Shpërndanin kokainë, heroinë dhe kanabis në Fier, arrestohet 33-vjeçari dhe e reja që e paketonte

199
Sigal

Arrestohen në flagrancë 2 persona në Fier, për shpërndarje të lëndëve narkotike kokainë, heroinë dhe cannabis sativa.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë policore për dy shtetas që shpërndanin lëndë narkotike të forta në doza, në disa zona të qytetit të Fierit, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Fier finalizuan operacionin policor të koduar “Paketimi.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve E. Gj., 33 vjeç dhe I. N., 30 vjeçe, të dy banues në Fier.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit E. Gj. dhe më pas në banesën e tij (ku ndodhej shtetasja I. N., e cila paketonte lëndën narkotike në doza), shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 170 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një pjesë e saj e ndarë në doza gati për shitje, 18 doza me lëndë narkotike heroinë, doza me cannabis sativa, 90.000 lekë të rinj, 4 aparate celulare, 1 automjet, 1 peshore elektronike dhe sende të tjera që shërbenin për paketimin e lëndës narkotike në doza.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim.