Sejko zhvilloi një takim zyrtar me Ambasadoren Greke, sistemi bankar shqiptar i shëndetshëm

507
Sigal

Guvernatori i Bankës së
Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim zyrtar me Ambasadoren e Republikës
së Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani. Duke e njohur me zhvillimet financiare në
vend, Sejko nënvizoi se sistemi bankar shqiptar është i kapitalizuar, likuid
dhe financiarisht i shëndetshëm.

Ai u shpreh se
institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë i angazhuar në përmbushjen e
misionit të tij, për qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin
financiar të vendit. Biseda u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe në fushën
ekonomike, ku Guvernatori Sejko theksoi se Greqia përbën një partner tregtar të
rëndësishëm për Shqipërinë dhe bizneset greke kanë një traditë në Shqipëri të
lidhur me sektorin bankar.

Më tej, Guvernatori
Sejko e njohu Ambasadoren e Republikës së Greqisë në Tiranë, me rolin që luajnë
bankat shqiptare me kapital grek në sistemin financiar shqiptar dhe shtoi se
aktualisht, ato gëzojnë gjendje të shëndoshë financiare, likuiditeti dhe
kapitalizimi.

Guvernatori Sejko
siguroi Ambasadoren se Banka e Shqipërisë do të ofrojë mbështetje të plotë për
sistemin bankar shqiptar, përfshirë dhe bankat shqiptare me kapital grek, në
mënyrë që në të ardhmen e afërt ato të kthehen përsëri në parametrat historikë
në lidhje me kreditimin e ekonomisë.

Nga ana e saj, Sourani,
u shpreh se Greqia ka kaluar një periudhë të vështirë, por pritshmëritë për të
ardhmen janë për një përmirësim të situatës ekonomike.

Ajo vlerësoi rolin e
rëndësishëm të bankave shqiptare me kapital grek, duke nënvizuar se Greqia ka
qenë vazhdimisht për vite me radhë investitori i parë i huaj në Shqipëri, si
dhe një faktor nxitës i ekonomisë së vendit.

Greqia ka qenë një
mbështetëse e fortë e përpjekjeve të Shqipërisë për të krijuar një mjedis të
shëndetshëm biznesi, për të tërhequr investime të huaja të mëtejshme, për të
forcuar rritjen ekonomike të vendit dhe se ajo mbështet Shqipërinë në rrugën e
saj të anëtarësimit evropian.