Shqipëria i vetmi vend anëtar në NATO, ku shteti nuk respekton të drejtën e pronës

569
Bec Frani 

(Kujtesë Zotit Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë)

Si shumë emigrantë shqiptarë në SHBA, unë ndjek me vëmendje dhe me aq sa mundem zhvillimet politike në Shqipëri. Dëgjova me vëmendje bisedën tuaj në takimin me popullin e Lezhës. Një nga problemet që u ngrit si shqetësim i popullit ishte dhe ai i pronës. Realisht ky është problemi më themelor që ju duhet të zgjidhni, përndryshe e çoni Shqipërinë në greminë dhe e bëni situatën edhe më të rendë seç e bëri mostra që kryesoi diktaturën komuniste për 45 vjet. Ligji Nr 133 që ju e keni miratuar në 2015, me Qeverinë e mëparshme duhet rishikuar sa më parë, në mënyrë që ligji të përcaktojë, se çfarë pronë duhet kompensuar, në mënyrë që kompensimi të jetë në përputhje me nenet, 41 dhe 42 të Kushtetutës. Në formën aktuale ligji saboton interesat kombëtare. Shkrimi parimor që kam lexuar dt 8.10.2017, në gazetën “Telegraf” mendoj se është argumenti më i plotë se, pse – Prona private është garancia më e rëndësishme e lirisë, pse ligji 133 është rrënim i parimeve morale të drejtësisë dhe demokracisë, dhe pse ju si Kryeministër duhet të keni prioritet rregullimin e anarkisë së pronës. Ju, nuk mund të justifikoheni, nëse nuk realizoni me prioritet pronën, konform Kushtetutës, për të cilat ju keni përgjegjësi historike dhe zbatimi i kushtetutës nuk është dëshirë apo lojë fjalësh, por detyrim. Kanë kaluar 26 vjet dhe prona e konfiskuar, grabitur vjedhur nga diktatura nuk është kthyer tek i zoti. Të gjithë kryeministrat në këto 26 vjet, kanë favorizuar pushtetarin dhe personin që vjedh dhe përvetëson pronën e tjetrit. Fakti që kjo po bëhet në emër të ligjit, është monstruozitet postkomunist dhe ju takon ta korrigjoni. Por a është e mundur që Shqipëria të pranohet në Bashkimin Evropian, pa bërë ligjin me të cilin Qeveria i kthen të zotit pronën e konfiskuar konform nenit 181 të Kushtetutës? Për, ju personalisht dhe për të gjithë kryeministrat që keni drejtuar qeveritë shqiptare pas vitit 1991, historia nuk mund të ketë asnjë justifikim për ligjet me të cilat i keni mohuar pronarit të drejtën e pronës së trashëguar. Pronarët e ligjshëm ju i quajtët ish-pronar dhe vazhdimisht po miratoni ligje dhe po merrni vendime me të cilat e konsideroni pronën e konfiskuar nga diktatura si pronë të shtetit dhe të qeverisë. Duhet ti thoni stop vjedhjes në emër të ligjit. Shqipëria vazhdon të jetë i vetmi vend anëtar në NATO, ku shteti nuk respekton të drejtën e pronës. A mund të vijmë ne emigrantë apo të rekomandojmë miqtë tanë, që të investojnë në zonat turistike kur titujt e pronësisë nuk përputhen me nenin 41 të Kushtetutës? Ju rekomandoj që t’i kërkoni organeve kompetente të analizojnë rezultatet ekonomike, pasojat sociale, pas vitit 1991, të shkaktuara prej ligjit 7501 dhe çfarë do fitojë populli, demokracia dhe politika shqiptare, nëse ju si kryetar i maxhorancës do korrigjoni anarkinë e titujve të pronësisë, për atë pjesë të pronave që titujt nuk përputhen me nenin 41 të Kushtetutës. Unë arsyetoj se për rastet dhe për pjesën që ky ligj e ka kthyer pronën tek trashëgimtarët ligjorë, ligji qëndron pasi është zgjidhja e duhur. Por monstruoziteti që ka prodhuar ky ligj lidhet me pjesën e pronës që ky ligj ja kthen personave të tretë që nuk kanë asnjë të drejtë trashëgimie për atë pronë të konfiskuar nga mostra e quajtur komunizëm. Një gabim tjetër i këtij ligji është fakti se ky ligj i ka kthyer pronë fëmijës së pronarit që jeton në fshat, ndërsa pjesa që jeton në qytet, mbetet pa prone. Kjo ka fut në konflikt dhe hasmëri ndërmjet trashëgimtareve të pronarit dhe këtë nuk e bëri as “qoftë largu”. Veç këtyre që janë shkelje të dukshme të të drejtës së pronës së trashëguar dhe po të shtohet dhe pjesa e zbatimit të gabuar dhe korruptiv të këtij ligji, ku nëpunësit dhe gjyqtarët kanë realizuar interesat e tyre personale, atëherë natyrshëm edhe për ju del konkluzioni pse amendimi i këtij ligji dhe i ligjeve të tjera të ngjashme, është detyrë prioritare e Qeverisë që ju drejtoni. Besoj plotësisht se ky është një mesazh i qartë për ju dhe për drejtuesit e tjerë të politikës shqiptare.
Sigal