Salih Tagani: “Tirana, me modelin e Milanit për moshat”

738
Sigal

 Administratori i 24 herë kampionëve: “Jemi në kontakte të avancuara me klubin italian”

 Administratori i Tiranës, Salih Tagani, zbuloi për “Telegraf” strategjinë e 24 herë kampionëve të Shqipërisë, për ta shndërruar atë të ngjashme me shoqëritë me të njohura në Europë, kjo vetëm në pikëpamjen e marketingut, por sidomos në prodhimin e lojtarëve. “Ne jemi në kontakte të avancuara me Akademinë e Moshave të Milanit, dhe shumë shpejt do të vijë në Tiranë edhe një prej specialistëve më të njohur të klubit italian, për të parë nga afër gjendjen dhe për të diskutuar gjerësisht në lidhje me implementimin e të njëjtës filozofi që punohet me moshat te Milani”. Tagani duhet të ndihet i privilegjuar teksa punon një zyrë komode të klubit më të titulluar në Shqipëri, e që më tepër i ngjan një muzeu. Trofe të fituar në kampionate, përfshirë dhe kupën e kampionatit të parë të zhvilluar në vendin tonë, në vitin 1930 e deri te i fundit i fituar nga bardheblutë, ai në sezonin 2008-2009, por dhe shumë prej trofeve të fituar në Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. E djeshmja ishte një ditë e veçantë për bardheblutë. Prezantim i blerjeve të reja gjatë merkatos dimërore: haitianin me pasaportë franceze Herbi Fortunat, Fatmir Hysenbelliu, Eleandro Pema dhe Dritan Xhuti, e shoqëruar edhe me dy lajme tjera të gëzueshme: renditja si skuadra më e mirë shqiptare e Shekullit XXI (nga Instituti Ndërkombëtar i Statistikave dhe Historisë në Futboll) dhe aprovimi në parim nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së për të diskutuar në lidhje me dy titujt e mohuar bardhebluve në vitin 1939 dhe 1942, kampionate këto të zhvilluara gjatë pushtimit fashist dhe që nuk njihen zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, por dhe nga FIFA dhe UEFA.

 – Zoti Tagani, Tirana prezantoi goditjet e saj në merkaton e janarit, katër lojtarë, ndërsa vlen të theksohet edhe rinovimi i Gilman Likës. Sa e plotësuar është skuadra, për të përballuar fazën e dytë dhe përmbushjen e objektivit?

 – Brenda të gjitha limiteve financiare të klubit, u munduam të godasim atje dhe ku kishte nevojë ekipi. Gjithsesi, do ta veçoj si shumë të rëndësishme për ne rinovimin me Gilman Likën. Largimi i tij do të na hapte një hendek në pozicionin e tij, ndërkohë që skuadra do të humbte një prej lojtarëve më të mirë. Lika njihet për profesionalizmin, por unë dua të çmoj dhe karakterin e tij burrëror. Na kishte dhënë fjalën dhe e mbajti, përkundrejt ofertave të tjera që iu bënë atij.

 – Çfarë do të veçonit nga blerjet e reja?

 – Për ne e rëndësishme është fakti se, plotësuam një boshllëk në sulm, atje dhe ku ka çaluar puna jonë. Morëm Herbi Fortunatin, një lojtar me eksperiencë dhe me përgatitje të lartë fizike dhe që e njeh mirë kampionatin shqiptar. Kjo ka rritur dhe konkurrencë në vijën e parë. Të rëndësishëm konsideroj dhe huazimin nga ekipi i Barit të Italisë, të 21-vjeçarit Fatmir Hysenbelliu. Eleandro Pema është një lojtar që ka luajtur brenda dhe jashtë vendit, i cili dikur ka qenë pjesë edhe Tiranës. Xhuti është një lojtar i ri dhe i perspektivës.

 – Tirana lufton vetëm në kampionat, pasi është e eliminuar nga Kupa. Sa e mundshme është Europa?

 – Skënderbeu është 11 pikë para nesh dhe dhjetë para Teutës, pra është favoriti kryesor për titullin kampion. Ne e konsiderojmë të mundshme, kjo dhe për vetëm pozicionin që mbyllëm fazën e parë. Jemi në vendin e tretë, por ne do të luftojmë të dalim nënkampionë dhe të zëmë një vend në kompeticionet europiane.

– Është folur shumë për “Tiranën B”. Si po ecën ky projekt?

 – Ishte një projekt i drejtuesit të Akademisë së Moshave të klubit, Krenar Alimehmeti. Është një ide shumë e mirë, të cilën e kam përkrahur. E shoh në të ardhmen, shumë frytdhënës. “Tirana B” mund të prodhojë lojtarë për ekipin e parë, por t’u japë mundësi të gjithë atyre që duan të afirmohen. Kjo mund ta na ulë edhe kostot e ekipit të parë. Ne do të investojmë seriozisht në infrastrukturë.

 – Shumë klube ballkanike, përgjithësisht kroate dhe serbe, por dhe tani malazeze, po nxjerrin fitime të konsiderueshme nga rritja dhe shitja më pas e talenteve të tyre. A mendoni se, dhe Tirana juaj mund të ecë në këtë linjë?

 – Sigurisht. Ne po mundohemi të krijojmë lidhjet e duhura me klubet të mëdha në Europë. Jemi në fazë të avancuar të kontakteve me Milanin, pra me Akademinë e Moshave. Drejtues me përvojë të Akademisë së Milanit do të na asistojnë, për të hedhur bazat për ngritjen e një simotre të ngjashme në Tiranë. Besoj se, shumë shpejt do të vijë në Tiranë, Fabio Viviani, një drejtues me shumë eksperiencë në futbollin e moshave të Milanit. Besoj se, ky bashkëpunim, që mund të ta përkthejmë edhe në ftesa në disa prej turneve që organizon Milani, atëherë të gjithë jemi të bindur se mund të përfitojmë shumë, për promovimin e lojtarëve të rinj, por dhe përfitimin.

– Federata Shqiptare i dha udhë diskutimit në lidhje me dy titujt e fituar nga Tirana gjatë kampionateve të zhvilluara në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, çka do ta çonte atë në kuotën e 26 trofeve. Si do ta vlerësonit?

 – Sigurisht, që është një lajm i shumëpritur dhe i gëzuar, jo vetëm për ne si drejtues të klubit, por dhe për tifozët tanë. Ai vitit 1942 ka qenë një kampionat Mbarëkombëtar, gjë që e synojmë ta bëjmë tani pas më shumë se 70 vjetësh. Njohja e atyre dy titujve është një gjë shumë e mirë, por ne do të synojmë edhe njohjen e titullit të mohuar padrejtësisht të sezonit 1966-1967. Me pak fjalë: dëshirojmë t’iu jepet haku atyre që kanë derdhur djersën në atë kohë.

 Tirana, më e mira e shekullit XXI

 Tirana është skuadra më e mirë shqiptare, është ky rezultati që ka nxjerrë Instituti i Historisë dhe Statistikave të Futbollit për periudhën 2001-2012, duke marrë në konsideratë pikët në kampionat dhe kupë, por pa harruar edhe ecurinë në kompeticionet europiane. Në rang botëror, Tirana renditet në vendin 172 me 716 pikë. Vllaznia renditet plot 89 pozicione më poshtë me 549.5 pikë, kurse Dinamo renditet në vendin e 313-të. Skënderbeu renditet në vendin e 585-të.

 Katër goditje në një ditë

 Në prani të administratorit të klubit bardheblu, 24 herë kampion i vendit, Salih Tagani, por edhe të trajnerit Alban Tafaj, janë prezantuar ardhjet e reja te 24 herë kampionët e vendit: Fatmir Hysenbelliu, Herbi Fortunat, Dario Xhuti dhe Eleandro Pema. Ndërkohë, konfirmohet edhe arritja e akordit dhe firmosja e kontratës së rinovimit edhe me Gilman Likën.

 Gilman Lika: “Jam shumë i lumtur që, rinova me Tiranën. Drejtuesit u treguan të gatshëm për të më mbajtur në gjirin e tyre. Tirana ishte zgjedhja ime e parë. Do të bëjmë të pamundurën  që të kapim Europën”.

 Fatmir Hysenbelliu: “Jam krenar që bëhem pjesë e Tiranës, skuadrës më të titulluar në Shqipëri. Po ashtu, ndihem i lumtur që do të luaj në vendin tim, Shqipëri. Në këtë eksperiencë të re nuk kam aq objektiva personalë se sa të skuadrës”.

 Herbi Fortunat – “Premtoj gola për Tiranën. Është ekipi më i madh në Shqipëri dhe këtë e tregojnë trofetë që ka fituar. Sa i takon këtij sezoni, ndoshta vendi i parë është i vështirë por vendin e dytë nuk duhet ta diskutojmë”.

 Eleandro Pema – “E vesh për herë të tretë fanellën bardheblu. Në dy herët e tjera jam shpallur kampion me bardheblutë, ndaj shpresoj të jem i suksesshëm edhe këtë herë. Besoj se, vendi i dytë është i arritshëm”.

  Agron Çela, presidenti “30 milionësh” i Vllaznisë

 Agron Çela është presidenti i ri i Vllaznisë. Këshilli Bashkiak i Shkodrës miratoi dje kalimin në bashkadministrim të shoqërisë aksionare “KF Vllaznia sh.a.”. Draft-marrëveshja parasheh ndarjen e kontributeve financiare për një vit kalendarik në masën 60% Çela dhe 40% Bashkia Shkodër, e përkthyer në shifra: 30 milionë biznesmeni dhe 20 milionë bashkia. Biznesmeni Çela duhet të derdhë 15 milionë lekë deri në qershor 2013, teksa pjesën e saj 10 milionë bashkia tashmë e ka kaluar. Po kështu, Këshilli Bashkiak ka miratuar edhe një fond 10 milionë lekësh për shlyerjen e borxheve të prapambetura të akumuluara nga KF Vllaznia sh.a. deri më 1 shkurt 2013, ditë kur zyrtarisht do të nisë bashkadministrimi biznes-bashki. Agron Çela ka qenë edhe më parë presidenti i Vllaznisë, pikërisht në periudhën 2003-2006.

 U-21, Gega thërret një “ushtri legjionarësh” kundër Maqedonisë

 Një Shqipëri U-21 e gjitha “legjionare” është ajo që do të përballet me Maqedoninë e asaj moshe, në miqësoren e 6 shkurtit, takim i programuar për t’u luajtur në stadiumin e qytetit të Laçit. Greqi, Belgjikë, Angli, Gjermani, Itali, Zvicër, Norvegji, Suedi, Portugali, Kosovë dhe Shqipëri: këto janë vendet nga vijnë 19 lojtarët e thirrur nga trajneri i Shpresave, Skënder Gega. Mbizotërojnë futbollistët kosovarë, teksa në gjirin e Kombëtares U-21 bëjnë pjesë edhe talentet e Juventusit (Elvis Kabashi), Bajer Leverkuzenit (Leart Paçarada), Anderlehtit (Amarildo Çekrezi) apo Olimpiakosit (Klodian Gino). I vetmi lojtar nga kampionati shqiptar është mesfushori i Besës së Kavajës, Idriz Batha. Disa prej të thirrurve do ta veshin për herë të parë fanellën e Shqipërisë, dhe midis tyre janë dhe dy lojtarë që luajnë në Angli: Valentin Gjokaj i Derbi Kountit dhe Andi Thanoi i Grimbsi Taunit. Trajneri Skënder Gega do ta ketë ekipin në dispozicion, nga data 3 shkurt, teksa do të grumbullohet në një nga hotelet e Durrësit. Shqipëria ka zhvilluar shpesh miqësore me Maqedoninë, si në vendin tonë, ashtu dhe në shtetin fqinjë, dhe në lojë kanë qenë të tria rezultatet. Për herë të fundit, dy skuadrat janë ndeshur, më 25 maj të vitit të kaluar, në miqësoren e luajtur në Austri në kuadrin e turneut “Four Nations”. Takimi përfundoi 2-2. Maqedonasit kaluan dy herë në avantazh me golat e tyre në minutat 5’ dhe 65’, por mesfushori i Varezes në Itali, Fabio Hoxha (24’), dhe mesfushori i Teutës së Durrësit, Albi Dosti (85’), fiksuan barazimin.

LISTA U-21

 PORTIERË

Orestis Menka – Levadhiakos, Greqi

Amarildo Çekrezi – Anderleht, Belgjikë

MBROJTËS

Agonit Sallaj – Biel-Bien, Zvicër

Valentin Gjokaj – Derbi, Angli

Gentian Duraku – VFR Nojmunster, Gjermani

Armir Rrahmani – FC Drenica, Kosovë

Kastriot Dermaku – Melfi, Itali

Leart Paçarada – Levekursen, Gjermani

MESFUSHORË

Shpend Matoshi – FC Kiaso, Zvicër

Andi Thanoj – Grimsbi Taun, Angli

Mërgim Bajraktari – FC Thun, Zvicër

Mërgim Brahimi – Grashopers, Zvicër

Gjelbrim Taipi – FK Shkëndija, Maqedoni

Klodian Gino – Olimpiakos, Greqi

Elvis Kabashi – Juventus, Itali

Erolin Shala – Old Grin Land, Norvegji

Idriz Batha – FK Besa Kavajë

SULMUES

Valon Ahmeti – Sud Tirol, Itali

Liridon Selmani – Hamstad, Suedi

Vasil Shkurtaj – CD Tondela, Portugali

Trajner: Skënder Gega

 “88”-shi Ujkani: “Te Kievo pas këshillës së Bogdanit!”

 Samir Ujkani u prezantua dje si futbollisti i ri i klubit të Serisë A, Kievos. Ish-numri 1 i Palermos pozoi me numrin 88. Ujkani tha se, nuk mendonte nëse do të ishte numri 1 apo jo i skuadrës, duke ja lënë trajnerit Korini zgjedhjen, por evidentoi faktin që kishte qenë Erjon Bogdani që e kishte shtyrë të ndërmerrte këtë hap. “Jam shumë i lumtur që jam këtu te Kievo. Erjon Bogdani, një miku im  i madh më ka folur shumë mirë për këtë klub dhe për qytetin e Veronës, ku ai ka qenë disa vite më parë. Më ka thënë që mua për Kievo përfaqëson një mundësi shumë të madhe për rritjen time si njeri, sikurse edhe në aspektin profesional”.