Shqipëria, në planin e ISIS. “Daily Mail”: Në shënjestër Ambasada ruse në Tiranë

547
Shteti Islamik përfshin edhe selinë e Ambasadës ruse në Tiranë, në listën e përfaqësive diplomatike që planifikon të sulmojë në të gjithë botën. Sipas gazetave britanike “Daily Mail” dhe “The Sun”, në listë përveç Ambasadës në Shqipëri janë edhe ato në Iran, Ugandë, Azerbajxhan, etj.
Militantët e grupit xhihadist kanë shpërndarë një dokument me adresat dhe informacionet e kontaktit të ambasadave ruse, pas vrasjes shokuese të të dërguarit të Moskës në Ankara dhe pas sulmit në një treg të mbipopulluar Krishtlindjeje në Berlin, gjatë së hënës.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar shërbimet sekrete të vendit të tij të rrisin sigurinë brenda dhe jashtë kufijve në kundërpërgjigje të sulmeve.
Agjencitë ruse të lajmeve kanë cituar Putinin t’u ketë thënë drejtuesve të sigurisë: “U kërkoj shërbimeve speciale të ndërmarrin masa shtesë për të siguruar sigurinë brenda dhe jashtë Rusisë, për të rritur sigurinë e institucioneve ruse dhe punonjësve rusë jashtë vendit”.
Presidenti ka kërkuar gjithashtu që, përmes kanaleve të partneritetit, të forcojnë punën e tyre falë bashkëpunimit me agjencitë e shërbimeve sekrete të vendeve të tjera.
Putin urdhëroi gjithashtu gjatë së hënës kryediplomatin e tij dhe shefat e spiunazhit të bëjnë çmos për rritjen e sigurisë ndaj diplomatëve rusë anembanë botës.
Sigal