Sekserët e shëndetësisë/ Manastirliu zbraz buxhetin dhe mbush xhepat e kartelit të oligarkëve farmaceutik me 2.4 mld lekë në 2 tendera pa garë

122
Sigal

Ndërkohë kushtet mjerane të spitaleve shtetërore detyrojnë të sëmurët me zemër t’i drejtohen privatit për t’u kuruar

 

Nuk kanë qenë të pakta rastet kur të sëmurët me zemër në vendin tonë drejtohen në spitalet private. Pasi spitalet publike nuk ofrojnë shërbim në kushtet e duhura të stentës që parandalon arterien të mos bllokohet sërish.

Ministrja e Shëndetësisë ka ndërtuar kartelin e kompanive të favorizuara, që ndajnë paratë e tenderëve. Ato fitojnë, edhe kur shkelin ligjin e konkurrencës apo nuk plotësojnë dot kriteret. Rasti më i fundit janë tenderë, të cilët kapin vlerën 1.4 miliardë lekë. Bëhet fjalë për dy lote me objekt të njëjtë “Stenta të medikuara”. Në dokumente evidentohet se për lotin 6 janë vënë në dispozicion 103. 707. 450,00 lekë dhe për lotin 7 do të shpenzohen 137. 192. 300,00 lekë. Në total, janë në lojë rreth 1.4 miliardë lekë për stenta të medikuara.

Sipas shpjegimit mjekësor “Stenta është një gyp i rrjetëzuar që përdoret për të trajtuar arteriet e ngushta ose të dobëta. Stenta vendoset brenda një arterie si pjesë e një procedure të quajtur angioplasti. Disa stenta mbështillen me ilaçe që lëshohen ngadalë vazhdimisht brenda arteries. Këto stenta njihen edhe si stenta ilaç-lëshuese. Medikamentet që lëshohen gradualisht nga stenta parandalojnë arterien të mos bllokohet sërish”.

Duket qartë që këto lloj pajisjesh janë të domosdoshme, por interesi i Manastirliut është se ku do të shkojnë paratë, jo tek shërbimi.

Përmendim këtu se nuk kanë qenë të pakta rastet kur të sëmurët me zemër në vendin tonë drejtohen në spitalet private. Pasi spitalet publike nuk ofrojnë shërbim në kushtet e duhura. Ndërkohë, përveç vlerës së lartë, në këto kontrata vërehet edhe abuzimi me rregulloren.

Tek të dy prokurimet kanë paraqitur ofertë 5 kompani, të njëjtat për të dyja garat. Dhe në të dy rastet, Manastirliu ka skualufikuar të gjitha kompanitë dhe ka lënë në garë vetëm bashkimin e operatorëve O.E.S DISTRIMED sh.p.k & Montal sh.p.k. Dy kompanitë farmaceutike janë të njohura për abuzimet me tenderët në sektorin e shëndetësisë, ku në çdo rast paraqesin oferta më të shtrenjta. Sipas “Open Data Albania” të dy tenderët janë mbyllur pa garë dhe kompanitë fituese janë favorizuar nga autoriteti kontraktor në shkelje të ligjit për konkurrencën. Pra, për riskun e abuzimit janë klasifikuar si kontrata me “Red Flag”.

Firmat monopol numërojnë 20 miliardë lekë tenderë në 3 vitet e fundit. Për llogari të saj janë mbi 1 mijë transaksione nga Thesari i Shtetit.

Mungesa e konkurrencës

Në shumë raste, edhe nga Autoriteti i Konkurrencës janë evidentuar shkelje të ligjit nga kompanitë farmaceutike në vend. Por, në fakt është vetë Manastirliu që krijon privilegje për këto kompani: imponon pushtetin e një grushti biznesmenësh. Dy firmat e sipërpërmendura janë pjesë e këtij rrethi, që ndajnë mes tyre paratë e tenderëve, sidomos në periudhën 2017-2022. Firma “O.E.S DISTRIMED” në pronësi të  Orjada Jaho dhe Ermal Rizaj numëron 20 miliarda lekë tenderë në 3 vitet e fundit. Për llogari të saj janë mbi 1 mijë transaksione nga Thesari i Shtetit.

Kujtojmë se në janar 2020, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mbylli tenderin “Loti 1 Materiale për Trajtim Vaskular Kirurgjikal”, me fond limit rreth 500 mijë euro bashkë me TVSH.

Konkretisht, në vitin 2020 tenderi për blerje stentash fitohet nga “OES Distrimed”.

– Në dhjetor 2019, QSUT shpall kompaninë ‘OES Distrimed” fituese të tenderit “Blerje materiale mjekimi stapler për QSUT”. Me fond limit mbi 650 mijë euro bashkë me TVSH.

– Në gusht 2019, QSUT shpall kompania ‘OES Distrimed” fituese në tenderin “Loti 3-Pacemaker me antibiotik”, me fond limit rreth 100 mijë euro bashkë me TVSH.

– Po në gusht 2019, ‘OES Distrimed” shpallet fituese e tenderit “Loti 7 – Transcatheter aortic valve implantation / Kompleksi i materialeve per stente valvulare aortal (TAVI)”. Me fond limit rreth 200 mijë euro bashkë me TVSH.

– Në korrik 2019, Ministria e Shëndetësisë shpall kompaninë “OES Distrimed” fituese të tenderit “Blerje materiale konsumi për shërbimin e Hemodinamikës së QSUT, me fond limit rreth 500 mijë euro bashkë me TVSH.

– Në gusht 2018, QSUT shpall kompaninë ‘OES Distrimed” fituese të tenderit “Blerje materiale mjekesore Stapler ne QSUT”, me fond limit mbi 300 mijë euro me TVSH.

– Në qershor 2018, Ministria e Shëndetësisë shpall kompaninë “OES Distrimed” në tenderin Lot. 3 Blerje ballona, kateter guide dhe gida angioplastike”, me fond limit total prej rreth 500 mijë euro me TVSH

– Po në qershor 2018, Manastirliu shpall kompaninë “OES Distrimed” fituese në tenderin “Loti 7, Blerje stenta të medikuara”, me fond limit rreth 400 mijë euro me TVSH.

Miliardat

Kompania tjetër që ka fituar në këto dy tenderë të Manastirliut është Montal sh.p.k, në pronësi të Skënder Lufit. Ky i fundit njihet mjaft mirë në përfitimin e kontratave të Shëndetësisë, sidomos për miliardat që merr vetëm për pajisjen me skanera të spitaleve dhe mirëmbajtjen e tyre.

Në fillim të këtij viti, Gijotina  denoncoi tenderin ku përfshihet mirëmbajtja e dy skanerave nga kompania Montal shpk në pronësi të Skënder Lufit. Sepse para dy vjetësh Ministria e Shëndetësisë programoi blerjen e një skaneri që do realizohej në vitin 2020. Por procesi u stërzgjat nga ankesat e kompanive pjesëmarrëse në garë.

Blerja e skanerit me vlerë 1.17 milionë euro pa TVSH, iu besua në gusht 2020 kompanisë Montal shpk.

Por dy kompanitë e tjera në garë Health &Light shpk dhe BNT Electronics shpk bënë ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik në korrik të vitit 2020. Ankesa klishte objekt modifikimin e kritereve teknike nga Ministria e Shëndetësisë, pasi favorizonin kompaninë fituese Montal shpk. Por, sërish Manastirliu ka vazhduar me planet e saj për Montal shpk.

Gjithashtu nga të dhënat e siguruara evidentohet se në dy vitet e fundit Montal Shpk ka përfituar mbi 10 miliardë lekë. Duke marrë mbi 1 mijë transaksione të bërë nga Thesari i Shtetit. Në tabelën më poshtë duket qartë që pjesa më e madhe i janë falur .Gijotina

 

1.5 mln euro për një kompani, Spitali i Traumës përzgjedh të njëjtin fitues dy herë pa garë

Spitali Ushtarak ka zhvilluar së fundi dy tendera me vlerë 1.5 milionë euro, me procedurë të dyshimtë. Përveçse procedurat janë zhvilluar pa garë, në të dy rastet është kualifikuar fituese e njëjta kompani. Tenderët pa garë duket se janë kthyer në një metodë e zakonshme për institucionet. Spitali Universitar i Traumës, në dy prokurimet e ka shpallur fituesin pa konkurrim duke kualifikuar të njëjtën kompani. Për dy prokurimet, institucioni që drejtohet nga Edlira Bode, do të shpenzojë në total 175 milionë lekë, ose rreth 1.5 milionë euro. Konkretisht, loti i parë për blerjen e materialeve të mjekimit për shërbimin e neurokirurgjisë kap vlerën e 1.3 milionë euro. Në këtë tender ka marrë pjesë vetëm subjekti “O.E.S DISTRIMED”, e cila është shpallur dhe fituese pa garë. Kompania ka kërkuar sa 99.7% të vlerës së tenderit për të blerë materialet për 2 vite që nga nënshkrimi i kontratës. Edhe në lotin e dytë për blerjen e materialeve për shërbimin e kirurgjisë maxilofaciale, ka marrë pjesë sërish vetëm kompania “O.E.S DISTRIMED”, e cila është shpallur sërish fituese. Vlera e tenderit është 181 mijë euro, ndërsa kompania fituese në këtë tender ka kërkuar sa 99.9% të vlerës së tenderit për të blerë materialet për 2 vite që nga nënshkrimi i kontratës. Dy prokurimet nuk janë rasti i vetëm që zhvillohen me procedura të dyshimta, pasi në datën 25 Ministria e Shëndetësisë shpalli 4 tendera me vlerë 5.4 milionë euro dhe fituese ishte vetëm një kompani.