Pushtohen lulishte dhe trotuare, kthehen në kafene

639
Sigal

Elbasani, qyteti ku mbizotëron antiligji

Qyteti i Elbasanit, qyteti që dikur ka përkundur në djep emrat e mëdhenj të artit, kulturës, shkencës, qyteti i arsimit dhe shkollave të para shqipe, duket se jeton si një ishull, ku vetëm ligji nuk gjen zbatim. E ndërsa qeveria Rama dhe struktura më e lartë e zbatimit të ligjit INUK, ka nisur mësymjen ndaj subjekteve dhe personave që kanë shkelur ligjin, duke pushtuar hapësirat publike, në Elbasan po ndodh e kundërta. Hapësirat publike, si lulishte, parqe, madje, edhe trotuaret po pushtohen ditën me diell nga private, nga persona që padyshim kanë pas tyre mbrojtje politike. Ata nuk po kursejnë asgjë, duke pushtuar lulishtet në qendër të qyteti, duke i mbushur me tavolina e karrige, duke pushtuar krejtësisht trotuaret e duke i kthyer në vende nga ku vjelin para. Qytetarët e Elbasanit ndjehen të ofenduar dhe poshtëruar, nga kjo panorama dhe nga sjellja e “biznesmenëve me mbrojtje politike”, që u kanë pushtuar atyre hapësirat publike. INUK më shumë se kurrë duhet të zbresë në Elbasan dhe të kontrollojë e verifikojë në terren situatën, e cila sa vjen e bëhet skandaloze. Shtrohet pyetja, ku e gjejnë kurajon dhe guximin ata individë dhe ato subjekte private të pushtojnë lulishtet, trotuaret dhe hapësirat e pakta që kanë mbetur publike? Si ka mundësi që Policia Bashkiake të mbyllë sytë para pushtimit të hapësirave publike dhe mbushjes së tyre me tavolina e karrige kafenesh dhe të heshtë? Padyshim elbasanasit presin një përgjigje nga drejtuesit e Bashkisë, të Prefekturës dhe të strukturave të Inspektoratit Ndërtimor pranë këtyre institucioneve. Zyrtarët e këtyre institucioneve dhe drejtuesit e tyre, kanë marrë votën e qytetarëve të Elbasanit për t’i shërbyer atyre, për të zbatuar ligjin për të qenë të barabartë para tij. Kjo katrahurë me hapësirat publike në Elbasan po ngjet në një kohë kur qeveria Rama dhe struktura e saj e posaçme, INUK po shemb pallate 8- katëshe në Tiranë e bregdet, duke synuar zbatimin e ligjit. Si ka mundësi që në Elbasan institucionet vendore të zbatimit të ligjit, punojnë sikur të ishin pjesë e ndonjë  ishulli diku në Afrikën e largët? Përgjigjet e këtyre pyetjeve elbasanasve ndoshta duhet t’ja japë INUK-u nga Tirana, i cili  duhet të zbresë pa asnjë minutë vonesë në këtë qytet me tradita dhe vlera të çmuara  qytetarie dhe të nisë mësymjen dhe ndëshkimin ndaj çdo personi, subjekti dhe zyrtari që po shkel ligjin. Zaptimi i hapësirave të blerta publike, mbetet krimi më i shëmtuar para syve të opinionit publik në Elbasan. Por ajo që mbetet keqardhja më e madhe është strukja e intelektualëve, trembja e tyre, mbyllja e gojës, mungesa e kurajos për të shprehur madje me forcë indinjatën e tyre qytetare ndaj vandalëve. Si mund të heshtësh dhe të mbyllësh sytë, tek shikon që në gjithë bulevardin e qytetit dhe lulishtet e tij, nuk kalon dot pasi çdo metër është e mbushur me çadra, karrige e tavolina, e kioska? Kjo shterpësi,  tregon mungesë niveli, pajtim e kapitullim pa kushte para një pakice, e cila duhet të përgjigjet sa më parë para ligjit për shkelje dhe abuzime.