Rekomandimet e KLSH për zgjidhjen e detyrimeve të papaguara (borxhit tatimor)

1033
Sigal

Koço Sokoli

Përgjegjës i Sektorit Juridik, KLSH

Institutucioni i auditimit më të lartë publik, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në këto gjashtë vitet e fundit, ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e Kuvendit dhe të qeverisë, për akumulimin e një borxhi të konsiderueshëm tatimor(detyrime të papaguara ndaj Shtetit), i cili çdo vit rritet në përmasa alarmante. Duke parë heshtjen qeveritare në përgjithësi dhe mosmarrjen e masave të efektshme, KLSH ndërmori auditimin e performancës “Efektiviteti i masave të ndërmarra nga Organet Tatimore në mbledhjen e detyrimeve të papaguara të subjekteve tatimpaguese”. Ky auditim u krye në Drejtorinë e Përgjithshëm të Tatimeve dhe institucionet në varësi të saj, në Drejtoritë Rajonale Tatimore, duke u shtrirë në Ministrinë e Financave, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, si institucione që kanë detyrim zbatimin e masave shtrënguese të kërkuara nga Administrata Tatimore Qendrore. Fokusi ishte analiza e performancës së veprimtarisë së organeve qendrore tatimore në drejtim të menaxhimit të detyrimeve të papaguara, me qëllim që kjo veprimtari të ketë efektivitet të lartë dhe që buxheti i shtetit dhe në tërësi shoqëria të përfitojë fondet e parashikuara nga dispozitat ligjore përkatëse. Në këtë mënyrë, objekti i këtij auditimi ishte pasqyrimi i situatës reale në të cilën ndodhen detyrimet e papaguara tatimore në vendin tonë, duke marrë në shqyrtim faktorët që janë të lidhur ngushtë dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në krijimin e këtyre detyrimeve, veprimtarinë e vetë organeve tatimore qendrore dhe bashkëpunimin me institucionet shtetërore për marrjen e masave shtrënguese deri në vjeljen e këtyre detyrimeve. Pyetja kryesore që grupi i auditimit shtroi ishte: A ka qenë efektive veprimtaria e Organeve Tatimore në menaxhimin dhe marrjen e masave për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara? Mesazhi që dha auditimi i KLSH ishte se Administrata Tatimore Qendrore nuk ka arritur të menaxhojë detyrimet tatimore të papaguara në afat dhe të zbatojë me efektivitet masat organizative dhe shtrënguese për grumbullimin e tyre. Kjo evidentohet me rritjen e konsiderueshme në vlerë dhe në numër të subjekteve me detyrime tatimore të papaguara me vjetërsi mbi 2 vjeçare, duke ndikuar kështu negativisht në të ardhurat e Buxhetit të Shtetit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk ka mundur të vjelë detyrimet e papaguara nga subjektet tatimpagues, pasi nuk ka krijuar kushtet për zbatimin plotësisht të kuadrit ligjor në fuqi nga drejtoritë rajonale, nuk ka kryer monitorimin dhe kontrollin e duhur ndaj drejtorive rajonale tatimore të kësaj veprimtarie të rëndësishme, si dhe bashkëpunimi me institucionet shtetërore ka qenë i pjesshëm, duke ulur ndjeshëm efektivitetin e veprimtarisë së administratës tatimore qendrore, në zbatimin e masave ligjore shtrënguese për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara në afat. KLSH  rekomandon që objektivat dhe masat për zbatimin e misionit të Administratës Tatimore Qendrore, duhet të mbështeten në bindjen se përmbushja vullnetare mundësohet vetëm atëherë kur të gjitha funksionet për shërbimin ndaj klientit, kontrollit tatimor dhe mbledhjes së detyrimeve të prapambetura do të trajtohen si një tërësi veprimesh të ndërvarura dhe të mbështetura në modelin e menaxhimit të riskut. Përzgjedhja e instrumenteve të përshtatshme për trajtimin e risqeve, si dhe të kuptuarit e arsyeve se përse tatimpagues të ndryshëm, nuk janë në përputhje me legjislacionin tatimor dhe të kontributeve shoqërore, do t’i mundësojnë administratës të përdorë dhe përqendrojë burimet e saj në mënyrë efektive. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është një institucion relativisht i paformuar sipas standardeve evropiane, por në vitet e fundit ka bërë progres në zbatimin e praktikave moderne të administrimit të tatimeve. Është vënë në zbatim një sistem i ri i teknologjisë së informacionit (IT). Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjithashtu ka treguar përkushtim në përmirësimin e shërbimeve të tatimpaguesve. Dobësia kryesore në punën e kësaj Drejtorie janë rezultatet e këqija në mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara në afat dhe ritmet e shpejta të rritjes së tyre. Mbledhja e detyrimeve tatimore të papaguara në afat është drejtimi më i vështirë i punës së organeve tatimore. Peshën më të madhe në krijimin e detyrimeve të papaguara e zënë detyrimet e akumuluara nga njoftim-vlerësimet e kontrolleve tatimore, vlerësimeve të bëra për tatimpaguesit, verifikimet në terren, gjobat dhe interesat e sistemit informatik, si edhe nga pamundësia në përmbushjen e detyrimit tatimor për shkak të situatës financiare e pasurore të tatimpaguesit. Gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në afat përbëhet kryesisht nga detyrimet tatimore të lindura nga 2-5 vite, me një peshë prej 58% të totalit të borxhit, gjë që tregon se sasi të mëdha të detyrimeve tatimore të papaguara janë të pambledhshme, për të cilat DPT-së tashmë e ka praktikisht të vështirë të ndërmarrë veprime të mëtejshme ligjore për mbledhjen e detyrimit me forcë. Kështu, vlera e saktë e masës detyrimit tatimor të papaguar fryhet së tepërmi, duke sjellë si pasojë nevojën e veprimeve spastruese, siç ka qenë ligji i faljes i zbatuar në v. 2011 dhe ligji i ri i miratuar tashmë nga Kuvendi dhe që ka hyrë në fuqi me 06.05.2017, për faljen e detyrimeve tatimore e doganore të prapambetura. Nga auditimi, KLSH konstatoi se nuk është zbatuar nga strukturat e mbledhjes me forcë të ATQ kriteri ligjor i evidentimit të detyrimeve të papaguara tatimore, të pambledhshme, si edhe në asnjë rast nuk ka pasur kërkesa pranë drejtorive rajonale tatimore nga subjektet tatimpagues për shpalljen e detyrimit tatimor të pambledhshëm dhe si rrjedhojë sektorët e mbledhjes me forcë nuk kanë zbatuar praktika të tilla për shpalljen e detyrimit tatimor të pambledhshëm. Nga auditimi i ushtruar në terren, përgjigjet e pyetësorëve të stafit të Administratës Tatimore Qendrore dhe nga intervistat e zhvilluara me specialistët e mbledhjes me forcë, rezulton se konsumohen shumë burime njerëzore dhe kohë, duke bërë shumë procedura, mijëra njoftime që duhet të bëhen nga specialistët e borxhit në drejtoritë rajonale tatimore për subjektet, duke qenë se pothuaj të gjitha drejtoritë rajonale kanë më shumë subjekte me detyrime të papaguara sesa subjekte të regjistruara, gjë që ka ndikuar edhe në efektivitetin e mbledhjes së detyrimeve tatimore të papaguara. Sistemi i ri elektronik tatimor C@TS i vënë në zbatim në vitin 2015 në të gjithë Administratën Tatimore Qendrore, nuk është plotësisht përshtatshëm për punën e përditshme të personelit të mbledhjes me forcë. Ky sistem punon me data dhe jo me periudha tatimore, pra në rastin e arkëtimeve të cilat bëhen nga tatimpaguesit për detyrimet në kohë reale apo të lindura rishtazi, këto arkëtime mbyllin borxhet e prapambetura (ku përfshihen dhe detyrimet për të cilat subjekti mund të jetë në proces gjyqësor, në apelim dhe në akt-marrëveshje) dhe njëkohësisht nuk mbyllin detyrimet koherente, të cilat në vazhdimësi gjenerojnë gjoba dhe interesa. Është e pamundur të nxirren nga sistemi tregues sintetikë, të cilët do t’i shërbenin hartimit të raporteve menaxheriale nga drejtuesit e strukturave të mbledhjes me forcë. Nga të dhënat e dërguara prej Drejtorive Rajonale si dhe nga auditimi i kryer vihet re se masat shtrënguese nuk janë të shtrira në të gjithë fazat e përcaktuara në kuadrin ligjor, por janë mjaftuar vetëm me vendosjen e një mase dhe me tej procedurat janë bërë pjesërisht ose janë ndërprerë.

Administrata tatimore është mjaftuar vetëm me zbatimin e kërkesave të nenit 89, “Njoftimi dhe kërkesa për të paguar”, nenit 90, “Urdhri i bllokimit të llogarive bankare të tatimpaguesit” dhe nenit 91, “Masa e sigurimit të detyrimit tatimor”. KLSH ka konstatuar se nuk ka gjetur zbatim realizimi i procedurës së sekuestrimit e më pas konfiskimit, të pasurisë së paluajtshme, të siguruar në favor të administratës tatimore, në pronësi të tatimpaguesit, duke vijuar me zbatimin e procedurave të Ankandit Publik dhe të ardhurat e përfituara, do të shkojnë për likuidimin e detyrimeve tatimore të papaguara nga ana e tatimpaguesit. Gjithashtu, nga ana e administratës tatimore nuk kanë gjetur zbatim kërkesat e Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 i ndryshuar, që kanë të bëjnë me mbledhjen e detyrimeve të prapambetura tatimore, konkretisht lidhur me “Fillimi i procedurës së falimentimit”; “Transferimi i detyrimit tatimor palës së tretë”; “Përgjegjësia e ortakut, aksionarit dhe administratorit” dhe “Procedurat për deklarimin e detyrimit tatimor si të pambledhshëm”. Përvoja e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) tregon se autoritetet tatimore duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë parandalimit të krijimit të detyrimeve tatimore të papaguara. Dihet se sa më i vjetër është borxhi tatimor, aq më e vështirë është mbledhja e tij dhe bazuar në rrethanat, gjeneron më pak para. Për këtë, Administrata Tatimore Qendrore duhet të ndërtojë strategji të zbatueshme për parandalimin e hershëm të krijimit të borxhit tatimor. Në procesin e mbledhjes së detyrimeve tatimore, administrata tatimore duhet të ndërmarrë masa për të parandaluar krijimin e borxhit tatimor. Si KLSH kemi rekomanduar që, lidhur me parandalimin e ekzekutimit të masave shtrënguese, një rol të rëndësishëm ka edukimi i subjekteve tatimore, i cili mund të realizohet nga administrate tatimore në disa mënyra. Administrata tatimore duhet ta realizojë edukimin duke përgatitur mjaftueshëm materiale të shkruara të propozimeve për masat që mund të merren për përmirësimin e procedurave të deklarimit e të pagimit vullnetar të tatimeve, si dhe hartimin e materialeve të shkruara të propozimeve për plane konkrete bashkëpunimi, ndërmjet shoqatave profesionale tatimore, shoqatave të biznesit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, lidhur me informimin dhe edukimin e tatimpaguesve.