Sarandë, zhvillohet Konferenca Kombëtare e Promovimin e Turizmit

545
Sigal

Për turizmin, vendet që lagen nga Joni dhe Adriatiku do të përfitojnë 20 miliardë lekë

Qarku i Vlorës ka zgjedhur qytetin e Sarandës për të zhvilluar ditën e mërkurë konferencën ndërkombëtare të promocionit të turizmit në rajonin dhe brigjet e lagura nga Deti Adriatik dhe Jon, atë territori që ky qark mbulon nën juridiksion, promocione të organizuara brenda projektit TPNM (Tourism Promotion to Nevv Markets) i financuar nga Bashkimi Europian. Në këtë projekt bashkëpunues përfshihen si partnerë Qarku i Vlorës, Qarku i Korfuzit dhe i Epirit. Kryetari i Qarkut të Vlorës, z. Anesti Dhimojani, foli para të pranishmëve, përfaqësues të zyrave turistike të njësive vendore të Sarandës dhe Korfuzit si dhe operatorë të ndryshëm turistik, për ecurinë dhe zhvillimet e këtij projekti ambicioz. Z. Dhimojani ka përmendur vendet e panaireve turistik, ku janë promovuar vlerat turistike të qarkut të Vlorës, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë kufijve shtetëror që nga Italia, Izraeli, Finlanda, Greqia, Kina e Japonia, dhe për fat të keq është vërejtur një mosnjohje e resurseve turistike të zonës së Jugut Shqiptar. Një përvojë e çmuar është ajo e Korfuzit, pasi ka shumë asete dhe ne kemi nevojë për aplikimin e praktikave të tyre. Qarku i Vlorës nga vetë pozicioni gjeografik, ku ndodhet, ka përparësi zhvillimin e turizmit dhe vetëm të turizmit, dhe këtu mbështetet edhe strategjia e Qarkut të Vlorës për zhvillimin e zonës dhe me këtë motivim ka shtuar edhe buxhetin në investime në këtë fushë. Janë rreth 20 miliardë lekë që do të përfitojnë vendet e lagura nga Joni dhe Adriatiku. Por me gjithë promovimin pozitiv, ka edhe problem si ai i mjedisit ku përgjegjësinë e kanë njësitë vendore. Ta mbajmë dhe mos ta shkatërrojmë këtë pasuri të vyer që na ka falur bujaria e natyrës, ka theksuar kreu i Qarkut të Vlorës, z.Nesti Dhimojani. Pas përshëndetjes që i ka dërguar konferencës kreu i Bashkisë së Korfuzit, ku midis të tjerash e konsideron projektin shumë të rëndësishëm, edhe në këtë periudhë krize të rëndë ekonomike, ka folur edhe kryetari i komunës së Lukovës, si një nga komunat përfituese nga ky projekt. Z. Vladimir Kumi ka nënvizuar se për komunën e Lukovës, kjo është një ngjarje dhe një mësim i mirë. Ne, në oqeanin e tregut të turizmit jemi një pike uji, ndaj është me interes thithja e përvojave që atë ç’ka kanë bërë të tjerët mirë, ta bëjmë edhe ne. Për më tepër, kjo lloj industrie jo vetëm fitimprurëse në drejtim të ekonomisë, por është edhe një marrëdhënie, shkëmbim përvojash, njohëse, të gjitha përvojat që ky lloj tregu përfshin brenda vetes. Vendi ynë është në fillimet e eksplorimit turistik dhe ka gërshetim kulturash në një vend kaq të ngushtë, por që ne duhet të jemi edhe vetvetja. Ideja e këtij projekti, që tanimë po shkon drejt përfundimit dhe po prezanton produktet, fillimisht është hedhur nga shoqata e turizmit shqiptar dhe mbledh nevojat dhe propozimet e biznesit të kësaj fushe. Qëllimi final është t’u jepet mundësia e promovimit në një portal të përbashkët, pasi deri më sot kanë portalet e tyre bashkitë, por nuk ka produktivitetin e duhur. Duhet të ekzistojë një portal promovues i mirëfilltë, por edhe biznesi i konferencave lë për të dëshiruar në vendin tonë. Para të pranishmëve janë shfaqur ekspozetë e takimeve të grupit të punës së projektit në vende të ndryshme të botës. Konferenca do të zhvillojë punimet më 13 dhe 14 mars 2014 në ishullin e Korfuzit.