Sekuestrohen 170 kg drogë dhe 37 kg tritol në Pukë

304
Policia e Shkodrës ka dhënë detaje të reja në lidhje me operacionin e zhvilluar ditën e sotme në Pukë.
Blutë e Shkodrës bëjnë me dije se pas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, se në Lagjen Bibaj, të fshatit Dom, të Njësisë Administrative Gjegjan, në një banesë të pa banuar mund të kishte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, kanë ushtruar kontroll të menjëhershëm në këtë banesë.
Në banesën e vëllezërve P. K, Gj. K, P. K, P. K., të cilët nuk banojnë më në këtë banesë e as në këtë fshat, gjatë kontrollit nga shërbimet e policisë, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 170 kilogramë lëndë narkotike në formën e boçes, e futur në 11 thasë dhe në një fuçi plastike, si dhe dy thasë të mbushur me 46 kallëpe tritol 800 gramë secili, me peshë totale rreth 37 kilogramë tritol.
Mësohet se lënda narkotike dhe lënda eksplozive u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Sektorit për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të veprimeve të para, kanë bërë shpalljen në kërkim të katër vëllezërve, si pronarë të ligjshëm të banesës.
Po ashtu, policia sqaron se në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për të vërtetuar implikimin ose jo të pronarëve të banesës të shpallur tashmë në kërkim nga ana e Policisë.