Shiten pë skrap 5 heronjtë e Vigut

610
Sigal

29 Nëntori/ Përkujtohet Dita e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë. Dhunohet monumenti i Pesë Heronjve të Vigut në Shkodër

Lajmi është më shumë se i hidhur. Pesë Heronjtë e Vigut që ranë heroikisht rreth 7 dekada më parë, janë rivrarë dje në Shkodër. Pjesë të monumentit të tyre janë prerë dhe shitur për skrap. Thënë më shkoqur, armët e tyre në monument janë prerë dhe shitur. Kanë dashur t’i çarmatosin. Në fakt i kanë rivrarë. Duket se kemi të bëjmë me një sulm të sinkronizuar ndaj një periudhe të lavdishme të historisë së popullit tonë dhe heronjve të rezistencës antifashiste. Pesë Heronjtë e Vigut bëjnë pjesë në simbolet e kësaj lufte. Rënia e tyre heroike në vitin 1944 u monumentalizua nga “Skulptori i Popullit”, Shaban Hadëri disa dekada më parë dhe u lartësua në qendër të qytetit të Shkodrës, duke ia shtuar hijeshinë dhe madhështinë qytetit verior. Katër vjet më parë, monumenti i heronjve, me një vendim të pushtetit vendor, u hoq nga qendra e qytetit, për t’u vendosur në vendin më të papërshtatshëm, në periferi dhe atje ku hidhen mbeturinat e qytetit. Ndaj dhe me të drejtë “Skulptori i Popullit” Mumtaz Dhrami dhe Kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve, Rustem Peçi e dënuan dje me forcë këtë vandalizëm dhe e konsideruan atë me ngjyresë të fortë politike. Ky akt vandal është një qëndrim kundër Luftës Antifashiste dhe Heronjve të saj, thanë ata. Akti bëhet edhe më i shëmtuar pasi ndodh pikërisht në ditët e festive të mëdha kombëtare sikurse janë shpallja e Pavarësisë dhe çlirimi i vendit nga pushtuesit nazifashistë.

Lajmi

Shkodra është qyteti i fundit i çliruar dhe dje në ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, në ditën kur kujtohen Dëshmorët e Kombit, monumenti i Pesë Heronjve të Vigut që është simbol i luftës antifashiste ndodhet në një gjendje të pabesueshme, ku pjesë të këtij  monumenti  kanë filluar të priten dhe shiten për skrap.

Pjesë të armëve, tytat dhe shulet janë prerë me gurë fresibël për t’u shitur për skrap sepse është prej material bronzi shumë i lakmueshëm. Në disa pjesë ku duken më së tepërmi dëmtimet janë vendosur flamuj për t’u mbuluar vendet e prera.

Qyteti i Shkodrës është qyteti i fundit i çliruar sipas historisë në datën 29 nëntor 1944. Sipas këtyre dokumenteve mbrëmjen e 28 Nëntorit, gjermanët ekzekutuan guerrilasin Qamil Berberi me gjithë familjen e tij.

5 Heronjtë e Vigut, përkatësisht Ahmet Haxhia, Ndoc Mazi, Ndoc Deda, Hydajet Lezha dhe Naim Gjylbegu kanë pësuar fatin më tragjik gjatë viteve të demokracisë. Pas largimit të dhunshëm nga qendra e Shkodrës dhe vendosja tek varrezat e dëshmorëve, aty, ku hidhen plehrat e qytetit, ata kanë rënë pré e një dore keqbërëse që ka dëmtuar bustin duke e prerë për hekur që më pas është shitur për skrap. Kjo është goditja e radhës që ju bëhet 5 Heronjve të Vigut. Një kasaphanë e vërtetë, e që askush nuk përgjigjet përballë një veprimi të tillë, por zgjedhin të heshtin, e pikërisht në këtë 100 vjetor të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Ishte pikërisht 31 janari i 2009-s, ku monumenti i 5 Heronjve të Vigut, një bust i derdhur në bronz, vepër e skulptorit Shaban Hadëri u vendos tek Varrezat e Dëshmorëve.

Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit të Veteranëve të Luftës

Kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste, Rustem Peçi, tha mbrëmë për “Telegraf” se, dhunimi i monumentit të Heronjve të Vigut, nuk është thjesht një vandalizëm. Është shumë më tepër se kaq. Është vepër e kolaboracionistëve të fashizmit, është atentat kundër Luftës Antifashiste të popullit shqiptar. Këtij akti vandalist dhe të poshtër i parapriu thirrja e Kryetarit të Ballit Kombëtar Adriatik Alimadhi, i cili pikërisht në ditën e çlirimit të atdheut hodhi baltë mbi luftën antifashiste nacionalçlirimtare dhe mbi heronjtë e saj. Është pikërisht kryeballisti Alimadhi dhe qeveria ku ai bën pjesë frymëzuese e këtyre vandalizmave. Ne si Komitet i Veteranëve e dënojmë me forcë aktin e djeshëm dhe u themi këtyre kolaboracionistëve të sotëm se nuk do të mund ta errësojnë kurrë lavdinë e luftës sonë antifashiste. Unë mendoj se ka një plan të qartë të forcave kolaboracioniste të sotme kundër luftës. Ndoshta pa dashje Alimadhi i ballistëve e zbuloi këtë plan. Por unë doja t’u thoja këtyre kolaboracionistëve se, Shkodra mbetet lavdi e rezistencës antifashiste, ajo ka nxjerrë heronj të pavdekshëm. Heronjtë e Vigut me madhështinë e tyre në qendrën e Shkodrës errësonte kolaboracionistët, ndaj dhe i hoqën nga qendra e qytetit katër vjet më parë.

 Mumtaz Dhrami, “Skulptor i Popullit”

Artisti i madh Mumtaz Dhrami ishte dje tejet i trishtuar nga lajmi i dhunimit të monumentit të Pesë Heronjve të Vigut në Shkodër. Në një prononcim për gazetën “Telegraf”, ai tha se vepra monumentale e Heronjve të Vigut është nga veprat më të bukura dhe më të arrira të artit shqiptar, që mban firmën e një artisti të shquar dhe nga më të mirët e vendit tonë, Shaban Hadërit. Është koha t’u thuhet ndal këtyre akteve vandaliste. Por akti i djeshëm është më shumë se një akt vandal. Ai është një qëndrim i caktuar ndaj një periudhe të lavdishme të popullit shqiptar, ndaj dhe meriton të shihet në të dyja aspektet: dhunimi si akt vandal dhe si qëndrim politik. Nuk e meritonte Shkodra këtë turp. Në të vërtetë denigrimi i Heronjve ka vite që po ndodh në këtë vend. Ajo vepër monumentale u hoq fillimisht nga qendra e qytetit ku kishte një vend të merituar dhe u vendos në periferi. Atëherë u bë dhunimi i parë i heronjve. Tani marrim vesh këtë dhunim të dytë dhe makabër. Përherë unë i kam parë sit ë gjallë heronjtë në veprën e mrekullueshme të artistit Shaban Hadëri. Prandaj dhe krimi është i dyfishtë dhe duhet dënuar me forcë nga e gjithë shoqëria.

E majta përkujton e ndarë ditën e Çlirimit, Nishani në homazhe: Respektoj ligjin!

Opozita përkujtoi dje e ndarë ditën e Çlirimit të vendit. Ashtu si vitin e kaluar, PS-ja dhe aleatet e saj ishin bashkë në vendosjen e kurorave me lule në nderim të dëshmorëve të rënë, ndërsa LSI-ja më vete. Homazhet për dëshmorët e Atdheut i nisi i pari Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili theksoi se në respekt të ligjit i nderoi të rënët në datën 29 Nëntor. Më pas kryetari i LSI-së, Ilir Meta, vendosi kurora me lule në Memorialin “Nëna Shqipëri”, rreth orës 11:00 dhe menjëherë pas tij, kryetari i PS-së Edi Rama u përkul përpara Memorialit të të rënëve për Atdheun.

Nishani, Homazhe për dëshmorët : Respektoj datën kushtetuese

Ora: 10:12 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi dje homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve”. Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule në memorialin “Nëna Shqipëri” dhe u përkul në nderim të atyre që ranë për çlirimin e Shqipërisë.

Më pas Presidenti u ndal përpara gazetarëve, duke theksuar se, “sot është dita për të kujtuar trimërinë dhe vizionin e atyre që u bashkuan pa dallim krahine dhe ideje në mbrojtje të vendit.” Presidenti shprehu nderimin e tij për të rënët dhe shtoi se sot ideali i tyre është jetësuar.

Ilir Meta: “Duhet vlerësuar edhe Enver Hoxha për LANÇ”

“Përderisa i jepen merita Zogut në disa aspekte nuk ka arsye që të mos i jepen merita edhe Enver Hoxhës sidomos për sa i takon drejtimit të luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Megjithatë unë mendoj se nuk është detyrë e politikanëve për të bërë historinë sepse politikanët kanë edhe interesat e tyre politike. Mendoj se koha e bën historinë më të mirë, bën rivlerësim më të mirë të këtyre figurave por kur flasim për luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare absolutisht që do ishte një kompleks të mos përmendim rolin e jashtëzakonshëm të Partisë Komuniste dhe të komunistëve shqiptarë sepse 90% e atyre që prehen këtu kanë qenë anëtarë të kësaj partie por natyrisht që ata kanë dhënë jetën e tyre në emër të idealit të lirisë, të pavarësisë për të ringritur flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në një Shqipëri të lirë dhe të pavarur”, tha ndër të tjera z. Meta.

Rama: 29 Nëntori ditë tjetër për të qenë krenarë

Ora 11:20 – Pak minuta pas homazheve të kreut të LSI-së, kryetari i PS-së, deputetë socialistë dhe aleatët e saj u bashkuan në vendosjen e kurorave me lule në memorialin e dëshmorëve. Pas homazheve në nder të të rënëve, Rama deklaroi se, “kjo datë i qëndron pranë 28 Nëntorit si vazhdimi i një historie të shkruar nga njerëz që besuan në një ëndërr e që për të sakrifikuan edhe jetën, nga njerëz që besuan se duke guxuar mund të mbërrinin atë që në kushte normale askush nuk do të kishte kurajë ta përfytyronte, përballjen me të keqen që kërcënonte botën”. Sipas kryesocialistit, luftë e lavdishme për çlirimin e vendit është një nga trashëgimitë më të shkëlqyera për brezat.

“Ky 28-29 nëntor ishin një mundësi për të lexuar me krenari faqet e ndritura të së shkuarës e për të parë se e ardhmja mund të jetë e ndritur nëse guxojmë të besojmë si besuan ata që dhanë jetën. Ne do ta rilindim Shqipërinë”- vijoi Rama.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, një ditë pas shënimit të 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka reaguar ashpër ndaj Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, duke e akuzuar si përgjegjës për një zhvillim negativ dhe të paprecedentë në historinë e institucionit të Presidencës. Edhe pse kreu i shteti dje iu bashkua së majtës për të përkujtuar dëshmorët e kombit si dhe duke nderuar ditën e Çlirimit të vendit, kryesocialisti Rama sulmon kreun e shtetit, duke e akuzuar se më 28 nëntor braktisi kryeqytetin e Flamurit, për të rendur pas partisë të cilës i takon. “Ju jeni përgjegjës për një zhvillim negativ të paprecedentë në historinë e institucionit që jeni ngarkuar të përfaqësoni pa i pasur, për fat të keq, jo vetëm meritat po as cilësitë e nevojshme. Në ditën e bekuar të 100- vjetorit të Pavarësisë, ju treguat se e vetmja atdhedashuri e mundur për ju është partishmëria. Dhe jo një herë po dy! Herën e parë, ju fyet kryeqytetin e Pavarësisë, duke i kthyer Vlorës kurrizin dhe duke rendur drejt Tiranës pas kryetarit të partisë suaj. Protokolli i këtij shteti që ka barrën t’ju mbajë mbi krye, e përcakton qartë se ju duhet të ofronit në Vlorë drekën zyrtare – siç kanë bërë tradicionalisht të gjithë paraardhësit tuaj, të cilët edhe në drekën e djeshme ishin në krah të kryebashkiakut të Vlorës në respekt të traditës e të protokollit. Por ju e shpërfillët Protokollin e Shtetit dhe ikët nga Vlora pa e kryer detyrën tuaj si President i Republikës, si për të treguar në fakt se vendi i kreut të shtetit në Shqipëri ka mbetur bosh”,- thuhet në deklaratën e shpërndarë për media të kreut të PS-së. Numri 1 i socialistëve thekson në reagimin e tij se kreu i shtetit theu protokollin në pritjen zyrtare të mbrëmjes së 28 Nëntorit, duke i dhënë fjalën kryeministrit të vendit, njëherësh kreu i PD-së. “Por ju s’e bëtë as detyrën e mikpritësit dhe as atë të kreut të shtetit të të gjithë shqiptarëve, i latë të ftuarit t’ju prisnin më shumë se një orë në këmbë, pa patur as kujdesin t’u paraqisnit paraprakisht përmes protokollit tuaj një ndjesë të thjeshtë formale, me një arsye çfarëdo për vonesën. Pastaj e shkelët fare kur i’a latë foltoren ekskluzive të kreut të shtetit shqiptar një zotërie pa lidhje, ose më saktë një të huaji që ka lidhje vetëm me Partinë Demokratike. Ky shpërdorim i paprecedentë i foltores së kreut të shtetit për recitime të miqve të huaj të partisë suaj, ishte si shpallje publike ceremoniale e dorëzimit të institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë në duart e partisë në pushtet,- thekson Rama. “Ju dje zoti Nishani na dhatë formalisht provën e drejtësisë së vendimit tonë, për të mos ju votuar si President të Republikës për shkak se ishit dhe mbeteni tërësisht i papërshtatshëm për detyrën e lartë. Fakti që ju s’jeni në gjendje të silleni si kryetar i këtij shteti as për qoka, flet vetë se ç’mund të presin nga ju Shqipëria dhe shqiptarët në përmbushje të nevojës alarmante për shtet, për kushtetutshmëri e ligjshmëri, për institucione të pavarura e për zgjedhje të lira e të ndershme. Me keqardhje, kryetari i Partisë Socialiste”, përfundon Rama.

PDIU përkujton dëshmorët e atdheut

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përkujtoi dje të gjithë dëshmorët që kanë dhënë jetën e tyre për çlirimin e atdheut nga pushtuesit fashist e nazist, si një homazh që i bëhet burrave dhe grave të kombit që nuk nguruan të japin edhe jetën e tyre për të mirën e kombit. Lufta antifashiste është një luftë heroike që e rreshtoi Shqipërinë në anën e drejtë të historisë, pavarësisht pse më vonë, u përdor nga politika për vendosjen e diktaturës dhe për ricopëtimin e trojeve shqiptare. Çlirimi i Atdheut është një akt histori.

 AK, Spahiu: Dëshmorët nuk u flijuan që të pasurohej Sali Berisha

Në vijim të nismës për bashkimin e Shqiptarëve të shpallur ditën e pardjeshme më 28 Nëntor në Morinë, kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, shprehu  nga varrezat “Dëshmorët e Kombit” nderimet e tij për heronjtë e kombit tonë të cilët luftuan për Shqipërinë e Bashkuar, Shqipërinë Etnike. KuqeZinjtë do të çojnë përpara ëndrrën e të parëve përmes një referendumi popullor që do të kërkojë bashkimin në një shtet të vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Në fjalën e tij, Spahiu theksoi se historia ka treguar se gjaku i dëshmorëve është keqpërdorur shpesh nga regjimet totalitare, ndërkohë që dëshmorët luftuan për identitet kombëtar, për lirinë e Shqipërisë sonë. Spahiu kritikoi ashpër shtetasin Berisha, i cili në jo pak raste deformoi historinë e Shqiptarëve. Dëshmorët nuk u flijuan që të pasurohej Sali Berisha. Sot, në përkujtim të të rënëve për Atdhe, është detyrë e kuqezinjve të çojnë përpara ëndrrën shekullore dhe aspiratën e Shqiptarëve për bashkim kombëtar

 29 Nëntori, Berisha: Me ligj është festë, por unë s’ndjek programin e Presidentit

Kryeministri Sali Berisha, i cili kreu një ditë më parë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve u shpreh dje se, ligji njeh datën 29 si Ditën e Çlirimit të Shqipërisë, porse ai ka axhendë ndryshe. Në konferencën për shtyp me Kryeministrin slloven, Berisha i pyetur se a ndan të njëjtin mendim me Presidentin Nishani mbi Datën e Çlirimit të Shqipërisë tha: “E vërteta është se me ligj ashtu është. Por unë kam një axhendë ndryshe nga Presidenti që është kryetar shteti. Kryeministri është njëkohësisht kryetar i një partie dhe ka një program të asaj partie, së cilës i përmbahet”.

 Elbasan-Librazhd, festohet 29 Nëntori, vlerësohen aktet e heronjve

Paraditen e së enjtes edhe në qytetin e Elbasanit është kujtuar 29 Nëntori. Në ceremoni ka marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili në fjalën e tij ka shprehur mirënjohje dhe nderime për të gjithë ata patriotë që luftuan për çlirimin e atdheut. Në këtë ceremoni të organizuar me rastin e 29 Nëntorit mori pjesë dhe kryetari i shoqatës së veteranëve të rrethit të Elbasanit, Fatmir Sinani, i cili theksoi se çlirimi i vendit për herë të parë fitoi një liri të vërtetë. “Kjo liri nuk dhurohet por fitohet ashtu siç e fitoi dhe vendi ynë pavarësisht nga lakmia e popujve të tjerë për ta përçmuar. Por ne jemi popull që nuk trembemi nga kundërshtarët dhe ku kemi luftuar gjithmonë kemi fituar me heronjtë tanë”, tha Sinani. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe familjarë e atyre që dhuruan jetën për çlirimin e atdheut tonë. Por 29 Nëntori është përkujtuar dhe në qytetin e Librazhdit, ku Kryetari Bashkisë, Shefki Çota, por dhe nga drejtues të institucioneve të tjera të këtij qyteti kanë bërë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve dhe kanë vendosur kurora me lule në varret e heronjve të qytetit. / Era Çela

 Durrës, homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve në Ditën e Çlirimit

Në Durrës është kremtuar Dita e Çlirimit të vendit nga okupatorët nazifashistë, 29 Nëntori. Kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, qindra veteranë, deputetë të PS të Durrësit, përfaqësues të pushtetit vendor, dhe shumë qytetarë durrsakë kanë bërë homazhe për të rënët dhe kanë vendosur kurora me lule në Mauzoleumin e Dëshmorëve. Të gjithë të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit dhe veteranët kanë sjellë në vëmendje kujtimet e tyre për këta njerëz që dhanë jetën e tyre për liri. Kryebashkiaku Dako u shpreh se në 29 Nëntor gjithë, Durrësi dhe vendi ynë kujton dhe nderon ata që e deshën aq shumë këtë vend sa dhanë jetën e tyre për të. Durrësi është në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, sepse ishte pikërisht qyteti bregdetar, ku filloi historia e luftës nacionalçlirimtare në 7 prill 1939. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Pikërisht në 7 prill në Durrës ranë dëshmorët e parë siç ishte “Heroi i popullit”, Mujo Ulqinaku dhe bashkëluftëtarë të tij të flijuar në mbrojtje të trojeve tona.