Projektligji/ E-Albania pritet të kalojë në duart e privatit në kulmin e skandalit të publikimit të të dhënave të qytetarëve

240
Sigal

 

Të gjitha të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë që gjenerohen përmes platformës e-Albania do t’i kalojnë privatit. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka përgatitur projektligjin ku parashikohet që shërbimet për qytetarët dhe administratën publike të përfitohen online dhe po aty të kryhen dhe pagesat. Projektligji propozon krijimin e një kompanie të quajtur dg tech, e cila do të jetë nën varësinë e Agjencisë Kombëtare të Teknologjise së Informacionit. Kjo shoqëri aksionare do të ofrojë për autoritetet publike, autoritetet e pavarura dhe subjektet private të gjitha shërbimet sipas katalogut të miratuar më Vendim të Këshillit të Mbikëqyrjes. Në draft përcaktohet se deri në 49 për qind e aksioneve do të kalojnë te privati dhe pjesa tjetër do ti mbetet shtetit. Po ashtu organizimi do të jetë përmes Këshillit Mbikqyrës që do të jetë i përbërë nga shtatë anëtarë.Një tjetër pikë është dhe vendosja e pagesave për një sërë shërbimesh po ashtu dhe kompanitë që kërkojnë të ripërdorin të dhënat do të duhet të paguajnë faturën përkatëse që sipas projektligjit do të jetë e arsyeshme.

Vendimi vjen në kohën kur përmes “whatsupp” janë publikuar të dhëna personale të shqiptarëve duke nisur nga numri i identitetit, vendi i punës, paga, numri i celularit, pronësia e automjetit, por dhe përkatësia politike.Për këtë çështje, SPAK ka nisur hetimet duke bllokuar serverat e AKSH-it, por dhe duke marrë në pyetje punonjësit që kanë akses në të dhënat e publikuara.Deri më tani ende nuk ka persona të akuzuar prej prokurorisë.