“Sejdinët” e Elbasanit, nga mësues fshati bëhen “të parët e fshatit” me biznese e pasuri “mal”

1375
“Kryebeu” i Sejdinëve që ka në dorë pushtetin e krejt Elbasanit, si bashki që përmbledh edhe pjesën më të madhe të rrethit, duket se e ka respektuar dhe e ka zbatuar ligjin për transparencën e pasurive që disponon, duke deklaruar shtëpitë, trojet, tokat, vilat, zyrat, llogaritë bankare, pagat mujore, vendet e punës, të ardhurat mujore e vjetore dhe bizneset që zotërojnë e gëzojnë gjithë “sejdinët” që janë pjesë e çertifikatës së trungut familjar të kryebashkiakut 66 vjeçar Qazim Ali Sejdini, i cili po konsumon mandatin e tij të tretë në krye të këtij kolltuku. Nuk e kemi fjalën për aftësitë e tij drejtuese, as për zotësitë, mjeshtëritë, marifetet dhe “qokat” që ka përdorur “fituar” 3 herë postin e kryebashkiakut qysh prej zgjedhjeve lokale të muajit shkurt të vitit 2007, në gjithë atë Elbasan me mbi 500 personalitete të spikatur e të nivelit europian të qytetarisë, shkencës, arsimit e kulturës. Këto janë puën të “Lal Qazimit”! Qytetarët e Elbasanit dhe krejt shqiptarët që janë me bordero shteti e që “u dridhet dora” për të blerë edhe bukën e përditshme, por veçanërisht socialistët elbasanas që kanë besuar e kanë votuar “qorrazi” në rresht “Qazon” si mëshirues të idealit dhe modelit të partisë” e që janë rrugëve pa punë prej partisë së “Lal Qazimit”, duan të dinë se si i ka vendosur këto pasuri pas zgjedhjes në krye të bashkisë, ditën kur ishte si shumë të tjerë, duke pirë kafe “me listë” tek kioskat rrotull “Hamamit”! Me ç’të ardhura financiare i bleu gjithë ato vila, zyra, troje, toka, apartamente banimi, makina etj? Me çfarë të ardhurash i hapi gjithë ato biznese që posedon familjarisht? Si i zhvillon ato biznese në raport me tatimet, sigurimet shoqërore e shëndetësore, me doganat, me detyrimet fiskale, me deklarimin e të ardhurave e bilanceve? Drejtësia duhet të ndalet e të bëjë “rikonicion” të plotë e të imët në “malin” e pasurive të “Sejdinëve” të Elbasanit, të cilët nga mësues fshati, brenda 9 vitesh janë kthyer në “bejlerët e fshatit”! Ka një fakt: Kryebashkiaku i Elbasanit, pas marrjes së detyrës si kryebashkiak, vite gjatë të cilëve i ka shtuar pasuritë, nuk i ka deklaruar të gjitha ato, por vetëm ca “thërrime”, madje për t’u dukur i ndershëm e transparent, në deklarimin e vitit 2013-2014 ka deklaruar si të ardhura edhe pensionin mujor të nënës së tij të nderuar! Kjo fshehje, sipas zërave që qarkullojnë në Elbasan, ndoshta ka ndodhur prej faktit që ai e “ka pasur dhe e ka mirë” me ata të ILDKP, prej të cilëve nuk i është dërguar asnjë “copë pusullë” për fshehje pasurie! Çuditërisht së fundi, siç duket i detyruar prej ndonjë “lajmi” të marrë shoqërisht nga prokuroria apo sektori i anti-krimit ekonomik të policisë lokale e SHISH, apo prej ndonjë “sinjali ortakësh” të dhënë nga individë brenda kupolës së PS në Tiranë, kryebashkiaku i Elbasanit ka bërë deklarim pasurie. Por jo duke deklaruar gjithë pasuritë e llogaritë që ka realisht ai dhe familjarët e tij, të cilët jetojnë në “Qilimin Fluturues”! “Qilarin” që nuk e tregoi të plotë Qazoja, ia zbuloi dhe ia bëri publik media, natyrisht me presion ndaj ILDKP e cila nuk jepte asnjë të dhënë për kryebashkiakun e Elbasanit, ndoshta për shkak të “miqësive e punëve të vjetra” të bëra me të deri para pak vitesh, me vulën e bashkisë së Elbasanit. 
Elbasani qyteti ku Qazoja ka lindur, por Shqipëria vendi ka ka pasuri
Pasuritë e tij nuk janë vendosur e nuk gjenden vetëm në Elbasan, por edhe në zona të tjera të Shqipërisë, ose më saktë kudo ku “Lal Qazimi” i Elbasanit ka mundur të “kap” diçka që i shtonte “bereqetin”. Sipas medias dhe deklaratës së pasurive që ai ka firmosur, të zbardhur tashmë e të bërë të njohur prej elbasanllinjve që e kanë votuar për 3 mandate radhazi, pasuritë ndodhen në jug të vendit dhe kryesisht në Fier. Në këtë qytet, “Sejdinët” kanë një vilë me sipërfaqe 478 m2 dhe me vlerë 350 milionë lekë (sa 12 banesa sociale). Kanë një banesë me sipërfaqe 120 m2 me vlerë 100 milionë lekë, kanë një magazinë me sipërfaqe 840 m2 me vlerë 250 milionë lekë, kanë 2 zyra të mëdha me vlerë totale 86 milionë lekë. E po kështu, kanë në Vlorë një banesë me sipërfaqe 130 m2 e me vlerë 63 milionë lekë dhe një banesë me sipërfaqe 102 m2. Vetë Sejdini i madh, ka 3 makina në pronësi me vlerë 50 milion lekë. Kryebashkiaku Sejdini personalisht dhe “dinastia Sejdini” së bashku, kanë edhe shumë pasuri të tjera të deklaruara e të pa deklaruara, që mendojmë se duhen zbardhur në mos nga Qazimi i pushtetit, nga… hetimi i shtetit! Mjafton lista me pasuritë që deklaron se disponon, të vendosura (sipas tij) me pagat që marrin, me bizneset me humbje e me fitim që kanë, me 2, 3 e 10 punësimet dhe punët që kryejnë familjarët e tij nëpër institucione shtetërore, institute private, shoqata e fondacione, mendojmë se shërbejnë si lëndë e parë për të mbushur dosjen e hetimore që ka nisur nga “Ujori”!
Vijon
———————–
Ja çfarë pasurie fizike e financiare familjare, deklarojnë “Sejdinët”
1. Të ardhura nga paga dhe shpërblimet si kryetar Bashkie, 1 329 109 lekë
2. Të ardhura si anëtar i Këshillit të Qarkut 128 700 lekë.
3. Pronar me 100% i dy veturave në vlerën 1 900 000 lekë. 
4. Pronar me 100% i një veture në vlerën 22 000 euro.Bashkëshortja, të ardhura nga aksionet në kompaninë UJORI shpk, 18 022 471 lekë.
5. Pronar me 100% i një shtëpie banimi me sip. 478 m2, në Fier, në vlerën 35 000 000lekë. 
Pronar me 100% i një shtëpie banimi me sip. 120 m2 në Fier, përfituar me trashëgimi, në vlerën 10 070 000 lekë. 
Pronar me 100% i një shtëpie banimi me sip. 130 m2, në Vlorë, në vlerën 6 370000 lekë. 
Pronar me 100% i një ambienti zyre me sip. 60 m2, në Fier, në vlerën 5 200 000lekë. 
Pronar me 100% i një ambienti zyre me sip. 34.5 m2, në Fier, në vlerën 3 400 000lekë. 
Pronar me 100% i një magazine me sip. 840 m2, në Fier, në vlerën 25 400 000lekë.
6. Kredi bankare për blerje pasuri marrë në bankë të nivelit të dytë me principal 12 000 000 lekë dhe afat maturimi 10 vjet.
7. Overdraft për biznes marrë në bankë të nivelit të dytë me principal 15 000 000 lekë.
Garanci pranë shoqëri sigurimesh në vlerën 70 000 000 lekë për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
8. Bashkëshortja zonja Xhuljana Sejdini pronare me 100% e shoqërisë UJORI shpk me kapital 100 000 lekë.
9. Të ardhura nga qiraja e pronës së bashkëshortes, e trashëguar nga babai, 840 000 lekë.
10. Bashkëshortja, paga në kompaninë UJORI shpk, 305 759 lekë.
11. Bashkëshortja, të ardhura nga pensioni 269 932 lekë.
12. Bashkëshortja, të ardhura nga bono thesari e riinvestuar në vitin 2014, 36 765 lekë.
Djali Atjon, të ardhura nga paga në ISKSH, 657 537 lekë.
13. Djali Ation, të ardhura nga aktiviteti si person fizik, Club Alsion, radio lokale, 161 495 lekë.
14. Djali Ation, të ardhura nga bono thesari e riinvestuar në 2014, 31 916 lekë.
15. Vajza Ina, të ardhura nga paga si nëpunëse dhe pedagoge në Univesitetin e Elbasanit, 691 575 lekë.
16. Vajza Imelda, të ardhura nga punësimi, veprimtari akademike dhe mbështetëse për institucionin, si punonjëse në Universitetin e Elbasanit 1 706 802 leke.
17. Vajza Imelda, të ardhura nga paga si konsulente pranë një kompanie private sigurimesh, 510 000 lekë.
18. Vajza Imelda, të ardhura nga investimi në një fond pensionesh, 60 455 lekë.
19. Bashkëshortja e djalit, të ardhura nga paga për periudhën nentor dhjetor 2014, 31 724 lekë.
20. Bashkëshortja e djalit, të ardhura nga raportet e barrëlindjes, 387 739 lekë.
21. Humbje nga aktiviteti i bashkëshortes së djalit, si administratore e AID shpk, bashkëpronësi 50 %, 7168 lekë.
22. Humbje nga aktiviteti i djalit si person fizik, Club Alsion, radio lokale, 88 717 lekë.
23. Bashkëpronësi e një njësie me sip. 3.4 m2, e blerë më 21.10.2014, 88 400 lekë.
24. Kredi në bankë të nivelit të dytë me vlerë detyrimi financiar të pashlyer 5 334 317 lekë , e marrë në datën 22.11.2013 me principal 5.8 milionë lekë, afat shlyerje 10 vjet, interes bazë 6.3 %.
25. Kredi në bankë të nivelit të dytë me vlerë detyrimi financiar të pashlyer 7 544 722 lekë , e marrë në datën 22.11.2013 me principal 8.2 milionë lekë, afat shlyerje 10 vjet, interes bazë 6.4 %.
26. Bashkëshortja, bono thesari e riinvestuar në vitin 2014, 1 000 000 lekë.
27. Bashkëshortja, detyrim i papaguar komunës Shushicë në vlerën 7 100 lekë/vit, për truall, tokë bujqësore me destinacion ullishte, sipas kushtit për pagim një herë në vit.
28. Djali Ation, bono thesari e riinvestuar në vitin 2014, 1 000 000 lekë.
29. Djali Ation, humbje nga aktiviteti si person fizik, Club Alsion, radio lokale 88 717 lekë.
30. Vajza Imelda, bono thesari e riinvestuar në vitin 2014, 1 100 000 lekë.
31. Vajza Imelda, pakësim depozite me 760 455 lekë të derdhur në një fond investimesh në një bankë të nivelit të dytë.
32. Vajza Imelda, fond pensioni, 30 000 lekë.
33. Vajza Imelda, kredi në bankë të nivelit të dytë me vlerë 761 200 lekë.
34. Vajza Imelda, kredi në bankë të nivelit të dytë me vlerë detyrimi financiar të pashlyer 14 702 169 lekë lekë, e marrë me bashkëkredimarrës bashkëshortin Orel Mehja, në datën 31.03.2013 me principal 15 milionë lekë, afat shlyerje 16 vjet, interes variabël 8.5 %.
Sigal