Në datën 26 mars 2025, një grup profesorësh nga Miami University në Ohio, një nga institucionet më të vjetra dhe të njohura të arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilloi një vizitë në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Delegacioni i përbërë nga profesorë të shquar të disa fushave u prit nga drejtues të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në një takim zyrtar. Qëllimi i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit akademik mes dy institucioneve dhe krijimi i mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.
Takimi me drejtuesit e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë
Gjatë këtij takimi, të pranishëm ishin Kryetari i Bordit të Administrimit të UMSH-së z. Eros Angjeli, anëtarë të Rektoratit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, dekanë dhe drejtues të Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë. Pas prezantimit të të dy institucioneve, diskutimet u përqëndruan në mundësitë e shkëmbimeve akademike për studentët dhe pedagogët, organizimin e projekteve të përbashkëta dhe zhvillimin e konferencave ndërkombëtare mbi temat më aktuale të shkencës dhe teknologjisë, por edhe në shkëmbimin e eksperiencave në lidhje me promblematikat që has arsimi i lartë në nivel global dhe zgjidhjen e tyre. Përfaqësuesit e Miami University of Ohio shprehën interes të veçantë për përfshirjen e studentëve shqiptarë në programe të dedikuara, duke ofruar mbështetje në forma të ndryshme si nëpërmjet vizitave studimore, mundësi praktikash profesionale në SHBA, etj.
Kjo vizitë shënoi një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve akademike ndërkombëtare. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë synon të thellojë këtë bashkëpunim përmes marrëveshjeve të reja, duke mundësuar shkëmbime studentore dhe stafit akademik, organizimin e aktiviteteve akademike të përbashkëta dhe aplikimin në projekte ndërkombëtare të financuara nga BE apo palë të interesuara.
Në përfundim të takimeve, përfaqësuesit e të dy universiteteve shprehën entuziazëm për projektet e ardhshme dhe mundësitë e reja që do të ofrohen për studentët dhe akademikët. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë do të vijojë përpjekjet për të sjellë partneritete të reja me universitete të njohura ndërkombëtare, duke ofruar kështu një platformë më të gjerë për rritjen dhe zhvillimin profesional të studentëve të tij.
Leksioni i hapur nga Prof. Gina Dutro
Në kuadër të vizitës së grupit të profesorëve nga Miami University në Ohio në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, një nga momentet më të rëndësishme të saj, ishte leksioni i hapur i mbajtur nga Prof. Gina Dutro, Drejtuese e Shkollës së Biznesit në Miami University of Ohio. Leksioni, me temë “Business Communication: Keys to Success”, tërhoqi një audiencë të gjerë studentësh, pedagogësh dhe profesionistësh të fushës së biznesit. Prof. Dutro diskutoi mbi rëndësinë e komunikimit në biznes, duke u fokusuar në strategjitë kyçe për të arritur sukses në një mjedis dinamik dhe konkurrues.
Gjatë leksionit, ajo theksoi se komunikimi efektiv përbën një nga aftësitë më të rëndësishme për liderët dhe profesionistët e çdo fushe, duke veçuar elementët kryesorë si qartësia, përshtatshmëria dhe ndërtimi i besueshmërisë. Gjatë leksionit, ajo solli shembuj konkretë nga eksperienca e saj në industry dhe analizoi raste studimore të suksesshme. Studentët patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të marrin këshilla praktike mbi mënyrën se si mund të përmirësojnë aftësitë e tyre të komunikimit në një kontekst ndërkombëtar.























