Ëngjëll Musai: Hetuesit e Diktaturës dhe “Ushtari i Mallakastrës”

236
Sigal

Ëngjëll Musai
Drejtor i Gazetës Telegraf


Mesnata e 20 tetorit dhe minutat e para të 21 tetorit 2022, ishin fundi i seancës plenare nga më të gjatat e këtyre viteve, ku deputetët e “Rilindjes” ribashkuan votat me grupimin e “gaz-lotsjellësve” të 11 janarit të udhëhequr në sallën e Kuvendit nga Alibeaj, por të dirigjuar me regji nga Basha, për gjoja hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.


Nëse qëllimi do të ishte dashamirës dhe në interes të qytetarëve shqiptarë, pse jo edhe të së ardhmes së Kombit, ky bashkim do të meritonte vlerësimin maksimal. Por, faktet janë kokëforta, pasi qëllimi nuk ishte transparenca dhe interesi i qytetarëve apo e shtresës të masakruar nga Diktatura dhe të dizenjuar nga Sigurimi i Shtetit komunist. E vërteta e Ligjit për Dosjet, ishte dhe mbetet interesi klientelist dhe klanor i disa figurave, që kanë pasur poste, pushtet dhe kanë vënë para, sikurse theksoi një ditë më parë kryediplomatja e SHBA-së në Tiranë kur theksoi mes të tjerave se: Koha juaj ka mbaruar. Keni mbushur xhepat tuaj dhe të fëmijëve. Mjaft më! Por ajo që bie në sy në këtë marrëveshje ka të bëjë me dy aspekte: E para që prapësirat në këto 10 vite qeverisje dhe pazar-qeverisjeje Rama-Basha, ndodhin vetëm natën! Natën u bë marrëveshja famëkeqe e zgjedhjeve të 17 majit 2017 për zgjedhjet e përgjithshme.

Po Natën dolën grevistët demokratë të Çadrës dhe po atë Natë, ish-kreu i KOPI-t dhe PD-së. Basha i hoqi litarin nga qafa Ramës dhe u fut në koalicionin qeverisës, duke shitur opozitën, çka qytetarët e ndëshkuan me rezultatin më të dobët elektoral të 30 viteve demokraci. Po në Natën e 21 tetorit 2022, Alibeaj dhe Basha që mbërriti vetëm për votim në mesnatë i bëri një tjetër dhuratë Ramës duke tradhtuar demokratët, elektoratin, që i besoi votën dhe opozitën me ligjin për dosjet. Nëse Ligji që propozoi Alibeaj-Basha, do të kishte shtrirje në kohë dhe hapësirë dhe të përjashtonte edhe hetuesit e komunizmit, gjyqtarët që masakruan, pushkatuan, dënuan dhe internuan antikomunistët. Ky ligj, sot do të kishte përkrahjen e të gjithë opozitës dhe nuk do të zhvlerësonte edhe më keq Alibeajn që konsiderohet si figura më e urryer e opozitarizmit shqiptar pa dallim feje, krahine dhe ideje. Ky ligj duhej të përfshinte edhe pasardhësit e drejtpërdrejtë të atyre, që firmosën vendimet famëkeqe të pushkatimit, dënimit dhe internimit, me të cilët Alibeaj dhe Basha bënë pazarin e radhës duke bashkuar votat.

Përse nuk preken nga ky ligj, gjyqtarët, prokurorët, hetuesit dhe mësuesit e Marksizëm-Leninizmit, që kanë pushtuar organet e reja të Vettingut? Përse i dhimbsen Alibeajt mercenarët që dënuan shqiptarët, të cilët rrëzuan bustin e Stalinit, apo ato që përhapnin teoritë indoktrinuese të Marksizëm-Leninizmit? Ose janë pazaret e mbushjes së xhepave, për të cilat foli përfaqësuesja e SHBA-ve në Tiranë, ose janë  hesape të vjetra. A mos vallë për ndonjë individ, janë dosjet e Sigurimit, dhe në këtë rast jo të Shtetit por të Sigurimit të Ushtrisë, për “ushtarin e repartit të Mallakastrës”, dosjen e të cilit edhe nëse e mbajnë të fshehtë strukturat e Rilindjes, e ka të gjallë, punëtori operativ i Sigurimit të Ushtrisë?!