Roth: Rruga drejt BE përballohet bashkë, PD të kthehet në Kuvend

517
Sigal

TIRANË – Për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian politika shqiptare duhet të bashkëpunojë, ndërsa opozita të kthehet e të zhvillojë debatin në parlament. Ky apel vjen nga ministri gjerman i Shtetit për Çështjet Europiane, Michael Roth në seminarin me temë “25 vjet nga rënia e Murit të Berlinit”. Nga Tirana, Roth ka vlerësuar hapat që ka hedhur Shqipëria me reformat, por sipas tij mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

“Këtë vit Shqipëria ka bërë një hap shumë të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit Europian. Se kur mund të vendoset për hapjen e bisedimeve për anëtarësim këtë nuk mund t’ua them sot fatkeqësisht. Vendimtar për nisjen e tyre është përparimi konkret i Shqipërisë në zbatimin e mëtejshëm të reformave, sidomos në fushën e shtetit ligjor. Këto reforma janë në fund të fundit në interesin e Shqipërisë, pra Shqipëria e ka vet në dorë që të përcaktojë tempin e procesit të përafrimit me BE-në. Në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, në sistemin gjyqësor janë bërë hapa përpara. Në çështjet e politikës së jashtme Shqipëria është një partner i besueshëm i BE. Por megjithatë reformat dhe hapat që ka bërë Shqipëria mbetet ende shumë punë për të bërë këtë e shpreh edhe progres-raporti i fundit, sidomos në sektorin e drejtësisë, në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe në reformimin e administratës publike. Këto janë projekte të mëdha, të cilat kanë nevojë për mbështetje të madhe, prandaj shpresoj që partitë politike në të ardhmen për zbatimin e reformave të bashkëpunojnë në mënyre konstruktive pasi qëllimi është i përbashkët anëtarësimi në BE. Punoni të gjithë sëbashku, dihet që një rrugë e vështirë mund të përballohet duke bashkuar forcat. Kur bëhet fjalë për të përcaktuar kursin e zhvillimit të vendit është e domosdoshme të bashkëpunohet në mënyre konstruktive dhe të ndershme me kundërshtarin politik, dhe debatet janë pjesë e jetës parlamentare dhe jo jashtë tij”,-deklaroi ministri gjerman.
 
Ministri Roth u ndal edhe tek çështja e vendeve të Ballkanit Perëndimor kur tha se Europa do të quhet e bashkuar, kur të integrohen edhe këto vende, por për ta bërë këtë, sipas Roth, duhet të shemben kufijtë në mendjet tona dhe të mos krijohen kufij të rinj.
 
“Për shkak të luftërave të përgjakshme vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë humbur më shumë se një dekadë në rrugën e tyre drejt BE-së. Por dera e BE mbetet e hapur në veçanti për Shqipërinë. Kush e kishte imagjinuar vite më parë që ministri i Jashtëm serb dhe homologu i tij kosovar do të ulëshin sëbashku në tryezën e debatit, pikërisht këtë e kemi përjetuar sivjet në datën 5 nëntor në konferencën e Aspenit në Berlin. Shpeshherë janë këto hapat e vegjël të afrimit, të cilat na japin kurajo dhe na tregojnë se po ecim në rrugën e duhur. Ndarja e Europës nuk mund të quhet e kapërcyer plotësisht vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria ka një rrugë të vështirë për të bërë. Konferenca e Ballkanit Perëndimor i ka dhënë një hov të ri procesit. Procesi i anëtarësimit mund të ketë sukses nëse përfshihen qytetarët si në vendet kandidate dhe ato anëtare të BE. Bisedimet për anëtarësim nuk janë proces teknik për ekspertët, por një projekt politik për të gjithë dhe nuk do mund ta bindim popullsinë me shifra të thata, por të fitojmë zemrat e tyre për këtë ide, pasi edhe pse nuk na ndan Muri i Berlinit duhet të shemben muret në mendjet tona për të mos krijuar kufij të rinj. Le të punojmë sëbashku”, deklaroi Roth.
 
Më rënien e Murit të Berlinit 25 vjet më parë në vitin 1989, kufiri mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore, humbi kuptimin ashtu si dhe shteti socialist i Gjermanisë. 11 muaj pas rënies së Murit të Berlinit, Gjermania u ribashkua.