Kryeministri Edi Rama garanton se sulmi kibernetik nga jashtë vendit ndaj sistemeve qeveritare është duke u zmbrapsur dhe se ekspertët tashmë po punojnë për muret mbrojtëse. Rama garanton se asnjë e dhënë e qytetarëve shqiptarë nuk është cënuar.
“Lajmi i mirë është se agresioni është zmbrapsur me sukses nga një superskuadër shqiptaro-amerikane, se asnjë e dhënë nuk është fshirë, se shërbimet publike janë kthyer në punë! Vazhdon operacioni i forcimit të mureve mbrojtëse dhe hetimit për identifikimin e sigurtë të agresorit”.
Rama thotë se në vijim do të ketë një sqarim të plotë nga ekspertët për atë që ka ndodhur.
“E gjithë ngjarja do t’i raportohet publikut nga ekspertët, sapo të ndizet drita jeshile e përfundimit të proceseve shembullore që po kryhen nga superskuadra e angazhuar në këto operacione. Keqardhje e madhe për keqtrajtimin që i bëhet publikut për interesa pronarësh në media”.
Rama u ka bërë sërish thirrje mediave që të mos spekulojnë pa asnjë bazë, provë, fakt, mbi zhvillimet në frontin e luftës kibernetike.





















