Prokuroria hap “letrat” e tenderit 13 miliardë lekë të dyshes Beqja-Tahiri për larjen e çarçafëve në spitale

715
Florinda SINJA
Plotë 15 muaj më parë, konkretisht në datën 28 maj 2015, gazeta “Telegraf” denoncoi skandalin e një koncesioni tjetër absurd në shëndetësi me vlerë 13 miliardë lekë, me objekt shërbimin në lavanderi për larjen e çarçafëve të pavioneve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Gazeta “Telegraf”, provoi se ky tender u bë me aferë të plotë korrutpive e klienteliste, mbasi nuk kishte asnjë nevojë të bëhej me shërbim privat, për faktin se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ka një “ushtri” me punonjës lavanderie të cilët vazhdojnë të paguhen nga shteti! Pikërisht, “letrat e pista” të këtij koncesioni, informohemi se i ka hapur këto ditë prokuroria, duke e nisur zbardhjen nga 2 urdhrat zyrtarë të lëshuar reciprokisht për njeri-tjetrin prej dy ministrave Ilir Beqja i Shëndetësisë dhe Saimir Tahiri i Ministrisë së Brendshme, ku njeri është kërkuesi i koncesionit të shërbimit të larjes së çarçafëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërsa tjetri është tenderuesi i këtij koncesioni korruptive, ideuar, organizuar e realizuar në bashkëveprim mes dyshes ministrore Beqja-Tahiri. Kujtojmë, që prej 3 vitesh kupola e ministrisë “Tahiri” po komandon si “pronë private” strukturat dhe shërbimet policore, por që me një vendim anti-kushtetues të paramenduar e të miratuar prej “Rilindjes” me qëllimin për të zhvatur financat publike dhe miliona nga aferat me bizneset që u jepen tendera e koncesione, kjo ministri ka futur në “kthetra” edhe gjithë tenderët dhe blerjet e institucioneve që kalojnë vlerën financiare 3 milionë lekë, praktikë monopoliste e kësaj ministrie që po vazhdon prej 33 muajsh. Pas denoncimit të këtij koncesioni korruptim, prokuroria ka nisur hetimin e kësja dosjeje. 
Skandali 13 miliardë lekë për larjen e çarçafëve të QSUT, që po hetohet
Gazeta “Telegraf” ka publikuar 15 muaj më aprë dokumentin zyrtar të tenderit të bërë prej Ministrisë së Brendshme, për larjen e çarçafëve, benevrekëve e këllëfëve të pacientëve të QSUT, dokument mbi të cilin ka nisur edhe hetimi nga drejtësia shqiptare për ministrin Tahiri si zhvillues i tenderit të këtij koncesioni dhe për ministrin Beqaj si kërkues i këtij shërbimi me koncesion, duke propozuar edhe vlerën 13 miliardë lekë. Po e konkretizojmë. Në Buletinin e Prokurimit Publik Nr. 20, datë 25 Maj 2015 është shpallur tender absurd me siglën zyrtare “Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara”, me objekt tenderimi “Për shërbimin e lavanderisë dhe hotelerisë në pavionet e QSUT”. Vlera e këtij tenderi është 1.106.416.176,7050 (1 miliardë, 160 milionë e 460 mijë e 705 lekë të reja, pa llogaritur taksën 20% TVSH, bashkë me të cilën vlera e koncesionit që shteti i ka dhënë privatit për larjen e çarçafëve e këllëfëve të QSUT, shkoi në 1.32 miliardë lekë të reja, që janë fonde nga buxheti i shtetit (taksa shqiptarësh) për shërbime në QSUT, por që i menaxhon ministria që ka funksion ruajtjen e rendit! Ky fakt përbën rastin e vetëm edhe në vendet e BE, që ministria e cila duhet të luftoj krimin, bën tendera për të larë çarçafët e të sëmurëve të spitaleve civile! sipas dosjes së hapur hetimore të këtij koncesioni, rezulton se Ministria e Brendshme, përveç larjes së çarçafëve e këllëfëve të pacientëve të QSUT, ka marrë të drejtën të ketë nën kontroll e administrim të plotë edhe kuzhinat e spitaleve civile në gjithë vendin. Ministria “Tahiri”, kontrollon e rrotullon edhe “garuzhden” e ushqimit në spitalet e Shqipërisë. Nuk e themi ne këtë fakt, por e publikon vetë Ministria e Brendshme në një njoftim prokurimi publik për shërbimin katering (ushqimi), ku mes njoftimeve për tender shërbimi në ushqimin e njësive policore, prej kësaj ministrie përfshihet edhe shërbimi i ushqimit në disa spitale civile, nën prokurimin prej kësaj ministrie. Këtë e fakton njoftimi zyrtar në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 16, datë 27 prill 2015, faqe 14-15-16, ku njoftohet se zhvillohet “Procedura e prokurimit mbi kufirin e lartë monetar”, me objekt “shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi”, krahas njësive të shërbimeve policore edhe në “Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe në… “Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Mos u çuditni, por Ministria e Brendshme siç duket edhe në faksimilen e njoftimit të tenderit të publikuar prej saj, përveç ushqimit në spitale, ka marrë nën kontroll kuzhinat, gatimet dhe shpërndarjen e ushqimit edhe në… maternitete! Pyetja bëhet troç: Përse Ministria e Brendshme duhet të futet edhe në “kazanët e supës” të spitaleve civile?! Pikërisht kjo është edhe pista e hetimit prej prokurorisë për koncesionin 13 miliardë lekë të larjes së çarçafëve të spitalit, realizuar si krim ekonomik-financiar prej dy ministrave Beqja dhe Tahiri.
—————————— 
Ja disa abuzime zyrtare me ilaçet dhe që po heton drejtësia, të denoncuara nga Gazeta “Telegraf” 
1. Gazeta “Telegraf” në 20 janar 2014 ka bërë këtë denoncim: Çdo muaj në Shqipëri, deri në janar 2014, vetëm nga një monopol me inicialet “P.P”, importoheshin 10 mijë ilaçe Pena “Insulinë”, por “çuditërisht” ne letrat e farmacive, në llogaritë e ISKSH dhe në buxhetin e shtetit rimbursoheshin… 26 mijë ilaçe “Insulinë”! Ky abuzim financiar me rimbursimin e ilaçeve, ka vazhduar deri 15 ditë më parë, kur skandali shtetëror u shpall si fakt i zyrtarizuar dhe i çuar në tavolinën e drejtësisë, ku është konfirmuar me prova abuzimi me rimbursimet, me vjedhje 6 miliardë lekë çdo vit, vetëm nga “Insulinat”. 
2. Krimi financiar, që ka lidhje me vjedhjen e ilaçeve të pacientëve nëpërmjet recetave false, kap shumën 11.9 milionë euro vjedhje. Kjo shumë po shkon drejt shifrës 200 milionë euro të vjedhura nga 200 farmaci, me të cilat kupola e Ministrisë së Shëndetësisë, ka bërë pazaret e këtij skandali, duke përdorur 193 vulat që u janë grabitur qëllimisht mjekëve të familjes në Tiranë e në rrethe, për të realizuar këtë vjedhje gjigande, që po shkon sa borxhi që FMN dhe BB i kanë dhënë në 2 vjet Shqipërisë, për të dalë nga kriza ekonomike! 
3. Vetëm me rimbursimin e 2 tipeve “Insulinë” ka vjedhur 388.320.000 lekë të reja. Kemi të bëjmë me një vjedhje në vazhdimësi me shifra të mëdha për buxhetin e Fondit. Janë rimbursuar nga Fondi i ISKSH 41.000 pena, ndërkohë që janë shpërndarë nga depoja importuese vetëm 7.200 pena. Pra, 33 mijë e 800 pena, janë rimbursuar me receta fiktive. Vlera totale e vjedhjes shkon në 24.674.000 lekë te reja. Kurse në total, prej muajit nëntor 2013, shifra shkon 123.370.000 lekë të reja.
—————————-
Ja skandali me VKM Nr. 85, datë 13.2.2003 për kontratat e rimbursimit të ilaçeve, mbi të cilin ka nisur hetimi për ministrin Ilir Beqja
PËR LIDHJEN E KONTRATAVE, NDËRMJET INSTITUTIT TË SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR DHE FARMACIVE E DEPOVE TË BARNAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26 e 36 të ligjit nr. 7870, datë 13.10.1994 “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me propozimin e Ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, për mbulimin e një pjese të çmimit të barnave, lidh kontratë me depot e barnave dhe me farmacitë e rrjetit të hapur, që shprehin interes për t’u përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore.
2. Këshilli Administrativ i ISKSH-së përcakton kriteret, që duhet të përmbushin depot e barnave dhe farmacitë e rrjetit të hapur, për të kontraktuar me këtë institut.
3. Këshilli Administrativ i ISKSH-së, miraton kontratën tip për farmacitë dhe depot e barnave dhe afatet kohore të lidhjes së tyre.
4. Të gjitha farmacitë, që kanë kontratë me ISKSH-në, janë të detyruara të tregtojnë barna vetëm me recetë të mjekut, me përjashtim të barnave që tregtohen pa recetë, sipas listës së miratuar nga Ministri i Shëndetësisë.
5. Të gjitha farmacitë, që kanë kontratë me ISKSH-në, janë të detyruara të tërheqin barnat e rimbursueshme të listës, vetëm në depot e barnave që kanë kontratë me këtë Institut.
6. Depot e barnave, që kanë kontratë me ISKSH-në, duhet të zbatojnë çmimet e depos për barnat e listës.
7. Dokumentacioni për qarkullimin e barnave nga depot të mbahet sipas formateve të miratuara nga Ministri i Financave dhe Ministri i Shëndetësisë.
8. ISKSH-ja pajis mjekët me receta me rimbursim dhe pa rimbursim, si dhe përcakton rregullat për administrimin e tyre.
9. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH-ja për zbatimin e këtij vendimi.
Sigal