Pasiguria fiskale, ligjet klienteliste që miratohen në Kuvend dhe drejtësia e vonuar po largojnë investitorët nga Shqipëria. Zvarritja e proceseve gjyqësore pa një sistem efikas edhe pas10 vitesh nga Reforma në Drejtësi, rrit pasigurinë te investitorët seriozë. Për bizneset, të presësh disa vite për një vendim gjykate do të thotë kapital i ngrirë, pasiguri operacionale dhe rrezik për ekzistencën e investimit.
“Sa i përket humbjes së investimeve, duhet të jemi realistë se rreziku rregullator është një taksë e padukshme. Shqipëria jo vetëm po humbet investimet e mundshme që zgjedhin vende të tjera të rajonit me legjislacion më të qëndrueshëm, por rrezikon edhe mungesën e zgjerimit nga investitorët ekzistues.“
FIAA: Pasiguria fiskale dhe drejtësia e vonuar po largojnë investitorët nga Shqipëria
Shqipëria jo vetëm po humbet investimet e mundshme që zgjedhin vende të tjera të rajonit me legjislacion më të qëndrueshëm, por rrezikon edhe mungesën e zgjerimit nga investitorët ekzistues. Për këtë arsye, Libri i Bardhë 2025-2029 nxit fuqimisht krijimin e një kalendari të qëndrueshëm fiskal dhe një dialogu institucional, ku zëri i biznesit të dëgjohet përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve dhe jo pasi ato të jenë bërë një fakt i kryer
Teksa Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në dhe synon të pozicionohet si destinacion konkurrues për investitorët e huaj, mesazhi i “White Book 2025–2029”, një publikim i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), është i qartë mbi atë që duhet bërë: më shumë qëndrueshmëri në ndryshimet ligjore.
Balazs Revesz, Kryetar i FIAA, shprehet se kur rregullat e lojës ndryshojnë shpesh dhe pa konsultim paraprak e të strukturuar, kostoja nuk është vetëm procedurale.
Sipas tij, për investitorët ndërkombëtarë, parashikueshmëria fiskale vlen më shumë se një normë tatimore e ulët, por e ekspozuar ndaj ndryshimeve të shpeshta. Këto ndryshime të paparashikueshme po largojnë investitorët potencialë drejt vendeve të rajonit që kanë qëndrueshmëri më të lartë. “Sa i përket humbjes së investimeve, duhet të jemi realistë se rreziku rregullator është një taksë e padukshme. Shqipëria jo vetëm po humbet investimet e mundshme që zgjedhin vende të tjera të rajonit me legjislacion më të qëndrueshëm, por rrezikon edhe mungesën e zgjerimit nga investitorët ekzistues.
Për këtë arsye, Libri i Bardhë 2025-2029 nxit fuqimisht krijimin e një kalendari të qëndrueshëm fiskal dhe një dialogu institucional, ku zëri i biznesit të dëgjohet përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve dhe jo pasi ato të jenë bërë një fakt i kryer”, nënvizon z. Revesz.
Në këtë dekadë të Reformës në Drejtësi, FIAA mbetet mbështetëse e këtij procesi. Nga këndvështrimi i investitorit, “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Besimi i investitorëve nuk ndërtohet vetëm mbi ekzistencën e ligjeve të mira, por mbi garancinë se në rast konflikti, ata do të kenë akses në një proces gjyqësor të shpejtë, të pavarur dhe profesional.
Cili është mesazhi që duhet të marrë qeveria nga “White Book”?
Libri i Bardhë 2025–2029 duhet të shihet nga qeveria si një udhërrëfyes për partneritet strategjik dhe jo si një listë kërkesash. Mesazhi kryesor është ai i partneritetit dhe parashikueshmërisë, duke theksuar nevojën për një udhërrëfyes bashkëpunues për të përafruar klimën e biznesit të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian. Sipas Anketës së Mjedisit të Biznesit të FIAA 2025, perceptimi i klimës së biznesit në Shqipëri është ulur në 45 nga 100 pikë, nga 49 pikë që ishte një vit më parë. Faktorët e hasur më shpesh në anketë, të cilët dobësojnë besimin e investitorëve, përfshijnë paqëndrueshmërinë makroekonomike, rritjen e korrupsionit, mungesat e tregut të punës, paqëndrueshmërinë legjislative dhe paqartësitë administrative.
Konsultimet me bizneset kanë nxjerrë në pah se ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal janë një nga shqetësimet kryesore. A është problemi më i madh niveli i taksave apo mungesa e parashikueshmërisë? Dhe a po humb Shqipëria investime për shkak të këtij rreziku rregullator?
Në analizën tonë dhe në bisedat e vazhdueshme me anëtarët e FIAA-s, rezulton se mungesa e parashikueshmërisë është një sfidë shumë më e madhe sesa vetë niveli i taksave.
Problemi më i madh është pikërisht paparashikueshmëria e ndryshimeve dhe mungesa e kohës së mjaftueshme dhe e një procesi të rregullt konsultimi publik me bizneset dhe ekspertët, përpara dërgimit të projektligjeve në parlament apo miratimit të akteve nënligjore.
Një tjetër aspekt që sillet në vëmendje është vonesa në rimbursimin e TVSH-së. A e shihni këtë si një problem teknik administrativ apo si një rrezik sistematik për investimet kapitale, veçanërisht në sektorët eksportues?
Rimbursimi i TVSH-së nuk duhet parë thjesht si një proces administrativ, por si një shtyllë besimi reciprok mes shtetit dhe biznesit. Ndërkohë që ne njohim hapat pozitivë që janë ndërmarrë përmes procesit të fiskalizimit dhe automatizimit, vonesat që hasen ende mbeten një shqetësim serioz. Në Librin e Bardhë, ne e trajtojmë këtë jo thjesht si një problem teknik, por si një pengesë sistematike ndaj investimeve. Një sistem efikas i rimbursimit të TVSH-së është jetik për likuiditetin e kompanive, veçanërisht në një kohë kur kostot globale të kapitalit janë rritur, si dhe për të ndihmuar parashikueshmërinë financiare pasi kompanitë duhet të kenë siguri mbi fluksin e parasë.
Viti 2026 shënon 10 vjet nga miratimi i reformës në drejtësi dhe investitorët e vlerësojnë gjyqësorin me kujdes. Në këndvështrimin e FIAA-s, si ka qenë ecuria dhe ndikimi i saj dhe çfarë duhet të përmirësohet më tej në funksion të rritjes së besimit dhe sigurisë së investitorëve?
Është ende herët për të konstatuar rezultate të prekshme të Reformës. Megjithatë, në këtë dekadë të Reformës në Drejtësi, FIAA mbetet mbështetëse e këtij procesi, duke e konsideruar atë si parakushtin kryesor për një ekonomi tregu të shëndetshme. Vlerësojmë faktin që institucionet e reja të drejtësisë tashmë janë funksionale dhe po japin sinjale të qarta për rritjen e integritetit në sistem. Megjithatë, nga këndvështrimi i investitorit, “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.
Besimi i investitorëve nuk ndërtohet vetëm mbi ekzistencën e ligjeve të mira, por mbi garancinë se në rast konflikti, ata do të kenë akses në një proces gjyqësor të shpejtë, të pavarur dhe profesional. Ky mbetet testi i vërtetë i suksesit të reformës në vitet në vijim./Monitor





















