Shkolla e policisë për “patrullë të përgjithshme”, nisin aplikimet, kriteret që duhen zbatuar

126

Duke nisur nga sot, kanë nisur aplikimet për shkollën e policisë për ‘Patrullë të përgjithshme’.

Mësohet se aplikimet dorëzohen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Në përfundim të gjithë procesit të konkurrimit, 300 kursantët fitues do të ndjekin studimet në Kolegjin Profesional të Lartë “Kolegji i Policisë” për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë.

KRITERET E APLIKANTIT
Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”:
– Të jetë shtetas shqiptar;
-Të ketë mbushur moshën 18 vjeç dhe të jetë nën 30 vjeç;
-Të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
– Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
– Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
– Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën dhe të mos ketë shenja të dukshme (tatuazh) që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë;
– Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;
– Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje;
– Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.

DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM
Aplikantët për punonjës policie duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm për aplikim në Polici:
– Formulari i aplikimit;
– Fotokopje e kartës së identitetit;
– Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;
– Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
–Vërtetim nga Gjykata;
– Vërtetim nga Prokuroria;
– Fotokopje të librezës së punës për ata që janë në marrëdhënie pune ose i kanë shkëputur marrëdhëniet e punës;
– vërtetim që ndjek arsimin e lartë (për ata që vazhdojnë arsimit e lartë);
– Mandat pagesa e tarifës së aplikimit;
Dëshmia e penalitetit dhe certifikata familjare nxirren nga vetë strukturat policore ku kryhet aplikimi.
Kontrolli mjekësor dhe analiza që vërteton se nuk je përdorues i lëndëve narkotike janë procedura që kryhen në fazën e kontrollit shëndetësor.

SHQYRTIMI I DOKUMENTACIONIT DHE PROCESI I ANKIMIMIT
Afati i shqyrtimit dhe verifikimit të dokumentacionit është 10 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve.
Aplikanti, që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet duke u njoftuar me shkrim nga struktura e Burimeve Njerëzore.
Aplikanti ka të drejtën e ankimit tek Drejtori i Policisë Vendore brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes. Drejtori i Policisë Vendore shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës.

FAZAT E KONKURRIMIT
Aplikanti që kualifikohet për të vazhduar procesin e pranimit në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të mëposhtme të konkurrimit:
– Testimi me shkrim;
– Testimi i aftësive fizike;
– Intervistë me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testim i aftësive të të shkruarit;
– Testimi psikologjik;
– Kontrolli shëndetësor;
– Marrja e shenjave të gishtave;
– Verifikimi përfundimtar i aplikantit.
Të gjithë aplikantët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë ose pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.
Po ashtu, mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën:
[email protected]
Policia e Shtetit është e interesuar që të ketë sa më shumë aplikime dhe në këtë kuadër fton gjithë moshat e reja që të aplikojnë, duke iu garantuar një proces konkurrimi transparent dhe të paanshëm, sipas parimit të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritës.