Servet Muka: Berat, si i prodhonte ish-uzina, bateritë e nëndetëseve shqiptare

1631
Sigal

Flet specialisti i kimisë, Servet Muka: “Nga avujt e plumbit, 80 ish-punëtorë sot lëngojnë nga sëmundjet në gjak”

Parulla “mbështetje te forcat tona”, bëri që në Berat krahas ndërtimit të veprave industriale të ndërtohej edhe Uzina e Baterive. Me ndërtimin e saj u zgjidhën shumë probleme… Gjithçka nisi në vitin 1980, kur lindi nevoja për prodhimin e baterive të ndryshme dhe pikërisht për flotën detare dhe në veçanti të nëndetëseve që ishin në bazën e Pasha Limanit. Thirrja e qeverisë së asaj kohe që të prodhoheshin urgjentisht bateritë e nëndetëseve erdhi, sepse në shtetet, ku merreshin këto bateri nuk po i jepeshin më Shqipërisë. Menjëherë, fill pas kësaj u ndërtua në Berat Uzina e Baterive. U ndërtua aty për arsye se disa lëndë kimike do të merreshin nga Kombinati Ushtarak i Poliçanit. Fillimisht u ndërtuan repartet speciale dhe u specializuan punëtorët në Tiranë. Më pas filloi puna dhe punëtorët në një kohë të shkurtër arritën të prodhonin baterinë e para për nëndetëset, të cilat kushtonin shumë nëse do të bliheshin jashtë vendit. Ky ishte një sukses i madh për qeverinë e asaj kohe dhe për gjithë ekonominë shqiptare që do të kursente shumë nga blerja e baterive, pasi lënda e parë do të vinte nga Poliçani.

Veprimtaria

Uzina e Baterive u ndërtua midis grykës së malit të Duhanasit në Berat dhe lagjes “Uznovë”. Drejtori i saj ka qenë inxhinieri Aleko Aleksi. Gradualisht prodhimi i baterive filloi në seri, ku përveç baterive të nëndetëseve filluan të prodhoheshin bateritë e tankeve dhe makinerive të tjera. Në uzinë u punësuan rreth 500 punëtorë dhe specialistë, të cilat punonin për prodhimin e baterive. Sipas statistikave mësohet se, kjo uzinë përveç, plotësimin të nevojave me bateri brenda vendit, filloi që të eksportonte dhe në shtete të tjera dhe në veçanti në shtetet e lindjes. Sipas specialistëve, bëhet e ditur se, uzina punonte me ritëm të lart dhe me rregull, për arsye se nga vetë përbërja e saj të gjitha repartet punonin me lëndë kimike dhe plumb, të cilat ishin shumë të rrezikshme për jetën e punonjësve. Punëtorët që punonin me plumb për përgatitjen e baterive trajtoheshin me ushqime të veçanta dhe shteti kujdesej për shëndetin e tyre. Punëtorëve u kryheshin analizat njëherë në muaj dhe shtroheshin në spital për të kuruar plumbin që kishte depërtuar në gjak. Në këto vite repartet ishin me sistem pastrimi, ku filtroheshin avujt e plumbit, që çliroheshin gjatë punës. Filtrimi ishte shumë i rëndësishëm për shëndetin e punëtorëve, të cilët punonin direkt me avujt e plumbit në vaska me solucion.

Specialisti

Ish-specialist Roland Ceca shprehet se, procesi i punës ishte i vështirë. “Ne përballeshim çdo ditë me avujt e plumbit. Por në të njëjtën kohë ne kishim një shërbim shëndetësor të mirë, ku kryenim analizat dhe kuroheshim. Edhe pse kryheshin këto shërbime ne ishim të prekur nga plumbi, i cili shërbente për mbushjen e baterive. Sot vuajnë pasojat 80 ish-punëtorët e uzinës”.

Pas viteve ‘90

Ish-Uzina e Baterive ka vazhduar punën rregullisht deri në vitet ‘90, por pas këtyre viteve një pjesë e saj u shkatërrua dhe një pjesë u vodh. Banorët që u turrën drejt saj nuk e dinin që po vidhnin vdekjen. Aktualisht, uzinës nuk i kanë mbetur gjë tjetër veçse themelet. Të gjitha mbetjet e plumbit ngelën në sipërfaqen e tokës. Zona, ku u ndërtua Uzina e Baterive nuk u rehabilitua në vitet e demokracisë dhe ashtu siç ishte në të u vendosën banorët e zonave periferike, të cilët ndërtuan banesat e tyre në territorin, e kësaj ish-uzine. Ata nuk e dinin rrezikun që i kanosej. Banorët zaptuan tokat dhe i mbollën me produkte bujqësore dhe pemëtari. Toka që ata jetojnë sot është e infektuar nga plumbi dhe lëndë kimike të tjera, të cilat shërbenin për prodhimin e baterive. Banorët kanë shpuar puset për ujë të pijshëm, por specialistët e kimisë shprehen se, rrezet e plumbit veprojnë rreth 2 kilometër kështu që e gjitha zona e lagjes “Uznovë” është e infektuar nga plumbi. Kjo është bërë e ditur dhe nga matjet që kanë bërë dhe specialistët e mjedisit të bashkisë edhe vetë drejtuesit e bashkisë janë të shqetësuar për gjendjen aktuale në këtë zonë, por janë të pa fuqishëm për të vepruar për rehabilitimin e kësaj zone nga plumbi. Mjekët shprehen se pasojat janë të mëdha në organizmin e njerëzve dhe në veçanti të atyre punëtorëve që kanë punuar direkt në prodhim e baterive dhe që sot janë jashtë të gjitha kujdeseve shëndetësore. Një pjesë e tyre vuajnë pasojat të mëdha një pjesë e tyre kanë gjetur vdekjen gjatë kohës pasi dhe nuk kanë marrë kurimet e mjaftueshëm. Gjithashtu, grat shtatzëna në zonën e Uznovës janë të rrezikuara pasi fëmijët mund të dalin me pasoja. Disa herë kanë mbërritur në zonën e infektuar në Uznovë shoqate apo fondacione të ndryshme për arritjen e rehabilitimit, por sa bëjnë matjet, premtojnë dhe nuk duken më,- janë shprehur disa banorë në lagjen “Uznovë”. Specialistët shprehen se në stinën e dimrit lëndët helmuese shpërndahen nëpërmjet ujërave të shirave dhe më pas përfundojnë dhe në shtratin e lumit Osum, këtu plumbi shkakton dhe një rrezik tjetër që është akoma më i madh.

Gratë që punuan në ish-uzinën e baterive nuk lindën kurrë fëmijë

Specialisti i kimisë, i cili vuan nga pasojat e plumbit, Servet Muka, 67 vjeç, shprehet se, numri i personave që lëngojnë është i lartë. “Kur punonim në uzinë shteti i asaj kohe na trajtonte në mënyrë perfekte nga ana shëndetësore. Por me shkatërrimin e uzinës ne mbetëm rrugëve dhe askush nuk mendon për ne. Ne, nuk kemi as lekë që të blejmë ilaçet”, tha Muka. Gjithashtu, specialisti i kimisë shprehet se, “organizmi i këtyre punëtorëve që kanë punuar në këtë uzinë është i infektuar. Ata e kanë marrë plumbin në gjak si nga avujt dhe nga vetë rrezet vepruese që depërtojnë nga përbërja e plumbit. Sëmundjet e plumbit janë shumë të rrezikshme dhe kanceroze. Madje, shumë gra që kanë punuar në këtë uzinë nuk kanë mundur të lindin edhe fëmijë. Por sëmundjen tonë e nënvlerësoi demokracia”, u shpreh Servet Muka.