Projektligji i qeverisë për lirimin përfundimtar të mbi 1000 të burgosurve nga qelitë shqiptare

602
Sigal

 

Amnistia e Ministrisë së
Drejtësisë: Ja cilët persona do të lirohen nga burgjet

Vrasje, vjedhje dhe
kapje të autorëve të tyre ka përditë në Shqipëri, por kapacitetet e kufizuara në
burgjet shqiptare është bërë shkka për ndërmarjen e një mase të tillë. Dhe
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi dje se janë fiks 949 të dënuar mbi
kapacitetin aktual të burgjeve. Për shkak të mbipopullimit, Ministria e
Drejtësisë para pak ditësh paralajmëroi amnistinë dhe lirimin e 1000 të
burgosurve, të dënuar për vepra të lehta. Siç bën të ditur njoftimi zyrtar nga Ministria
e Drejtësisë, një projektligj mbi amnistinë është dërguar për konsultim pranë
Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Prokurorisë së
Përgjithshme e më pas do kalojë për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e
Ministrave. Ministria e Drejtësisë, në konsideratë të të gjithë argumentave të
sipërpërmendur, çmon se kjo është periudhë e përshtatshme për të paraparë
mundësinë e dhënies së amnistisë për të dënuarit. “Nisma ligjore për një
amnisti është shumë e rëndësishme në drejtim menaxhimit të drejtë të fondeve
buxhetore, funksionimit brenda standarteve të sistemit të burgjeve në
përgjithësi, pritshmërive pozitive të individit tek një shtet human, si dhe
respektimit të të drejtave themelore të njeriut”, thuhet në qëndrimin
zyrtar të Ministria e Drejtësisë. Më tej theksohet se “dhënia e amnistisë,
përmirëson kushtet e të dënuarve në burgje, për shkak të uljes së mbipopullimit
në to. Megjithatë, të gjitha arsyet e sipërcituara, shoqërohen me një analizë
të kujdesshme, mbi kategorinë e personave të dënuar që do të amnistohen, në
funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe garantimit të rendit dhe sigurisë
publike”. Janë parashikuar edhe se cilët lloj dënimesh e përfitojnë këtë
aministi.

Të burgosurit që përfitojnë
nga amnistia

a) personat e dënuar me
burgim deri në 2 vjet, për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2013,
pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar
për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

b) personat e dënuar,
ndaj të cilëve gjykata, me vendim të formës së prerë, ka caktuar një nga llojet
e alternativave të dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për
veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

c) personat e dënuar me
gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht masës së gjobës, me përjashtim
të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij
ligji;

ç) personat e dënuar me
burgim, të cilëve, në datën 30 nëntor 2013, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky
dënim deri në 3 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të
parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

d) të dënuarat femra,
që në datën 30 nentor 2013 janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të
personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij
ligji;

dh) të dënuarit
meshkuj, që në datën 30 nentor 2013 janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me
përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4
të këtij ligji;

e) të dënuarit me
burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën
moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të
parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 139, 140
e 141 të kodit penal.

Përzgjedhja e kategorisë
së personave që përfitojnë amnisti është bërë duke u bazuar në këto kritere:
lloji dhe masa e dënimit; koha e mbetur e dënimit; mosha aktuale e personit të
dënuar; mosha e personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale. në
thelb mbetet rrezikshmëria e ulët e personit apo veprës penale.

Neni 4 i projektligjit
ka parashikuar shprehimisht “kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë” që do
të thotë një garanci e shtuar për mbrojtjen e interesit publik dhe nuk vë në
rrezik sigurinë dhe rendin publik. Veprat penale të parashikuara në nenin 4 të
projektligjit janë vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për këtë
qëllim, këta persona përjashtohen tërësisht nga përfitimi i amnistisë.

Të burgosurit që nuk përfitojnë
amnisti

Konkretisht, neni 4 parashikon
se nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:

a) krime kundër
njerëzimit, b) krime kundër jetës, të kryera me dashje dhe vrasje e mbetur në
tentativë, c) vepra penale, të kryera me dashje kundër shëndetit; ç) krime
seksuale; d) vepra penale kundër lirisë së personit; dh) vepra penale kundër
moralit dhe dinjitetit; e) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes;
ë) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; f) vepra penale kundër
mjedisit; g) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues; gj) krime që
cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera; h) vepra me qëllime terroriste; i)
krime kundër autoritetit të shtetit; j) vepra me qëllime terroriste; k) vepra
penale kundër drejtësisë; l) vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe
sistemin demokratik të zgjedhjeve; ll) vepra penale të kryera nga banda e
armatosur dhe organizata kriminale.

Nuk përfitojnë nga kjo
amnisti personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë.
Nga ana tjetër, projektligji, në nenin 5 të tij parashikon se procedimi penal
nuk mund të fillojë dhe nëse ka filluar duhet të pushojë për veprat penale të
kryera deri në datën 30 nëntor 2013, për të cilat Kodi Penal parashikon një
dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë.