“Shkollat e shekullit 21”/ Ministrja Kushi dhe ambasadori britanik vizitojnë nxënësit

74

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka zhvilluar një vizitë në shkollën 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” në Elbasan bashkë me ambasadori Britanik në Tiranë Duncan Norman dhe kryetarin e Bashkisë Elbasan Gledian Llatja. Ata kanë parë nga afër projektet e nxënësve të zhvilluara në kuadër të programit “Shkollat e shekullit 21”. Projektet e zhvilluara nëpërmjet kodimit në këtë shkollë kanë në fokus kursimin e energjisë në mjediset shkollore, ndërgjegjësimin e nxënësve në zbatimin e rregullave gjatë situatës së pandemisë e një sërë çështjesh të tjera që prekin komunitetin shkollor.

“Projektet janë pjesë e programit ‘Shkollat e shekullit 21’, i cili zbatohet nga Këshilli Britanik dhe synon zhvillimin e aftësive të mendimit kritik dhe aftësive praktike të programimit”, nënvizon Ministrja Kushi duke shprehur mirënjohje ndaj Këshillit Britanik për këtë projekt ambicioz nëpër shkolla dhe duke shprehur bindjen gjithashtu se nxënësit falë këtyre aftësive të reja, nesër do të jenë më konkurrentë dhe do të përshtaten më mirë në tregun e punës.

Shkolla 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” është një nga 800 shkollat në Shqipëri, të përfshira në Programin e “Shkollat e shekullit 21”. Që prej fillimit, 3,000 mësues janë trajnuar për mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve dhe kodimin. Deri më tani, 16,800 Mikro-bit janë shpërndarë nga 24,000 që do të shpërndahen deri në fund të programit.

Programi “Shkollat e shekullit 21” është një program arsimi 3-vjeçar, i zbatuar nga Këshilli Britanik dhe ka për qëllim të zhvillojë aftësitë kryesore të shekullit 21 të mbi një milion nxënësve të moshës 10-15 vjeç në vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi) dhe do të përfshijë të gjitha shkollat e arsimit bazë në Ballkanin Perëndimor.