Rrokaj: Ja si vendosja e notës 6 (gjashtë) për pranimet në universitet ka rritur fiktivitetin në shkollën e mesme të lartë

616
Shezai Rrokaj
Në kohën kur po diskutohej Ligji i Arsimit të Lartë, pata deklaruar para Komisionit të Edukimit dhe Sportit se vënia e një note si prag për pranimet në Shkollat e larta mund të nxiste fiktivitetin në shkollën e mesme të lartë. 
Për të verifikuar këtë parashikim iu drejtova zyrtarisht MASR për të marrë disa të dhëna, të cilat na ndriçojnë për disa çështje të ngritura asokohe e në vijim. Me këtë rast dua të falënderoj punonjësit e administratës së MASR për korrektesën në dhënien e përgjigjes. Pyetjet qenë kryesisht për pragun e notës së pranimit, por më tej ndihmojnë edhe për të kuptuar disa problematika që, në këndvështrimin tonë, kërkojnë reflektim.
Të dhënat përfshijnë maturën e vitit 2015-të, kur nuk ishte vendosur nota 6 (gjashtë) si kriter dhe respektivisht maturat e 2016-s dhe 2017-s. 
Për të qenë korrektë me institucionin dhe me publikun në vijim po japim pyetjet dhe përgjigjet e marra:
Pyetja e parë: Sa është numri total i nxënësve që kanë mbaruar maturën shtetërore në vitin akademik 2014-2015, 2015-2016 dhe 2016-2017?
*Numri total i nxënësve që kanë mbaruar maturën shtetërore 2015 është 40863.
*Numri total i nxënësve që kanë mbaruar maturën shtetërore 2016 është 39269 .
*Numri total i nxënësve që kanë mbaruar maturën shtetërore 2017 është 37013.
Pyetja e dytë: Sa % e tyre kanë aplikuar për shkollën e lartë?
*Për vitin akademik 2015-2016 kanë aplikuar 31554 maturantë, me 77.2%
*Për vitin akademik 2016-2017 kanë aplikuar 27660 maturantë , me 70.4%
*Për vitin akademik 2017-2018 kanë aplikuar 25822 maturantë,me 69.7%
Pyetja e tretë: Sa % e tyre janë poshtë 6 dhe sa % e tyre janë poshtë 7?
*Numri i aplikantëve për vitin akademik 2015-2016, me mesatare më të vogël se 6 është 16% ndërsa me mesatare më të vogël se 7 është 21%
*Numri i aplikantëve për vitin akademik 2016-2017, me mesatare më të vogël se 6 është 12%ndërsa me mesatare më të vogël se 7 është 22%
*Numri i aplikantëve për vitin akademik 2017-2018, me mesatare më të vogël se 6 është 7.5% ndërsa me mesatare më të vogël se 7, është 25.8 %.
Pyetja e katërt: Sa ka qënë numri real i pranimeve në IAL –Publike dhe sa % në Privat?
*Numri i pranimeve për vitin akademik 2015-2016 në IAL-të Publike është 17571 me 74.3%, ndërsa në IAL-të Private është 6051, me 25.6 %
*Numri i pranimeve për vitin akademik 2016-2017 në IAL-të Publike është 18531, me 80.9%, ndërsa në IAL-të Private është 4355 ,me 19.1%
*Numri i pranimeve për vitin akademik 2017-2018 në IAL Publike është 18364 me 81.9% ndërsa në IAL-të Private është 4054,me 18.1%
Pyetja e pestë: Sa % e tyre kanë përfunduar arsimin e përgjithshëm dhe sa arsimin profesional?
*Numri total që kanë përfunduar Maturën 2015, arsimin e pergjithshëm është 36028, me 89.8% dhe arsimin profesional është 4076 është me 10.1%
*Numri total që kanë përfunduar Maturën 2016, arsimin e përgjithshëm është 3378, me 87.1% dhe arsimin profesional është 4980,me 12.8%
*Numri total që kanë përfunduar Maturën 2017, arsimin e përgjithshëm është 31838, me 87% dhe arsimin profesional 4736, me 12.9 %.
(Shënim: Në pyetjen 5 nuk përfshihen të dhënat për shkollat artistike)
Të dhënat e marra nga përgjigjet e mësipërme hedhin dritë mbi disa probleme të arsimit si:
Së pari, kanë mbaruar maturën: 
2015 – 40863 nxënës
​​​ 2016 – 39269 nxënës
​​​​ 2017 – 37013 nxënës
Pra, krahasimisht me maturën 2015 kemi 1594 nxënës më pak për 2016 dhe 2256 nxënës më pak për 2017.
Po të krahasojmë numrin e nxënësve në sistemin parauniversitar për vitin 2016, ku u regjistruan 536 mijë nxënës, me vitin 2017, ku u regjistruan 514 mijënxënës, ka një pakësim me 22 mijë nxënës, që do të thotë se për 12 vitet e shkollimit parauniversitar, pakësimi nga njëri vit shkollor te tjetri arrin rreth 2000 mijë nxënës më pak.
Ndër arsyet që ka dhënë MASR është pakësimi e lindjeve. Por mendojmë se një shkak po kaq i rëndësishëm është edhe braktisja e vendit prej prindërve që konsiderohen si popullsi aktive, dhe që përfshijnë këto grupmosha.
Së dyti, kanë aplikuar për shkollat e larta:
2015 – 31554 nxënës ose 77,2%
​​​ 2016 – 27660 nxënës ose 70,4%
​​​​ 2017 – 25882 nxënës ose 69,7%
​​​​ 
Prej këtyre të dhënave konstatohet se: 
Me vënien e pragut 6 (gjashtë) për pranimet në shkollat e larta numri i nxënësve që mbarojnë të mesmen, por nuk shkojnë në shkollën e lartë shkon nga 23% për vitin 2015 në 30% për vitet 2016 dhe 2017.
Kjo do të thotë se, si rezultat i vendosjes së notës 6 si dysheme për pranimet në shkollat e larta, rreth 7% më tepër e nxënësve lihen jashtë sistemit të shkollimit.
Së treti, a është rritur fiktiviteti për shkak të vënies së notës 6 si dysheme? Ja se çfarë tregojnë të dhënat për nxënësit me mesataren nën 6 . Nxënësit me notën nën 6 (gjashtë) prej vitit 2015, kur nota nuk ishte kriter, në vitet respektive 2016 dhe 2017, ka një ulje si vijon: 
​​​​​ 2015 – 16%
​​​ 2016 – 12%
​​​​ 2017 -7,5%
Kjo do të thotë se prej vitit 2015, për dy vitet kur kjo notë u vu si prag ka një pakësim të nxënësve poshtë mesatares 6 me gati 8%, ose 4% çdo vit. Me fjalë të tjera, është rritur fiktiviteti me 8%.
Ky fiktivitet është ka sjellë rritje gati 4% të nxënësve me mesataren nën 7, po t’u referohemi të dhënave nga matura 2016 në maturën 2017:
​​​​​ 2015 – 21%
​​​ 2016 – 22%
​​​​ 2017 – 25,8%
Së katërti, vendosja e pragut 6 (gjashtë) të mesatares ka sjellë këto ndryshime në shkollat e larta publike dhe shkollat e larta private: 
a. rritje të pranimeve në shkollat e larta publike: 
2015 – 74,3% ose 17751 nxënës
​​​ 2016 – 80,9 % ose 18531 nxënës
​​​​ 2017 – 81,9% ose 18364 nxënës
b. ulje të pranimeve në shkollat e larta private: 
2015 – 25,6% ose 6051 nxënës
​​​ 2016 – 19,1 % ose 4355 nxënës
​​​​ 2017 – 18,1% ose 4054nxënës
Së pesti, për arsimin e përgjithshëm dhe atë profesional të dhënat hedhin dritë për një problematikë mjaftë të debatuar lidhur me raportet midis tyre: 
a. arsim i përgjithshëm: 
​​​​2015 – 89,8 % ose 36028 nxënës
​ 2016 – 87,1 % ose 33781 nxënës
​​​2017 – 87% ose 31838 nxënës
b. arsim profesional:
​​​​2015 – 10,1% ose 4076 nxënës
​ 2016 – 12,8 %ose 4980 nxënës
​​​2017 – 12,9 % ose 4736 nxënës
Këto të dhëna tregojnë se megjithëse ka një rritje të vogël të numrit të nxënësve në arsimin profesional dhe ulje të numrit në arsimin e përgjithshëm, përsëri vërehet se raporti arsim i përgjithshëm/arsim profesional është shumë larg objektivave të Qeverisë po të kihet parasysh Strategjia e Arsimit Parauniversitar 2014-2020, ku theksohet se ky raport duhet të shkojë në 65% arsim i përgjithshëm 35% arsim profesional.
Sigal