Pse krakarisin korbinjtë?

538
Nga Xhemal Bali 
Xhemal Bali, ish i dënuar politikë për rreth 27 vjet burgime në qelitë dhe kampet më famëkeqe të komunizmit, sjell edhe këtë dëshmi tek gazeta”TELEGRAF” duke qenë si miku i saj ku ka botuar shpeshherë kujtimet e tij. Në fakt ne mund t’ia vinim titullin edhe ”Zhgënjimi i një klase, të burgosur e të persekutuar”, por e drejta e autorit respektuar dhe kemi ruajtur kështu “Pse krakarisin korbinjtë ?”ashtu si është titulluar prej tij. Ne do ndalemi pak tek mesazhet që jep ky shkrim i këtij Mandele shqiptar. Një realitet i hidhur, një zhgënjim total, jo vetëm i klasës së persekutuar, por të gjithë shqiptarëve gjatë viteve të demokracisë, një aktualitet që të lë shijen e regresit dhe mos ndryshimit. Ajo me të cilën ndeshemi përditë, me terrin e mashtrimit, të grabitjes së pronave dhe të përvetësimit të pushtetit nga një elitë e caktuar. Meqenëse shkrimi është disi i zgjatur dhe shumë gjëra i thotë vetë për këtë realitet të hidhur të mosndryshimit të asgjëje në jetën shqiptare, po ia lemë lexuesit vetë të lexojë, meditojë e gjykojë.

Afërsisht të gjithë njerëzit kanë parë gjatë jetës në hapësirën qiellore, se si në mëngjes, sa zbardh dita dhe kryesisht nëpër fshatra, dëgjohen krrakarrima korbinjsh. Korbinjtë kanë nuhatjen më të madhe se çdo shpend tjetër, i egër apo i butë e qoftë edhe grabitqar. Edhe njeriu është nuhatës, i nuhat dhe i percepton gjërat. Nuhatja më e madhe në vendin tonë bëhet çdo katër vjet, kohë kur bëhen zgjedhjet për deputet e ato lokale. Është në karakterin dhe moralin e këtyre njerëzve që zbuten dhe përulen shumë kur fillojnë fushatat elektorale. Çdo katër vjet këta kthehen tek populli dhe i luten popullit që të jetojnë, të punojnë dhe të jenë së bashku, deri sa populli të hedhë votën në kutinë e votimit në mënyrë unanime, çast që i jep fund edhe dashurisë e përdëllimit. Mbasi mbaron procesi zgjedhor, zgjidhet qeveria; në radhë të parë duhet të fortifikohen institucionet e saj të lëvizshëm dhe të palëvizshëm, sepse populli duhet të qëndrojë larg institucionit, sepse është shtetëror dhe atje brenda janë qeveritarët që mendojnë natë e ditë se si do ta bëjnë popullin sa më të pafuqishëm, duke mos i dhënë mundësi të pasurohet dhe të shkollohet, të jetë vetëm një tufë amorfe me zë, sepse një populli po iu kufizua mënyra e të jetuarit, i vure taksa të rënda dhe privime të pa kapërcyeshme, atë popull e ke gjithmonë të përulur dhe të nënshtruar. Ashtu siç bëri Enveri për 50 vjet. Enveri nuk i mori me vete librat dhe parimet, por ua la “djemve” nga pas të brumosur me teorinë e praktikën e M-L. “Djemtë” e çuan dhe më tej këtë “teori dhe praktikë revolucionare”, me dhunë, duke e kthyer Shqipërinë në një letër të bardhë, ku secili shkroi si deshi dhe bëri si deshi. Gjatë këtyre viteve, një pjesë e madhe e njerëzve, dhe sidoqoftë ata që kishin vuajtur më shumë, thamë se shpëtuam, por për popullin tonë u hapën dyer më të errëta dhe humnera më të llahtarshme. Mbas 1991-shit, me një shpejtësi rrufe, nga e njëjta parti, nga e njëjta teori dhe praktikë sunduese, lindën një numër i madh partish pa as më të voglin ndryshim nga njëra-tjetra, ku qëllimi qe të merrnin përsëri pushtetin e humbur. Në qoftë se do të ishte e vërtetë që komunizmi u rrëzua në Shqipëri, çfarë i duhen popullit, Shqipërisë tërë këto parti e gjithë këta udhëheqës që kur u krijua pluralizmi dhe nuk largohen nga politika?! Ne, një pjesë që u sakrifikuam për jetë me familjet tona, për 50 vjet, u sakrifikuam që Shqipëria mos të kishte një parti me një monark apo të kishte një sistem pluralist me sistem parlamentar ku të votohet çdo katër vjet dhe deputeti të kapë atributet si yll i rënë nga qielli e me veti të perëndishme apo qeveritari të mos kishte të drejtë të zgjidhej dy herë, por duke ndërtuar një sistem pluralist, me një kushtetutë që realisht t’i shërbejë popullit dhe vendit, dhe jo të favorizojë klika të caktuara me përjetësim pushteti në breza. Ne, kemi kaq vite që shohim të njëjtit njerëz deputetë dhe qeveritarë e së bashku me pronën që ishte emërtuar socialiste, u privatizua po nga këta qeveritarë; si prona dhe pushteti. Ndaj sot, politikanët janë bërë njerëzit më të urryer e më të pabesueshëm, më të shpifurit në sytë e popullit me poshtërsitë dhe demagogjitë e tyre. Në qoftë se Shqipëria kishte kaq politikanë sa janë shfaqur sot me partitë e tyre, pse ky popull vuajti 50 vjet nga një parti e nga një diktator?! Po këta janë pjesë përbërëse e asaj ideologjie që thoshin natë e ditë, se punojmë e jetojmë ashtu siç na mëson partia dhe shoku Enver. Në atë kohë, kur neve flisnim për demokraci perëndimore dhe atë amerikane, neve na çonin në zyrat e hetuesisë dhe sallat e gjyqeve, na jepnin dënime me burg të përjetshëm dhe shumë me vdekje, sepse mendjen dhe zemrën e kishin nga Rusia Sovjetike dhe lindja e kuqe. Ne, kundërshtarët politikë, një gjë nuk na shkonte në mendje, që komunistët fanatikë, të bëheshin liberal ndaj demokracive perëndimore dhe kapitalit të tyre; ata u sulën duke u përqafuar, sikur s’kishin bërë asnjë mëkat ndaj tij dhe forcave demokratike. Ne, klasën e përmbysur dhe kundërshtarët politikë, na konfiskuan pasurinë e trashëguar në breza dhe pasurinë e akumuluar duke shtrënguar rripin dhe s’ishte paguar kurrë për atë punë që kishte bërë. Ata harruan shprehjen e tyre mbi faqen e gazetës Zëri i Popullit”-Proletarë të të gjitha vendeve , bashkohuni! E ndaj kujt do të bashkoheshin këta proletarë me këtë thirrje revolucionare?! Natyrisht ndaj demokracive shekullore dhe kapitalit të tyre. Prandaj propaganda, teoria dhe praktika e komunizmit nuk duhet harruar kurrë, sidomos nga ata që e kanë pësuar prej tij. Komunistët shqiptarë kanë pasur shumë slogane në praktikën e tyre, si; ‘kapitalizmin ta djegim në zjarr’, ‘Shqipëria ndërton socializmin me ndihmën e pakursyer dhe pa interes të BRSS dhe të demokracive popullore’, ‘Shqipëria e ndërton socializmin me ndihmën internacionaliste të Kinës së Madhe’, ‘Shqipëria e ndërton socializmin me forcat e vete’, ‘komunistët shqiptarë nuk ka kala që nuk e marrin’ etj. Dhe kur i erdhi fundi shembjes së perandorisë komuniste, morën kalanë e kapitalizmit dhe u bënë më kapitalistë nga kapitalistët shekullorë. Këto nuk janë veçse akrobacitë e aventurave të tyre politike që kanë ushtruar mbi popullin shqiptar. Por për popullin është më e keqja që si bota perëndimore, për strategjinë e saj globale, pranon në organizmat e saj këta kameleonë që ndërrojnë ngjyrat, emrat, ideologjitë, sipas rrethanave që sjellin kohët. Unë kam evokuar gjithmonë të kishim edhe neve një atdhe, ku të punonim dhe jetonim me nder e respekt, të na mbroheshin të drejta dhe detyrat tona me ligje demokratike, prandaj kam sakrifikuar jetën dhe familjen duke u shpërblyer nga komunizmi specifik shqiptar me afro 27 vite burg, në punët më të rënda për të ndërtuar parajsën komuniste. Politika dhe politikanët që kanë drejtuar dhe drejtojnë shtetin shqiptar, në mënyrë paqësore dhe demokratike, nuk ndryshojnë kurrë. Ata i ndryshon dhe i rrëzon revolucioni ose ngjarjet e mëdha që ndodhin në botë, si p.sh: Ndodhi lufta që u largua Ahmet Zogu nga skena politike monarkiste, ndodhi Lufta e Dytë Botërore që erdhi në pushtet Enver Hoxha, ndodhi ngjarja e përmbysjes së madhe të perandorisë komuniste që iu bë vetëm një revizionim komunizmit shqiptar (iu hoqën vetëm disa detaje kësaj makine të vjetër që nuk i shkonin më kohës, ndërsa makinat dhe shoferët janë po ata, që e kanë ngarë këtë makinë monstruoze për 60 vjet e mbi. Shqipëria nuk ka opozitë reale, në Shqipëri ç’do gjë është krijuar artificialisht, për konjukturë politike, për mbajtjen e pushtetit nga një grup uzurpatorësh. Pa u larguar nga skena politike të 140 deputetët që mbajnë pushtetin peng këto vite dhe e kanë çuar shoqërinë shqiptare në konflikte të mëdha. Pasurinë e trashëguar dhe atë të akumuluar nga puna 50 vjeçare e mori hajduti, horri, vagabondi, qelepirxhiu, ai që nuk i ka dhënë shoqërisë shqiptare në asnjë kohë, gjatë këtyre viteve të demokracisë, mori gjithçka, ndërsa njeriu që punoi me djersë e ndershmëri, u sakrifikua për qëllime politike e s’mori asgjë, vetëm ngeli arkaik dhe i përbuzur. Ata deputetë që fitojnë mandatin nga elektorati që i ka zgjedhur, në fillim premtojnë shumë e në fund nuk realizojnë asgjë, sepse ata shkojnë nga shkojnë interesat e tyre personale. Ata janë njerëz pa ideologji e pa parime. Po të hedhim një vështrim mbrapa, në vitin 1991, mandatin e elektoratit të djathtë e fituan shumë deputetë, po ç’farë ishin këta deputetë? Këta ishin karrieristë, egoistë, kapriçiozë, smirëzinj, interesaxhinj dhe uzurpatorë të pushtetit. U futën në elektoratin e djathtë si diversionistë për ta përçarë atë në kohë të përshtatshme, dhe ashtu u bë; u larguan një e nga një duke krijuar mikro partiçka, se atyre u pëlqente quhen kryetar, sesa parlamet që i vunë vetes para zgjedhjes. Deputetët janë njerëzit më gënjeshtarë, mashtrues të mëdhenj, ku besohen ata?!Ata bërtasin, mashtrojnë, premtojnë, lypin se nuk kanë turp për një muaj rresht një herë në katër vjet, aq sa pajisen me komoditetin politik të deputetit dhe për ti parë përsëri pas katër vitesh. Marrin mandatin dhe fillojnë mallkimet, zemërimet, allishverishet, ndarjet politike, e këto, vetëm për interesa personale. Një pjesë do të quhen triumfatorë se kanë fituar betejë të madhe; ka fituar shqiptari kundër shqiptarit! Por jo e drejta nga e padrejta, nga gënjeshtra dhe mashtrimi. Një elektorat që zgjedh një përfaqësues të djathtë apo të majtë, e zgjedh në bazë të formacionit politik. Ç’të drejtë ka ky i zgjedhur të shpërdorojë besimin e atyre që e kanë besuar? Asnjë deputet nuk mbajti përgjegjësi penale dhe as morale, por kanë bredhur si u ka dashur megalomania e tyre, hyjnë e dalin nga partitë jashtë vullnetit të atyre që i kanë zgjedhur. Shqipëria është bërë një laborator eksperimental politik; hyn kur të duash dhe bëj çfarë të duash, sepse laboratori është privatizuar dhe të drejtën e eksperimenteve e kanë vetëm këta pronarë politikë. 

Përgatiti hyrjen Agron MEMA
Sigal