Shakaxhinjtë dhe hallexhinjtë bisedojnë online

600
Sigal

Nga postimet në rrjetet sociale

 Nazmi Bitri

Më kujtohet dikur një ish kryetar i gjuetareve të Dibrës: mbante 5 zagarë gjuetie dhe, sapo i ndërsente, ata lehnin edhe në qytet pa gjah. Kështu është sot me liderët (Gjahtarë) që ndërsejnë zagarët e tyre me i marrë mendjen këtij populli që akoma beson tek Partitë! Dhe jep votën ky popull duke firmosur me votën e vetë: Vdekjen e tij. Se po votojmë zagarët që na shkruajnë në letra liderët dhe jo njerëzit e vërtetë. A duhet vetëm maxhoritari dhe kush i trembet atij? Liderët.

Servet Nezha

Dhe sa vite do vazhdojë kështu? Gushti në Shqipëri është me të vërtetë” SUPER”. Të duket sikur në këtë muaj po zgjohen nga gjumi i gjatë edhe ata, që ato qytete i banojnë përditë. Qytetet të mbipopulluara, sidomos me rininë që u japin rrugëve, parqeve, detit, malit atë bukurinë si vetë rinia. Në Gusht, në bregdet në çfarëdo qyteti të Shqipërisë nga Saranda në Velipojë të duket sikur je në Rio të Brazilit. Mahnitëse. Në gusht shohin dritën edhe shtëpitë, në gusht edhe kripa të duket si sheqer, në gusht flasin shqip edhe ata që e kanë “harruar”. Në gusht dalin si në mostra edhe vashat, ndërsa çunat krekosen si gjelat nëpër sokakë. Në gusht, edhe kur të shajnë, e merr për kompliment. Në gusht, edhe pse disa mund të bezdisen nga trafiku, prapëseprapë të tërë qeshin. Bisedojnë me zë të lartë. Qeshin pleqtë se takojnë fëmijët, nipërit, qeshin dyqanxhinjtë e hotelxhinjtë, por të duket sikur qesh edhe deti, mali edhe fushat bashkë. Në gusht të duket sikur flasin edhe varrezat, sikur këndojnë edhe kafshët. Në gusht mbush barkun edhe fukarai. Në gusht dasmë e ka edhe shteti, se paguan me lekë gjithë kjo farë mileti. Në çdo 100 metra në mbrëmje ndihet muzika e atmosfera e dasmave që sjell vetëm gëzime, kënaqësi si në asnjë vend tjetër të Ballkanit e më gjerë. Ndërsa në shtator fillon melankolia për ata që banojnë, ndërsa për ata që ikin fillon nostalgjia. URIMI im është që si gushti të jetë edhe qershori- korriku, dhjetori dhe t’i shohim kështu në jetë të jetëve. Gusht e paçim përherë!

Ardi Stefa

Kur në Greqi thërrisnin: “Grek lind, nuk bëhesh, o shqiptar, o shqiptar”- i quaja racistë. Tani që them: “Qytetar lind dhe nuk bëhesh, o fshatar, o fshatar!”, çfarë jam? Racist apo realist?

Majlinda Bregu

… Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare edhe sot mbetet një amanet i papërmbushur. Sa herë kemi çuar ligjin e Lustracionit në parlament, nuk është votuar Meqë maxhoranca sot nuk ka asnjë problem me numrat për të votuar “reforma të ndritshme”, le të fillojë këtë sesion parlamentar si Aleanca e Shqipërisë Europiane, duke votuar Ligjin e Lustracionit …

Zef Bushati

Sa qesharake! PD kërkon Ligjin e Lustracionit të kalojë në Parlament në seancën e parë Parlamentare në Shtator. O zot! PD e fitoi pushtetin më 22 Mars 1992 si një forcë politike antikomuniste. PD -ja “nuk pati mundësi” që të hapte dosjet gjatë 5 viteve në pushtet deri në Qershor 1997. Pse?! Kush e pengoi !? PS gjatë kësaj periudhe në opozitë i kërkonte PD-së hapjen e dosjeve. Paradoksale! Në Qershor 1997 fiton zgjedhjet PS. Tani i erdhi radha PD-së në opozitë t’i kërkojë PS-së në pushtet hapjen e dosjeve të ish- bashkëpunëtorëve të sigurimit. PS përgatiti një projektligj, e kaloi në parlament, por “nuk arriti dot ta miratonte”. Ju vjen për të qeshur?Ju me mirë qani se ju qetëson më shumë. PS për 8 vite në pushtet nuk e miratoi Ligjin e Lustracionit. Në vitin 2005 rikthehet PD në pushtet dhe PS del në opozitë. Tani përsëri radhën e ka PS për të kërkuar hapjen e dosjeve. Komedia vazhdon. Edhe pse në Maj 2007 Këshilli i Europës kërkoi Ligjin e Lustracionit, nuk arriti asgjë. PD nga viti 2005 e deri në vitin 2013, pra 8 vite rresht në maxhorancë “nuk e miratoi dot” Ligjin e Lustracionit. Vitet ikin dhe vjen rotacioni. PS fiton zgjedhjet në 2013-tën. Pa mbushur mirë 1 vit në pushtet PD-ja në opozitë kërkon nga PS miratimin e ligjit të Lustracionit, hapjen e dosjeve. Konformistë.

Kastriot Islami

Të dashur miq, duke lexuar një fjalim të F. Nolit të 27 shtator 1923, në parlamentin shqiptar, m’u krijua bindja se 100 vjet është kohë shumë e shkurtër…Gjërat shumë pak kanë ndryshuar, të paktën përsa i përket mentalitetit…Dhe fatkeqësisht kjo ndodh e thellohet edhe në këto 23 vjet demokraci….Veçanërisht e në mënyrë të organizuar në periudhën e “Rilindjes” së Ramës… Na ngjau me Ramën siç i ka ngjarë një konti me Nastradinin gjerman Til Ulenshpigel. Ky Nastradin i veriut kishte marrë përsipër me një shpërblim të lartë e të parapaguar të stoliste me piktura kështjellën e një konti. Këtë punë do ta mbaronte brenda katër vjetëve, por me konditën që në këtë periudhë asnjë njeri tjetër nuk do të hynte brenda në kështjellë që t’i prishte qetësinë. Katër vjet me radhë Til Uleshpigeli ndenji në kështjellë ku hante e pinte e bënte qejf mbi kurrizin e kontit pa bërë asgjë. Kur u mbarua afati, ftoi kontin, konteshën dhe miqtë e tyre të vinin të admironin pikturat dhe dekoret e tij. Që të shpëtojë e të ikë para se të zbulohet lodra e tij mejtoi këtë lojë: Kur hynë konti dhe kontesha e miqtë e tyre në kështjellë, i paralajmëroi kështu: “Ata dhe ato prej jush që janë doçë e doçe nuk do t’i pëlqejnë pikturat e dekoratat që kam bërë”. Kështu hynë brenda në kështjellë dhe cilido përpiqej të lëvdonte pikturat e dekoret nga frika që mos quhej doç. Vetëm një shërbëtore, pasi u përpoq më kot t’i shijonte pikturat e dekoret thirri: “Ndjesë pastë nëna ime, më ka bërë doçe, mua nuk më pëlqejnë as pikturat dhe as dekoret”. Po gjersa të guxonin të thoshin dhe të tjerët të njëjtën gjë, Nastradini gjerman kishte fluturuar e kishte vajtur gjetkë për të dekoruar të tjera kështjella. Shqiptare dhe shqiptarë, kështu e mori përsipër edhe Rama ta rilindte Shqipërinë dhe kështu ia mbushi kokën shqiptarëve dhe parlamentit me profkat e mashtrimet e tij… Po këtë punë gjysmë perëndie dhe tiranie e rrëmbeu dhe e mban në thonjtë e tij Edi Rama, një shakaxhi i turbullt, i cili mbi të pesë anarkitë që ekzistonin shtoi dhe dy anarki të tjera: anarkinë shtetërore dhe anarkinë ekonomike e financiare. Shakaxhiu vazhdon të mbetet në fuqi, i ndihmuar prej këtyre anarkive dhe i përkrahur prej shokëve militantë, të cilët s’duan ta njohin e ta ndreqin lajthitjen fillestare që bënë kur e vunë në krye të punës. Shakaxhiu, duke parë që shokët mërziten, e ndryshon nga koha në kohë shakanë, dhe kabineti e partizanët e tij flenë rehat gjersa shohin që shakaja bëhet më e keqe dita me ditën…Mbetet e mbetet ne pushtet Rama, i rrethuar prej kolltukofagësh dhe i qarkuar në shpellën e tij prej mizërie hafijesh e dallkaukësh; mbetet ky shakaxhi që pretendon oksidentalizëm e liberalizëm, kur ushqen në zemër të tij idealet më të errëta të orientit; kur shkel liritë e popullit dhe shkatërron arkën e shtetit për të arrirë qëllimet e tij personale. Ne deputetët e opozitës jemi të shtrënguar ta ndalojmë këtë shaka. Me çfarëdo mënyre. Ndryshe kjo do të jetë shakaja e fundme e Shqipërisë.