Protesta e dytë pas tragjedisë në Himarë/ Protestuesit lyejnë me bojë të kuqe murin e Ministrisë së Brendshme

Qytetarët në protestën e dytë të tyre pas tragjedisë në Himarë, ku gjeti vdekjen 7-vjeçarja Jonada Avdiaj, nga skafi që drejtohej nga komisari Arjan Tase, kanë hedhur bojë të kuqe në muret e Ministrisë së Brendshme.

Gjatë fjalës së tij, një prej protestuesve u shpreh se kjo ngjyrë e kuqe simbolizon gjakun e shkaktuar nga kryeministri Edi Rama si dhe ministrat Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro.

Sigal

“Sot këtu me ne po shikohen disa protestues që nuk po lënë asgjë pa sharë këtë qeveri. A mund t’i vëmë faj këtyre, kur qeveria nuk merr asnjë përgjegjësi. Si mund të mos i shajmë nga familja.Po i paguajmë me gjak krimet e këtij shteti, vjedhjet që po na bëjnë çdo ditë, shtypjet dhe arrogancën. Sot prindërit shqiptarë keni frikë të kaloni rrugët.

Sa prej jush kanë guxim të lënë fëmijët e vegjël që të luajnë në lagje. Po na shkatërrohet jeta të gjithëve nëse nuk reagojmë. Kush e ka rradhën, unë apo ndonjë tjetër, ndonjë fëmijë tjetër. Po na vrasin fëmijët, u kërkojmë ndjesë gazetarëve, motrave për përdorimin e një fjalori të caktuar. Ky është gjaku që ka shkaktuar Edi Rama, ministrja Kumbaro”,  tha një qytetar.