Rilindja kërkon të mbyllë sytë para faturës së arbitrazhit mbi 700 mln euro detyrime

110
Sigal

Faturat e kripura të gjyqeve në arbitrazh për kontrata klienteliste po rrisin borxhin. Ky dëm i shkaktuar nga kapriçot e zyrtarëve do të paguhet nga qytetarët shqiptarë, ndërkohë që me këtë vlerë do të rriteshin 110% pensionet në të gjithë vendin.

Arbitrazhet ndërkombëtare vazhdojnë të “groposin” financat shqiptare, për shkak të arrogancës dhe korrupsionit ministror. Faturat nga gjyqet e humbura po gërryejnë financat shqiptare dhe paguhen shuma të majme për zyrat e avokatisë në gjyqet ndërkombëtare.

Qeveria asnjëherë nuk ka bërë transparencë të plotë numrin e çështjeve të arbitrazhit ashtu siç nuk ka bërë transparente dhe çështjet e humbura. Ne po iu paraqesim më poshtë detyrimet sipas qeverisë, por dhe detyrimet, të cilat qeveria preferon të mos i marrë në konsideratë, por kjo nuk do të lehtësojë barrën për taksapaguesit.

Sipas të dhënave të paraqitura në relacionin e projektbuxhetit 2023, vlera e detyrimeve faktike të pranuara ka arritur në 65.2 milionë euro, ndërsa vlera e llogaritur si kontigjencë për humbje të mundshme ka prekur vlerën e 111.1 milionë eurove. Pra detyrimet faktike dhe kontigjente të shtetit shqiptar për çështjet e arbitrazhit kanë arritur vlerën e 176 milionë eurove.

Ndër detyrimet faktike për çështje të humbura në Gjykatën e Arbitrazhit, më i rëndësishmi është ai ndaj firmës greke JV Copri – Aktor, për prishjen e kontratës së ndërtimit të rrugës Tiranë Elbasan. Detyrimi i deklaruar nga Ministria e Financave është rreth 43 milionë euro, duke përfshirë edhe shpenzimet ligjore të çështjes në arbitrazh.

Në fakt, kostot ligjore dhe administrative për përfaqësimin në Gjykatën e Arbitrazhit zënë një pjesë të konsiderueshme në shpenzimet totale të arbitrazhit. Vlera totale e këtyre shpenzimeve arrin në 8.8 milionë euro ose 13.5% të vlerës së përgjithshme të detyrimeve faktike. Këto shpenzime lidhen me koston e kontraktimit të firmave ligjore për përfaqësimin në Gykatën e Arbitrazhit, por edhe me shpenzime të tjera administrative të lidhura me tarifat dhe kosto të tjera të ndjekjes së arbitrazhit.

Çështja tjetër për të cilën qeveria ka pranuar një detyrim faktik është ajo kundrejt GBC Oil Company, në vlerën e 13.4 milionë eurove.

Ndërkohë, vlera e detyrimeve kontigjente apo të lidhura me humbje të mundshme në arbitrazh është llogaritur nga qeveria shqiptare për një vlerë prej 111 milionë eurosh. Në pjesën dërrmuese, 109 milionë euro (108 milionë euro detyrim dhe pak më shumë se 1 milionë euro kontigjencë për shpenzime ligjore), kjo kontigjencë lidhet me çështjen e humbur në shkallët e deritanishme të gjykimit me biznesmenin itaian Francesco Beçhetti.

Qeveria ka pranuar se në 2 prill 2021, një trupë e posaçme e Gjykatës së Arbitrazhit ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për të anulluar vendimin në favor të kompanive italiane, Hydro S.r.l. and Costruzioni S.r.l., dhe katër shtetasve italianë Francesco Beçhetti, Mauro De Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti.

Sipas qeverisë, shuma që duhet t’iu paguhet subjekteve të mësipërme është 99 milionë e 487 mijë euro, plus interesat. Në prospektin e Eurobondit të fundit, thuhet gjithashtu se përfituesit kanë nisur procedurat për njohjen dhe ekzekutimin e detyrimit në Shqipëri, Austri, Belgjikë, Angli, Itali dhe Hollandë. Madje, qeveria shqiptare ka pranuar se Beçhetti dhe përfituesit e tjerë kanë arritur të mbledhin një pjesë të shumës së fituar në disa shtete, duke përfshirë Anglinë, Francën dhe Italinë.

Çështja e Shqipërisë kundër biznesmenit italian Francesco Beçhetti e ka zanafillën në vitin 2015, me mbylljen e televizionit Agon Channel dhe hapjen e procedimit penal ndaj tij me akuzat e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave. Beçhetti kundërshtoi akuzat dhe u shpreh se e gjithë çështja ndaj tij ishte e motivuar politikisht, për shkak të linjës editoriale të ndjekur nga Agon Channel ndaj qeverisë shqiptare. Ai hapi çështje kundër Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke fituar në të dy shkallët e gjykimit. Sipas deklaratave të tij në prill të vitit të kaluar, shuma totale që Shqipëria duhet t’i paguajë arrin në rreth 150 milionë euro.

Për çështjet e tjera, që ndodhen në arbitrazh, kontigjenca e llogaritur nga qeveria shqiptare parashikohet në vlera të papërfillshme.

Megjithatë, shumat e kërkuara nga kompanitë që kanë çuar shtetin shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit janë të mëdha dhe përfaqësojnë risqe të konsiderueshme për buxhetin. Për shembull, kompania Arka Energy, që fitoi garën për ndërtimin e kompleksit fotovoltaik në Akërni të Fierit ka kërkuar 110 milionë euro dëmshpërblim për prishje të kontratës. Gjithashtu, kompania Durrës Kurum Shipping Company ka hapur një çështje kundër qeverisë shqiptare, ku kërkon dëmshpërblim në vlerën e 100 milionë eurove për prishjen e koncesionit të terminalit të kontenierëve në Durrës.

11 çështje pronash kushtojnë 21.7 milionë euro

Vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) kryesisht çështje dhe vendime që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave tek ish-pronarët. Deri më tani, 11 vendime të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut kanë një faturë 21.7 milionë euro. OSHEE paditet 8 mln. euro, gjobë për t’u paguar në arbitrazh, e cila u bë e ditur nga deputetja Jorida Tabaku gjatë një Komisioni të Ekonomisë. Sipas OPEN DATA deri në qershor 2020 dëmet në arbitrazh arrijnë rreth  446 mln. Euro.

 “Gjyqet e kripura” në gjykatat ndërkombëtare

-Kostot ligjore dhe administrative për përfaqësimin në Gjykatën e Arbitrazhit në 8.8 milionë euro

-Firma greke JV Copri – Aktor, 43 milionë euro

-GBC Oil Company, në vlerën e 13.4 milionë eurove.

-Arka Energy, 110 milionë euro dëmshpërblim

“Kompania Durrës Kurum Shipping” dëmshpërblim në vlerën e 100 milionë eurove

-150 mln euro kompania “Fusha”-shpk.

-100 milionë euro, “Kurum” ka një çështje të hapur me shtetin shqiptar

-110 mln euro llogaritet humbja e shtetit shqiptar me  “Dondi & Kubota”

– “Hydro” S.r.l. kërkoi 10 milionë euro detyrime për TVSH-new

 – OSHEE paditet 8 mln. euro

– 11 çështje pronash kushtojnë 21.7 milionë euro

-KLSH deri në fund të vitit 2019 llogarit (170 mln euro)