Rilindësit e Hipotekës së Durrësit

595
Sigal

Hallexhiu do të hyjë e do të dalë nja 100 herë i zhgënjyer nga zyrat dhe sportelet e Hipotekës, gjersa gjen sekserin që t’ia mbarojë hallin, duke i dhënë, padyshim, edhe gjobën.

Ashtu si në të gjitha institucionet e tjera, ku trumbetohet me të madhe “risia e rilindësve”, edhe ZRPP ose siç e quajmë ndryshe Hipoteka, nuk bën përjashtim nga format e moderuara dhe agresive të korrupsionit. Njerëzit trokasin në sportele dhe zyra, rrinë në këmbë në korridore, jashtë në diell dhe në shi, në pritje të gjata me muaj dhe vite, për të marrë në ZRPP, atë çfarë i takon, certifikatën e pronës. Asnjeri nuk pretendon të marrë pronësi  të rreme dhe të jashtëligjshme, dhe kjo kategori është shumica e popullit. Por, ndërkohë, marifetet në ZRPP, nuk kanë të sosur. Hallexhiu do të hyjë e do të dalë nja 100 herë i zhgënjyer apo i ngazëllyer nga zyrat dhe sportelet e ZRPP, por në fund ai do ta gjejë rrugën e duhur. Do të takojë sekserin që t’i mbarojë hallin, duke dhënë padyshim edhe gjobën. Nuk ka shërbim  tek rilindësit pa dhënë gjobën. Ky marifet sot po bëhet nga rilindësit me forma të moderuara, të kamufluara, por edhe më agresive por që vjen një ditë dhe zbulohet edhe sekreti këtij marifeti. Zbulohet ndoshta rastësisht, duke vajtur tek sekseri, tek zyra e noterit  apo “kolegut” sekser, që është i lidhur me rilindësit e rinj. Vetëm 25 ditë pas ardhjes së Rilindjes në pushtet, ZRPP ishin të parat që u spastruan, madje me urgjencën më të madhe. U larguan qindra punonjës nga sportelet dhe zyrat dhe u zëvendësuan me rilindës, paçka se këta të fundit ishin edhe pa arsimin e duhur, dhe se nuk kishin punuar asnjë ditë në sektorë të përafërt me ZRPP. Çdo gjë dukej sikur niste nga viti zero. Dhe kjo dukej nga boshatisja e zyrave, mbushja e tyre me njeriun e ri, dhe mobilim të ri, lyerjet dhe fasadat e patinuara, tabelat e reja me ngjyrat mavi, dhe stafi i ri që prej kaq muajsh ende nuk është mësuar me punën e re. Por ata që e vuajnë këtë modelim të rilindësve në ZRPP, padyshim janë taksapaguesit, qytetarët, hallexhinjtë. Shumica e tyre kanë vite që rropaten dyerve të Hipotekave dhe korridoreve të institucioneve të drejtësisë, pasi nga andej ka ardhur edhe katrahura me pronat e tyre. Në sportelet e ZRPP-ve, dëgjon  vetëm frazat standarde “ka mbivendosje, shko hap gjyq, nuk është e gjitha prona jote”, pavarësisht se ti ke në duart e tua, tapinë e Turqisë, Mbretit Zog, apo të reformës agrare.

Fakte dhe oferta

Nuk është fare e vështirë të gjesh dhe të konstatosh fakte që lidhen me aferat korruptive në ZRPP. Mjafton të shkosh në sportelet e Hipotekave dhe do të dëgjosh lloj-lloj historish që nisin nga viti 2003, vazhdojnë në 2013 dhe akoma nuk kanë përfunduar edhe në 2014. Haxhi Tabaku, është një qytetar  nga Durrësi, që pavarësisht proceseve gjyqësore të cilat e kalojnë numrin 400, ende edhe sot nuk ka arritur të regjistrojë në ZRPP pronën e tij që ka në Shkozet. Shkak ka qenë dhe mbetet fakti se mbesat e tij, sipas Haxhiut, ia kanë grabitur pronën me firma dhe dokumente false. Madje edhe e kanë regjistruar atë në ZRPP. Rauf Merja është një tjetër qytetar nga Durrësi, që pronat e tij i ka në kodrën e Vilës, dhe që prej 17 vitesh ai nuk arrin të regjistrojë pronën e tij, sepse një ish-zyrtar i lartë i ka falsifikuar firmat e farefisit të tij dhe e ka regjistruar një pjesë të pronës në ZRPP. Et’hem Karaboja, është durrsak prej 200 vitesh, por edhe ai ka prej 20 vitesh probleme me ZRPP, ka bërë qindra procese gjyqësore dhe ka vite që pret të regjistrojë pronën e tij në Hipotekë. Edhe qindra familje të tjera janë viktima të  pazareve që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen me pronat e tyre. Të tre rastet e lartpërmendura, por si ata ka edhe mijëra të tjerë, klasifikohen tek njerëzit që nuk kanë pranuar të shkojnë tek sekseri. Nuk kanë pranuar ta riblejnë pronën e tyre të ligjshme, të trashëguar  nga paraardhësit, pasi sekseri që në shumicën e rasteve ishte ose noter, ose zyrtar Kadastre, kërkonte para sa të blinte një apartament të ri me çmimet e tregut. Edhe sot  këta hallexhinj, akoma mbeten të pashpresë për të zgjidhur problemin e tyre. Kjo pasi pronat e tyre kanë mbivendosje, kanë parregullsi ligjore dhe duhet të rihapen sërish procese gjyqësore. I bie që të rrinë edhe 20 vjet të tjera rrugëve dhe zyrave. Natyrshëm lind pyetja, çfarë bëhet me pronat e ligjshme, pse nuk regjistrohen në ZRPP? Zyrtarët në Hipoteka sot shprehen se “ngërçi  ka mbi 22 vjet që ka nisur dhe kërkon zgjidhje ligjore”. Por juristët shprehen se “zgjidhja ligjore është e gjetur, ligjet janë, por nuk  zbatohen”. Kë të besojmë, ndoshta asnjërin. Metoda më e rafinuar që po përdoret sot në sportelet e  ZRPP për t’i joshur hallexhinjtë, është  premtimi se “do të regjistrohet prona, është e jotja, të  takon ty, rri i qetë”, duke e mbajtur me shpresë  çdo hallexhi, pavarësisht se  ndoshta pronën e tij e ka të  regjistruar dikush tjetër. Fyerje dhe tallje më të madhe nuk ka. Me shpresë janë mbajtur hallexhinjtë prej 23 vitesh, me shpresë  janë mbajtur  ata edhe kur  kanë parë dikë  tjetër  të rrethojë dhe  ndërtojë  pallate në trojet  e tyre. Në gjithë këto vite në arkivat e ZRPP-ve, (si në rastin e Durrësit apo edhe Elbasanit)  kulmi ka qenë kur janë rrëmbyer dosje pronash nga “të fortët” nën hundën e ish-kryeregjistruesve dhe janë grisur apo falsifikuar. Kush do të përgjigjet për këto skandale, kush do të futet në burg për shkatërrimin e pasurive të shtetit dhe të individit ?  Deri sot askush, madje katrahura vazhdon  me ritme të reja, korrupsioni është më agresiv. Prona tek i zoti. Kjo është kryefjala e  kushteve të BE, veç asaj për reformimin e organeve të drejtësisë, por duket se shqiptarët  po ecin akoma  me thënien  “pas meje le të bëhet kiameti”.