OSHEE gjendet në gatshmëri për festat e 28-29 Nëntorit dhe ato të fundvitit

550
Sigal

 

Synimi: Mangësitë e trashëguara, të mos përsëriten as si
mendësi e jo më si praktikë pune deri tek punonjësi më i thjeshtë

 

Drejtori Adrian Çela: “OSHEE e gatshme për festat, për
furnizimin e plotë me energji elektrike”

 

Drejtori i OSHEE, zoti Adrian Çela, ka konfirmuar dje për “Telegraf”, se
institucioni dhe shërbimi publik që ai drejton, tashmë është gati për zbatim të
një skeme funksionale e të gjithanshme, për mbarëvajtjen e punës së këtij shërbimi
publik me impakt të ndejshëm,  në prag të
festive të fund-vitit. Ekipi drejtues i OSHEE, ka detajuar çdo element që kërkon
mbarëvajtja e punës në ditë e periudha të tilla me ngarkesë konsumi të energjisë
elektrike, prej të cilës varen pothuajse gjithë shërbimet e tjera në komunitet
e biznes. Sipas drejtorit Çela, afrimi i festave të fund-muajit nëntor dhe të
fundvitit, kanë instaluar tek drejtuesit qendror të OSHEE, reokupacionin për të
krijuar një shtab punësh, me synim funksionalitetin eficent të shërbimit të
furnizimit të plotë e pa ndërprerje me energji elektrike të konsumatorit popull
dhe të bizneseve, të institucioneve dhe mjediseve publike të kompletuara me
dekore festive nga pushtetit vendor! Gatishmërisë për garantimin dhe furnizimin
me energji elektrike të të gjithë banorëve, OSHEE do t’i përgjigjet duke
vendosur në dispozicion e në aktivitet të plotë profesional mbi 1000 punonjës,
ashtu siç veproi edhe fundvitin e kaluar. Bazuar mbi një plan masash, ekipet e
OSHEE do të pozicionohen në pikat kritike, në mënyrë që reagimi për zgjidhjen e
defekteve që mund të ndodhin, të riparohen në kohë sa më të shpejtë. Sipas
zotit Çela, skema nis nga kontrollet paraprake në çdo interval kohor të paracaktuar,
të pajisjeve elektrike nga personeli operativ i n/stacioneve, për të
parandaluar avaritë e mundshme në pajisje dhe linjat, të cilat shkaktojnë ndërprerje
masive të energjisë elektrike.

 

Mangësitë e trashëguara po eliminohen deri tek punonjësi
më i thjeshtë

 

Pothuajse përditë dëgjojmë e lexojmë ankesa qytetarësh në media, rrugë,
lagje, pallat e portale “online”, që bëhen në adresë të OSHEE lidhur me disa
shërbime shqetësuese që ofrohen prej një kontingjenti punonjësish të këtij enti
publik me shtrirje masive kombëtare në shërbimin ndaj familjarëve, biznesit dhe
institucioneve shtetërore. Mirëpo dy janë grupet e interesit që japin alarmin:
familjarët dhe bizneset. Padyshim, që në shërbimin e ofruar prej OSHEE,
veçanërisht në rrethe e zona skajore të vendit, ka shqetësime për vlerën e
faturave, për vonesat në sqarime e përgjigje të ankesave, për faturime afrofe,
për dëmtime pajisjesh prej mungesë së njoftimeve paraprake për ndërprerje të
detyruara prej punimeve zonale e qendrore, për korrupsion e shpërfillje prej
disa punonjësve të OSHEE në qendër, në rajone, qytete, rrethe, konkretisht
sektorin e faturimeve dhe në zyrat “Kujdesi ndaj klientit”, ku qytetarët nuk
respektohen si kontraktues që blejnë mallin “energji” e që çojnë pagesat për
të, por si të detyruar për të paguar! Në raport me kohën e “CEZ”, duhet pranuar
fakti që ka ndryshime jo vetëm në furnizimin sistematik e teknikisht potencial
me energji elektrike, por edhe në etikën e komunikimit, në korrektesën e
faturimeve të familjarëve e bizneseve, në metodologjinë dhe infrastrukturën e
komunikimit dhe pagesave edhe nga shtëpia, apo biznesi, në përballimin dhe eliminimin
në kohë të defekteve, në fluksin, shtrirjen gjeografike, funksionalitetin dhe
sigurinë e investimeve lokale, qendrore e rajonale, madje edhe inter-investimet
për tregun e ndërsjelltë e konstant të energjisë elektrike. “Ka mangësi, të
cilat sipas Administratorit të Përgjithshëm të OSHEE, zotit Adrian Çela, duhen
“pastruar” përfundimisht, për të mos u ripërsëritur as si mendësi e jo më si
praktikë pune dhe për këtë stafi drejtues dhe ekipet e OSHEE në terren janë
duke punuar intensivisht dhe me projekte konkrete të avancuara e që sjellin zgjidhje,
por OSHEE duhet “kuptuar” për sikletet e mbartura organizative dhe për
punonjësit problematikë në çdo aspekt, të cilët nuk duhet të jenë më pjesë e
këtij shërbimi gjigant”.

 

Projekti i OSHEE, blerje energjie me parapagesë

 

Objeksione konkrete të jenë investimet dhe ndërhyrjet emergjente që lidhen
me matësit elektronikë dhe kartat me parapagesë të energjisë elektrike. Ka
nisur e po vazhdon vendosja e disa matësve të tjerë elektronikë, që u bëjnë të
mundur lexuesve të OSHEE, që ta kryejnë këtë veprim në mënyrë automatike,
investim ky që eliminon problemet e mbifaturimit dhe nënfaturimit të energjisë
elektrike që konsumon çdo familje, biznes apo institucion e shërbim publik.
Sipas administratorit Adrian Çela, synimi i OSHEE është ky: konsumatorët ta
blejnë energjinë elektrike me parapagesë.