Shkarkohet nga detyra gjyqtarja Enkelejda Hoxha

288
Sigal

KLGJ ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të magjistrates Enkeleida Hoxha.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani nisi verifikimin e më pas hetimin disiplinor për këtë magjistrate.

Kërkesa për shkarkimin nga detyra të gjyqtares u bë për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

“Veprimet dhe sjelljet e magjistrates përbëjnë shkelje disiplinore që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin.

Gjashtë vendime të dhëna prej gjyqtares në harkun kohor nga maj 2017- shkurt 2019, përbëjnë akte që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit”, thuhet në shkresë.

Njoftimi i plotë:

Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masën disiplinore shkarkim nga detyra për magjistraten E.H., gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Kryetarja Naureda Llagami njoftoi vendimin, sipas të cilit KLGJ, vendosi shkarkimin nga detyra të magjistrates gjyqtare.

Në seancën e paraqitjes së përfundimeve mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani kishte argumentuar shkeljet disiplinore të magjistrates, si mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit; veprime që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët, mosrespektim të rëndë e të vazhduar të legjislacionit material e procedural penal dhe nxjerrje të akteve (vendimeve) të paarsyetuara.

E.H. është magjistratja e dytë për të cilën KLGJ ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkim nga detyra, për shkelje të rënda disiplinore lidhur me lirimet para kohe me kusht dhe e treta magjistrate e shkarkuar nga KLGJ pas një hetimi disiplinor të ILD-së.

Prej marrjes së detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndarë shqetësimin publik për vendimmarrjet dhe veprimtarinë e institucioneve të tjera, lidhur me lirimet para kohe me kusht, duke përcaktuar si prioritet fillimin e inspektimit të ILD-së, pikërisht këtë fenomen.

Pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë vijon verifikimi për vendimmarrje të ngjashme bazuar në procesin e inspektimit tematik në gjykatat e prokuroritë e vendit.