Sejdo Harka: Prof. Dr. Foto Toti, pionieri i implantologjisë dhe ‘’Mjeshtër i Madh’’ i stomatologjisë shqiptare

255
Sigal

Nga Sejdo Harka

Pas një sëmundjeje të rëndë, masditen e 28 nëntorit, ndërroi jetë një nga njerëzit më të njohur të mjekësisë dhe veçanërisht të stomatologjisë shqiptare, prof, dr. dhe Mjeshtër i Madh, Foto Toti.

Sa shumë rende, aq shpejt na ike, o i miri dhe i papërsëritshmi, miku dhe shoku ynë i shtrenjtë! Rrallë gjen njerëz të tillë si Ti, ku të harmonizohen kaq bukur, horizonti kulturor i spikatur me virtytin e thjeshtësinë, pasioni për punën e shkencën me mësimdhënësin e drejtuesin model, komunikuesi i ngrohtë me njeriun dinjitoz, korrekt, human dhe bamirës modest.

Ishin këto veti të rralla të Prof. dr. Foto Toti që na bënin të bashkoheshim rreth tavolinës së kafes së mëngjesit, ku ndizeshin bisedat e ngrohta dhe humori, bashkë me shumë shokë e miq të tjerë të tij, që vinin nga të katër anët, pa lënë askënd të fuste dorën në xhep. Të shkruash për harkun e jetës dhe veprimtarisë së tij shumëplanëshe, ndoshta duhen faqe të tëra, por në pamundësi për t’i shprehur të gjitha, po ndalemi me pak fjalë për t’i treguar lexuesit të gjerë se, kush ishte‘’Mjeshtër i Madh’’ Foto Toti.

Ai u lind në një familje të thjeshtë atdhetare, në fshatin Labovë të Zhapës, më 2 mars të vitit 1937, ku mori dhe arsimin fillor. Shkollën 7-vjeçare e kreu në qytetin e Gjirokastrës, në shkollën ‘’Koto Hoxhi”. Në vitet 1952-55 ai studioi në Politeknikumin Mjekësor të Tiranës për ndihmës mjek, dentist. Pas përfundimit me rezultate të larta të kësaj shkolle, emërohet ndihmës mjek në Klinikën Dentare të Durrësit. Pas një viti transferohet në Kavajë, ku punoi përgjegjës i Klinikës Dentare të këtij qyteti. Atje pati rastin të punonte me dy mjekë të moshuar, por shumë të aftë që, siç tregonte dhe vetë, nga që me ta nuk u soll si përgjegjës, ata i dhuruan sekretet e zanatit të dentistit. Në vitin 1957 shkoi për studime në Gjermaninë Lindore. Pas prishjes së marrdhënieve me këtë vend, ai si dhe shumë studentë të tjerë, u kthye në Shqipëri i tronditur, për të vazhduar studimet e larta për stomatologji, të cilat i mbaroi me rezultate të larta në vitin 1963. Sapo i përfundoi studimet, u emërua mjek stomatolog në Tropojë, ku punoi me pasion deri në vitin 1967. Në këtë vend të largët, por tepër mikpritës ai, së bashku me laburantët Ali Mula dhe Hasan Alia, rindërtuan klinikën dhe e pajisën atë me aparaturat dhe medikamentet e domosdoshme. Ndërsa në bashkëpunim me mjekët e përgjithshëm dhe kirurgun, në kohën kur ai bënte edhe punën e anastezistit, edhe pse në kushte të vështira ambulante, kanë kryer dhe trakeotomi. Ngaqë u miqësua shumë me malësorët tropojanë, mbeti mik i përhershëm me ta. Në vitin 1967 trasferohet në Tiranë, ku punoi për 2 vjet, si mjek në Klinikën Qendrore të Tiranës. Krahas punës së përditshme, ai aktivizohet edhe si pedagog i jashtëm për degën e stomatologjisë, në Fakultetin e Mjekësisë. Në vitin 1969 emërohet pedagog definitiv në këtë fakultet, ku punoi pa u ndarë deri sa doli në pension, në vitin 2003. Në vitin 1975 emërohet shef i Katedrës së Ortopedisë Stomatologjike. Krahas punës së tij si pedagog, ku ai spikati me metodat mësimdhënëse moderne, ai u shqua edhe si drejtues i katedrës, dhe veçanërisht për punën intensive në fushën studimore shkencore. Foto Toti përgatiti, botoi dhe referoi, brenda dhe jashtë vendit rreth 200 artikuj e kumtesa shkencore, udhëhoqi 9 doktorata, shkroi dhe botoi 20 monografi dhe tekste shkollore universitare dhe është bashkëautor i një fjalori shumëgjuhësh për stomatologjinë. Ai është ideues dhe organizator i 13 konferencave shkencore mjekësore. Një kontribut të veçantë ka dhënë prof. dr.Foto Toti edhe në fushën e shkencës aplikative të dentarisë. Ai ka eksperimentuar dhe prodhuar plastmaset elastike, brenda dhe jashtë gojore, të cilat patën një përdorim të gjerë në epitezat e fytyrës, epitezat gingivare, protezat kirurgjikale, obturatorët etj. Eksperimentoi dhe aplikoi me sukses, për herë të parë në Shqipëri, përgatitjen dhe zbatimin e implanteve metalike, që për kohën ishte një arritje e madhe për shkencën e stomatologjisë shqiptare. Në vitin 1990, në bashkëpunim me drejtorin e Klinikës Stomatologjike Universitare, prof.dr. Fejzi Keraj, realizoi rinovimin dhe pajisjen e labratorit të kësaj klinike me aparatura moderrne të kohës, me të cilat u realizuan punime cilësore si: ura të derdhura, pacialet e skeletuara, shinat metalike në paradontopati etj.

Prof. Dr F.Toti ka spikatur edhe në punën për kualifikimin dhe specializimin e mëtejshëm të mjekëve. Nga që në vitin 1968, në Katedrën e Ortopedisë nuk kishte mjekë specialistë, ministria e shëndetësisë së asaj kohe, pajisi me një çertifikatë të veçantë specializimi dr. Foto Totin dhe disa pedagogë të tjerë, për ta kryer këtë proces të vështirë, por të domosdoshëm. Me punën e tyre të përgjegjshme u arrit që të kompletohen të gjitha rrethet me mjekët e specializuar përkatës të ortopedisë dhe të ortodontisë. Mjeshtëri i Madh, Foto Toti, ka qenë për vite me radhë anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Mjekësisë, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Stomatologëve të Shqipërisë dhe kryeredaktor i revistës ‘’Stomatologjia Shqiptare’’. Ai, edhe pasi doli në pension, deri vonë, nuk iu nda procesit të mësimdhënies. Me përkushtim dha kontributin e tij për themelimin e universitetit mjekësor privat ’’Medikadent’’, ku punoi disa vite me radhë si pedagog dhe dekan. Për punë të mirë dhe arritje të larta studimore shkencore, ai është vlerësuar me shumë çertifikata e mirënjohje nga institucionet vendase dhe të huaja. Por vlerësimet më të larta ai i mori me disa Medalje, Urdhëra dhe dekorata të larta si: Medalja e Punës (1974), Urdhëri’’Naim Frashëri’’( 1981) dhe ‘’Urdhëri ‘’Për shërbim të mirë ndaj popullit’’ etj.

Figura e spikatur e Foto Totit, u shfaq që kur ishte nxënës në Politeknikumin Mjekësor të Tiranës. Në kohën kur ai kishte shkuar për pushime në vendlindjen e tij në Labovë, papritur dëgjoi se Urani Llogo, një bashkëfshatare e tij, po jepte shpirt nga goditja e vetëtimës. Për të shpëtuar jetën e saj, ai rendi me shpejtësinë e erës dhe me guximin e vendosmërinë për të shpëtuar një jetë njeriu, edhe pse në atë kohë ishte vetëm një nxënës mjekësie, që ëndërronte të bëhej mjek i mirë. Pasi lufta e tij me vdekjen që i kanosej një njeriu triumfoi, gazeta ‘’Zëri i rinisë’’e gusht të vitit 1955, shkruante me shkronja kapitale se, nxënësi mjekësisë Foto Toti ‘’Nën shembullin e më të mirëve, shpëtoi një jetë njeriu’’. Ishin këto fjalë të ngrohta të shtypit të ditës të asaj kohe, -tregon Prof.Foto Toti në kujtimet e tij, që më bënë, jo vetëm ta dashuroja punën e mjekut, por dhe të mos kurseja asgjë për ruajtjen e shëndetit dhe të jetës së njerëzve. Koha rrodhi dhe ai u bë vërtet një ‘’Mjeshtër i Madh’’ i mjekësisë shqiptare, me shumë luftë, përpjekje e sakrifica, me netë të tëra pa gjumë, duke menduar për studentët, për metodat e mësimdhënies, për cilësinë e leksioneve, për eksperimentet e temat studimore shkencore, për pacientët etj. Është kjo arsyeja që kolegët dhe mjekët më të zëshëm të mjekësisë shqiptare kanë thënë fjalët më të mira për prof.dr. Foto Totin. Kështu, prof.dr. Flamur Tartari, duke folur për veprimtarinë e tij shumëplanëshe, mes të tjerave thotë:’’Foto Toti është një nga stomatologët më të zëshëm të vendit tonë. Ai i dha një zhvillim të madh bashkëkohor stomatologjisë dhe gjithë mjekësisë tonë shqiptare. Ndërsa prof. Fejzo Keraj, duke shprehur mirënjohjen dhe respektin ndaj tij, thekson:’’Ishte prof.dr.Foto Toti ai, që na mësoi si të punojmë e drejtojmë dhe të pasurojmë më tej kurrikulat mësimore universitare’’. Prof. Nazmi Koçi e ka quajtur Foto Totin , me kohë, mjeshtër të madh të stomatologjisë dhe organizator të talentuar në shkollë e terren dhe një autoritet të padiskutueshëm. Mendimi i tij, për shumë probleme të dentarisë shqiptare, ka qënë përfundimtar dhe shterues. Një vlerësim të veçantë i bën figurës së mjekut të talentuar Foto Toti, Prof.dr. Hektor Çoçoli, i cili mes të tjerash thekson se, ai dha një kontribut të madh për zhvillimin e stomatologjisë edhe në vendet rurale të Shqipërisë, siç është Tropoja. Prof.asc.Dorjan Hysi , thotë se, Foto Toti e meriton urdhërin e lartë ’’Mjeshtër i Madh’’, jo vetëm si pionier i implatologjisë, por dhe për profesionalizmin e tij të lartë. Ai është, pa dyshim, një ndër figurat më të zëshme, që bën emër në historinë e stomatologjisë shqiptare. Kurse ish-studenti, prof. Gafur Shtino, duke folur me dashuri dhe respekt të rrallë për ish-pedagogun e tij prof. dr. Foto Totin, mes të tjerash thekson: ‘’Në atë kohë, kur e njoha, ishte djalë i ri, i shkathët, energjik, komunikues dhe i dashur me studentët, kolegët dhe personelin e Klinikës Stomatologjike Universitare. Njerëz të tillë si Ai, i cili, sot, me të drejtë quhet ‘’babai i implatologjisë shqiptare’’, janë krenari për shërbimin tonë shëndetësor. Ndaj duhet, jo vetëm të nderohen e të vlerësohen, por shembulli dhe përvoja e tij duhet të shfrytëzohet nga brezat e rinj’’. Foto Toti, thonë kolegët e tij më të afërt ishte, jo vetëm si njeri, por dhe si mjek i rrallë. Dhe kjo është më se e vërtetë.

Ai fitoi, me punë këmbëngulëse dy herë titullin ‘’doktor i shkencave mjekësore’’. Kishte vite që gëzone titullin e lartë ‘’Mjeshtër i Madh’’ dhe urdhërin’’Hipokrati’’, që është një vlerësim i lartë ndërkombëtar. Prof.F.Toti ishte i pari që krijoi klinikën dentare private në vendin tonë, të cilën, më vonë e zgjeroi dhe e pajisi me teknologjinë dhe mjetet më moderrne të kohës.

Një pasion tjetër, që ai e mbajti të fshehur që nga vegjëlia, ka qënë dhe mbetet letërsia, publicistika dhe krijimtaria artistike, e cila i u zgjua më shumë, veçanrisht vitet e fundit. Janë të shumta shkrimet që ka shkruar për figura të shquara të mjekësisë shqiptare dhe për figura me vlera kombëtare si Vangjel Zhapa, që mban titullin e lartë ‘’Nderi i Kombit’’. Ai ka shkruar edhe libra për vendlindjen e tij Labovën, për fisin Toti dhe për shkollën  dhe arsimtarët e fshatit, që me punën e tyre e ruajtën të gjallë gjuhën e bukur shqipe dhe atdhetarinë. Një nga librat e tij më të bukura që ka lënë është ‘’Harku i kujtimeve’’, në të cilin ai fiksoi kujtimet e tij për t’ia u përçuar brezave të ardhshëm. Për zgjimin e prirjes për të shkruar, Foto Toti i është mirënjohës Dritero Agollit, për të cilin, në kujtimet e tij tregon:’’Për herë të parë e kam njohur në rrethin letrar të qytetit të Gjirokastrës, kur ai ishte gjimnazist i ‘’Asim Zenelit’’, ndërsa unë nxënës i 7-vjeçares’’Koto Hoxhi’’. Kur ai vinte në këtë rreth letrar, jo vetëm na mrekullonte me interpertimet e bukura të autorëve vendas e të huaj, por edhe na nxiste e mësonte si të shkruanim bukur. Për herë të dytë, vazhdon Foto Toti, Dritëroin e takova në vitin 2004, kur erdhi në klinikën time, për të rregulluar dhëmbët. Sapo mbaruam punë më tha:’’Mendoj se dhëmbët janë proletarjati më i shfrytëzuar, por çudia më e madhe është se për këta dhembë kujtohemi vetëm kur na dhembin, ose kur i humbim’’. Në shënimet për librin e F.Totit për shkollën dhe arsimtarët e fshatit Dritëroi, mes të tjerave shkruan:’’Në çdo fshat, thotë Viktor Hygoi, ka një dritë. Përfytëroni ç’dritë është bërë në Labovë kur ai ka patur 150 kandilë (mësues) të ndezur. Po këta kandilë do të vazhdojnë të qëndrojnë të ndezur se pati një bir si Foto Toti, që i bëri të pavdekshëm, në librin e tij, me një gjuhë të bukur’’. Shkrimtari Visar Zhiti, në shënimet për librat e F.Totit për vendlindjen, mes të tjerave thekson: ’’Po të shkruanin të gjithë si Foto Toti për fshatin dhe qytetin e tyre, ne do të kishim enciklopedinë e madhe të kujtesës së kombit’’. Ndërsa miku dhe bashkëfshatari i tij, poeti i rrallë Arben Duka, në poezinë e tij ‘’Pas do të lëmë një emër’’, i drejtohet me vargjet: ‘’Dhe kur të mos jemi/ do jemi të gjallë/ o i shtrenjti Foto/ burrë, o burrë i rrallë’’! Dhe vërtet , gjallë mes të gjallëve do të mbetesh përjetë, o i paharruari Foto Toti. Ti do të jetosh me krijimtarinë, botën e librave dhe në zemrat e atyre që i deshe dhe të donin shumë!