Protestë për pallatin në Durrës/ Kompania ndërpret punimet për riparimin e dëmit nga tërmeti

170
Sigal

Banorët e një pallati 10-katësh pranë tregut industrial të qytetit të Durrësit, i cili u dëmtua nga lëkundjet sizmike të 26 nëntorit 2019, protestuan këtë të mërkurë para bashkisë.

Shkak është bërë ndërprerja e punimeve nga firma kontraktuese për riparimin e objektit, i cili sipas ekspertizës së thelluar të institutit të ndërtimit është shpallur me shkallë dëmtimi ds4.

Edhe pse punimet për përforcimin e godinës nisën në qershor, ato u ndërprenë pas një muaji. Banorët u shprehen të zhgënjyer, ndërsa kërkuan shpjegim nga autoritetet. Ata thanë gjithashtu se prej dy muajsh nuk kanë marrë as bonusin e qerasë.

Punimet sipas projektit ishin parashikuar të mbylleshin brenda 168 ditëve. Në pallatin 10-katësh jetonin 102 njerëz, të cilat pas tërmetit tragjik u shpërngulën në banesa me qira.