Sigal

SHKODER-Ndryshon dinamika e vrasjes së biznesmenit Arjan Ferracaku një ditë më parë në Shkodër.

Biznesmeni 30-vjecar është vrarë gabimisht teksa ishte duke kalëruar, pasi nuk ka qenë ai objektiv, por dikush tjetër që ishte me të. 30-vjeçari ka qenë i shoqëruar nga 5-6 persona të tjerë në zonën e Livadhes të cilët po bënin stërvitje për hipizëm.

Burimet bëjnë me dije  se objektivi i vrasjes ka qenë një tjetër person, ndërsa autori i vrasjes ishte fshehur në shkurre dhe ka qëlluar nga 70-80 metra me kallashnikov. Mësohet se Ferracaku mbeti fillimisht i plagosur, por nga frika se e pa kush qëlloi, autori e vrau duke qëlluar sërish mbi të me kallashnikov.

Policia ka shoqëruar deri më tani 10 persona të cilët po merren në pyetje. Familjarët e viktimës shprehen se nuk kanë pasur konflikte me askënd dhe nuk i dinë arsyet se pse është vrarë Arjan Ferracaku.

Viktima nuk ishte i njohur si person problematik dhe ishte baba i dy fëmijëve. Familja e tij njihet në Shkodër si pronare e kompanisë së prodhimit të plastikës “Firma Ferracaku”, ndërsa kishte dhe disa biznese në Velipojë.

Njoftimi i policise:
Rreth orës 13:50, në breg të liqenit të Shkodrës, në livadh, tek hidrovori i fshatit Dobraç, Shkodër, është vrarë me armë zjarri shtetasi A.V. 30 vjeç banues në lagjen “Guerile” Shkodër.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë, ku kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjere dhe kanë filluar krehjen e saj për kapjen e autorit/ëve.

Ndërkohë shërbimet e tjera kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore rurale të asaj zone.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit.