Rastësi?! Pak orë pasi rrahu kuzhinierin, njëri nga dhunuesit u arrestua me babain për ‘shtëpi bari’

181
Sigal

Pak minuta më parë, policia e Fushë-Krujës njoftoi detajet e dhunës ndaj kuzhinierit Indrit Çela, i cili u rrah barbarisht në sy të gruas në vendin e quajtur “Ura e Gjoles”. Mësohet se kuzhinieri është rrahur nga dy vëllezër Donald dhe Ernest Luka. Këta të fundit, i kanë prerë rrugën me makinë kuzhinierit dhe e kanë dhunuar me grushta, shqelma dhe leva hekuri.

Por diçka e dyshimtë bie në sy në njoftimin e policisë.

Ernest Luka, një prej vëllezërve dhunues, është vënë në pranga, mbrëmjen e djeshme, por në një operacion tjetër. Ai është arrestuar bashkë me babain e tij për kultivim kanabisi, pasi kishin kthyer një stallë në “shtëpi bari”.

Në njoftimin e policisë thuhet:

Shtetasi E. L., është arrestuar mbrëmjen e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Derveni”, ndërsa vëllai i tij shtetasi D. L., është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

Nuk dihet nëse kjo është thjesht një rastësi policore, apo diçka fshihet në ‘kombinimin’ e dy ngjarjeve. Ndërkohë vëllai i Ernest Lukës është shpallur në kërkim.