale dhe ekonomike. Ndaj presidenti i “Klik Ekspo Group”, Luan Muhametaj, motivacionin e dekorimit e lidh me ndikimin që ka Shkurov në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes bizneseve në fusha të ndryshme.

“Me mirënjohje për përkushtimin tuaj të jashtëzakonshëm për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe kulturore si dhe afrimin mes dy popujve tanë, për angazhimin dhe përpjekjet e pandalshme në mbrojtje të paqes dhe lirisë, frymëzuar ndjeshëm nga dashuria e thellë për atdheun Tuaj, Ukrainën”, thuhet në motivacionin e medaljes.

Muhametaj dhe përfaqësues të kompanisë “Klik Ekspo Group” u pritën në ambientet e  Ambasadës ukrainase në Tiranë, nga ambasadori dhe bashkëshortja e tij.

Në fjalën përshëndetëse, Shkurov falënderoi “Klik Ekspo Group” dhe jurinë për këtë vlerësim, ndërsa e konsideroi si një çmim edhe për popullin e Ukrainës.

“Unë e perceptoj këtë medalje si një manifestim nga ana e anëtarëve të shquar të Komisionit, si një lloj kredie besimi për personin tim modest. Në të njëjtën kohë, e vlerësoj këtë si një shenjë respekti të sinqertë për popullin e Ukrainës, i cili prej 665 ditë po mbron shtetin e vet nga agresori rus dhe të cilin kam nderin ta përfaqësoj në Republikën e Shqipërisë”, tha Shkurov.

Ambasadori, duke sjellë në vëmendje vështirësitë që po kalon Ukraina për shkak të agresionit rus, u shpreh se shumë biznese, kryesisht në fushën e bujqësisë dhe industrisë po zhvillohen me shpejtësi duke ndikuar pozitivisht në jetën e ukrainasve.

“Sot, duke folur para jush, dëshiroj të theksoj se, pavarësisht nga të gjitha, Ukraina vazhdon të jetojë; populli i Ukrainës punon edhe më mirë dhe me më shumë përkushtim. Industria dhe bujqësia jonë po zhvillohen në mënyrë aktive; po rindërtohen qytetet dhe fshatrat e shkatërruara, shkollat dhe kopshtet; ne eksportojmë metal, grurë, produkte ushqimore. Zhvillohen në mënyrë aktive teknologjitë më të fundit për prodhimin e armëve dhe municioneve në Ukrainë”, tha Volodymyr Shkurov, ambasador i Ukrainës në Shqipëri.

Në edicionin e 29 të Panarit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga “Klik Ekspo Group” nga data 6-9 dhjetor 2023, Ukraina zuri vend të veçantë, bizneset e së cilës u prezantuan nga ambasada e tyre në Shqipëri.

Ambasadori Shkurov tha se për shkak të luftës u bë e pamundur që kompanitë të merrnin pjesë fizikisht në këtë panair, por shpreson që tek panairi i ardhshëm pjesëmarrja do të jetë më e madhe.

Panairin e organizuar nga “Klik Ekspo Group”, kryediplomati ukrainas e konsideron si një urë lidhëse mes dy vendeve për të shtuar më shumë bashkëpunimin në fusha të ndryshme të biznesit por jo vetëm.

“Ne do të donim të ishin prezentë më shumë kompani nga Ukraina, sepse kemi arritur të ekspozojmë vetëm disa përmes katalogëve që kishin në ekspozitë. Problem kryesor mbeten pengesat për t’u larguar nga Ukraina për shkak të luftës, sepse aktualisht nuk e kanë të drejtë të largohen nga vendi dhe nuk e kishin mundësinë për të qenë prezent fizikisht këtu”, u shpreh ambasadori i Ukrainës në Shqipëri.

Ai e shikon Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga “Klik Ekspo Group” si një mundësi të mirë për t’u bërë urë lidhëse mes dy vendeve, dhe siç tha ai, “ky panair është një nga evenimentet më të mëdha në fushën e ekspozitave të biznesit në Shqipëri”.

“Shqipëria sot për sot është një nga vendet që vazhdimisht dëgjohet në Ukrainë, dhe tërheq shumë investitor dhe biznese, por ne synojmë t’i forcojmë më shumë këto bashkëpunime”, deklaroi Shkurov.

Në përfundim të takimit u la e hapur mundësia për organizimin e eventeve të tjera që do afronin më shumë dy shtetet, do të ndërlidhin më shumë bizneset e dy vendeve në fusha me interes reciprok që kontribuojnë në zhvillimin e ekonomive respektive.