“Projekt i gabuar”, ARRSH i dhuron Salillarit edhe 3 milionë euro shtesë për Unazën e Madhe

392
Sigal

Salillari, një nga kompanitë më afër Rilindjes, ka përfituar plot 3.5 miliardë lekë shtesë (3 milionë euro) për Unazën e Madhe. Kaosi në trafik që ka përfshirë Tiranën duket se ka nga pas pikërisht këtë firmë, e cila me manovra bashkë me ARRSH-në po mundohet të zhvasë miliarda lekë shtesë për një nga aferat më të mëdha të ndërtimit të rrugës.

Megjithëse gjatësia e këtyre ndërtimeve është vetëm disa kilometra, Bashkia e Tiranës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar kanë miratuar shtesa punimesh, të cilat në fakt zbulojnë pikërisht bërjen shkel e shko të projekteve të mëparshme.

Sipas dokumenteve që disponon BoldNews, kompania Salillari ka dalë fituese e tenderit me objekt “rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta – rrethrrotullimi Shqiponja”. Në fakt, bëhet fjalë për lotin 2, dhe ky tender ka qenë shtesë punimesh. Vlera e kontratës së parë ka qenë rreth 12.6 milionë euro. Ndërkohë, kjo shumë nuk i ka hyrë shumë në sy Salillarit dhe ka kërkuar edhe disa milionë euro më shumë. Natyrisht, duke pasur në krah drejtorin e ARRSH, Ergys Verdho. Në dokumente thuhet se tenderi është bërë me negocim, ndërkohë që Salillari do të marrë plot 313.399.085 lekë pa TVSH. Po t’i shtosh edhe TVSH-në, më shumë se 3.5 miliardë, ose rreth 3 milionë euro. Shifra të frikshme, kur bëhet fjalë vetëm për shtesa kontratash dhe jo tendera nga fillimi.

Bashkëlidhur tenderit, ARRSH ka vendosur edhe disa dokumente justifikuese. Por, ajo që bie në sy është se këto dokumente janë hartuar pikërisht nga firma Salillari.

“Pas nënshkrimit të kontratës dhe fillimit të realizimit të punimeve të lotit 2, janë hasur problematika si nga ana e rakordimit me lotet fqinje, por edhe me planin e zhvillimit të Bashkisë Tiranë. Sipas projektit të lotit 1 dhe 2 është bërë një përshtatje në altimetri dhe në planimetri në mënyrë që korsitë e lëvizjes së mjeteve të unfikohen në të dy lotet. Po ashtu është përshtatur edhe ura e Lanës me projektin Bashkisë për zhvillimin e lumit të Lanës duke e rikonceptuar si nyje” thuhet në këto dokumente.

Pra, ARRSH e pranon edhe vetë që projekti i parë ka qenë i gabuar. Por, atëherë përse askush nuk mban përgjegjësi. A janë të njëjtët persona që i hartojnë këto dokumente?! Pyetje të cilat edhe prokuroria ka mbyllur sytë prej kohësh. Por, ajo që bie në sy nga dokumentet është se rruga nuk po zgjerohet. “Nisur nga Projekti i përmirësuar rezulton se duhet të hiqen të dy nënkalimet e mjeteve në nyjen e lanës si dhe një nënkalim kembësoresh duke lënë vetëm një nënkalim për këmbësoret”. Pra, duket qartë që po rrudhet. Por, sërish ata kërkojnë dhe miratojnë lekë!