Shoqata e Autobusëve rrit çmimin e biletës së udhëtimit me 60 për qind, strukturat heshtin

478
Sigal

BERAT/ Flet specialisti i Transportit, Luan Abedini: “Autobusët e amortizuar, rrezikojnë pasagjerët dhe ndotin mjedisin”

Rritja e biletave të udhëtarëve nga shoqatat e autobusëve, është kthyer në një shqetësim për qytetarët e Beratit. Shoqatat e autobusëve i rrisin çmimet sipas interesave të tyre, ndërsa institucionet shtetërore që kanë për detyrë kontrollin dhe mbajtjen nën kontroll të çmimeve nuk kanë marrë asnjë masë dhe po tregojnë një indiferentizëm të madh. Indiferenca e institucioneve shtetërore ka bërë që ligjin ta bëjnë shoqatat e autobusëve dhe pasojat t’i paguajnë qytetarët në këtë kohë krize. Rritja e çmimit të biletave në qytetin e Beratit sipas informacioneve, ka shkuar deri në 60 për qind dhe kjo është ndjerë shumë në xhepat e qytetarëve, kur dihet që po jetojmë në një periudhë krize, por nga ana tjetër kjo rritje ka mbushur xhepat e pronarëve të linjave të ndryshme, të cilët përfitojnë nga indiferenca e shtetit dhe po varfërojnë qytetarët.

Abuzimi

Në lidhje me këtë problem është shprehur për gazetën “Telegraf”, Luan Abedini, specialisti i Transportit dhe Mjedisit në Qarkun e Beratit, i cili theksoi se: “Në Qarkun e Beratit, kryejnë aktivitet 25 shoqata, të cilat kanë 65 autobus”. Këta autobusë sipas zotit Abedini, kanë dalë jashtë funksionit. “Ata janë të vitit 1978 dhe si të tillë ata janë jashtë çdo parametri dhe janë shumë të rrezikshëm për transportimin e udhëtarëve në linjat e Berat-Tiranë, po ashtu edhe në rrethe të tjera dhe në zonat e komunave, të cilët transportojnë jo vetëm udhëtar, por dhe fëmijë dhe mësuese”. Ndërkohë, zoti Abedini ka sqaruar se, autobusët janë tejet të amortizuar dhe si pasojë ato jo vetëm që rrezikojnë jetën e banorëve, por njëkohësisht ato ndotin dhe ambientin nga amortizimi. Për të barë më të besueshëm abuzimin zoti Abedini mori një shembull real. “Për të bindur qytetarët po llogarisim linjën Berat-Kuçovë, që është 16 kilometër dhe pronarët e autobusëve e kanë vënë çmimin e biletave të udhëtimit 80 lekë të reja, ku me ligj bileta duhet të jetë 50 lekë”, theksoi zoti Adedini. Sipas specialistit, tarifa e biletave vendoset sipas kilometrave. Po të llogaritet linja Berat – Skrapar, bileta është bërë 300 lekë të reja ndërkohë sipas kilometrazhit bileta duhet të jetë 160 lekë. Ky është një abuzim shumë i rëndë që po bëhet në dëm të qytetarëve të Beratit me çmimin e biletave të autobusëve.

Kërkesa

Shoqatat nuk kanë të drejta të dalin mbi ligjin. “Është shteti ai që është rregullatorë, i cili i kalon të gjitha veprimet e këtyre shoqatave në “sitë” në të gjitha veprimtaritë e tyre. Nuk është e ligjshme që shoqatat të rrisin çmimin e biletave si pas oreksit të tyre për interesa përfituese”,- tha Abedini. Madje, është për t’u theksuar se të gjithë autobusët e linjave si linja rreth qytetit dhe ato të linjave të tjera, duhet të plotësojnë parametrat teknike për të bërë transportin e udhëtarëve. Ata janë teje të amortizuar dhe si pasojë jo vetëm që rrezikojnë jetën e udhëtarëve, të fëmijëve dhe mësueseve, por në të njëjtën kohë atë ndotin dhe ambientin, pasi janë teje të amortizuar, sqaroi specialisti. “Ne mendojmë që Ministria e Transporteve, duhet të krijojë një kontroll për të kaluar në sitë këta autobusë dhe t’i nxjerrë jashtë funksionit pasi ata janë teje të amortizuar madje ata janë dhe anti- higjenik”,- tha Abedini.