Punët e Tiranës po i bën Erjon Veliaj, në televizor e kafene kapardisen deputetë dhe ministra që bëjnë punët e tyre

576
Ndodh shpesh, që parazitë e batakçinj, demagogë e të paaftë, penetrues e manipulues përfitojnë nga emri, puna, bujaria, bashkëpunimi e dashamirësia dhe sinqeriteti i atyre që i ofrojnë, madje edhe duke tentuar t’u marrin meritën. Kështu ka ndodhur e po ndodh me punët që ka e po bënë në këto 2 vite qeverisje të Tiranës, krye-bashkiaku Erjon Veliaj dhe këtë e faktojmë me episodin që po publikojmë:

Fakti i parë: Një deputet, që siç kuptohej ishte ndalur në hyrje të oborrit të PS prej tre banorëve të një zone të Tiranës, dëgjova t’u thoshte: – “Shumë bukur u bë rruga e fshatit tuaj, nesër inaugurohet! Mirë që i thashë unë një fjalë Ramës për të hedhur “xhixhat”, se Erjoni i shkretë kishte 1 vit që i lutej e nuk ia jepte..”! 

Fakti i dytë: Të nesërmen, në ekrane u transmetua kronika e përfundimit të kësaj rruge zonale. Me kokën lartë, me vështrim prej triumfatori, me këmbët hapur e barkun para, deputeti qëndronte i kapardisur në krahë të krye-bashkiakut Veliaj, i cili u thoshte banorëve se së shpejti do të niste edhe rikonstruksioni i shkollës. 

Ky episod, nuk është rastësi. Përkundrazi e ndeshim shpesh në qëndrimet e deputetëve, të cilët e konsiderojnë veten “bejlerë” të zonave ku çohen deputetë nga partia, marrin votat e anëtarëve të partisë e të militantëve dhe nuk thonë asnjë fjalë për hallet e banorëve të zonave. Kur bëhen punë nga qeverisja qendrore e lokale, ata ngjiten si “këpusha” pas tyre për të dalë në krane, duke u kapardisur më tepër deputetët që s’bëjnë asnjë punë, se sa krye-bashkiaku që bënë punët. Kështu po i ndodh në Tiranë! Në çdo nisje, vazhdim apo përfundim punësh publike e komunitare që transmetohet në televizione, në krahë të krye-bashkiakut Erjon Veliaj, shikon të qëndrojnë “ngjitur” deputetë, ministra, politikanë, prefektë, drejtorë qendror, këshilltarë bashkiakë e çdo lloj-lloj zyrtarësh të tjerë të PS, madje duke u kapardisur më shumë se vetë krye-bashkiaku që ideon, nxit e monitoron punët! Përse? Sepse ata duan të hiqen sikur janë ata që kanë influencë tek kryeministri për mundësuar investimet, sikur janë ata kanë detyruar krye-bashkiakun e Tiranës, për të bërë punët, sikur janë ata që mendojnë për banorët e zonave. Edhe një fakt: Në nisjen e punimeve të rikonstruksionit të një shkolle në njësinë bashkiake nr. 11 të Tiranës, në krahë të krye-bashkiakut ishte edhe një deputet i PS, që në 4 vitet e kaluar nuk ka folur asnjëherë në parlament , përveç rastit kur i rrezikohej heqja e mandatit për konflikt interesi. Ndërsa krye-bashkiaku Erjon Veliaj fliste për shkollën e re, deputeti, i thoshte një banori të zonës: Do ta kompletojmë edhe linjën e ujësjellësit, kam folur unë me Edin, e kemi lënë ta nisim nga muaji shtator! Pas takimit, deputetit i hipi veturës e shkoi tek biznesi i tij, ndërsa krye-bashkiaku u nis drejt një zone tjetër punësh. Nuk e dimë, nëse këtë dalje në televizor, ata ia kërkojnë Erjon Veliaj dhe ai me dashamirësi i bënë pjesë të “stafit” për efekt promovimi në sy të popullit, apo nëse ata i ngjiten si “këpusha” e si ndahen, por një kujtesë po ia bëjmë krye-bashkiakut Veliaj: Mos i nxirr më krahë teje, mbasi gjysmën e kontributit ta marrin ata, gjysmën e punëve ta cenojnë ata, krejt imazhin ta dëmtojnë ata! 
Sigal