Prodhimet “bio” eksportohen në Serbi, shqiptarët të rrezikuar nga hormonet

808
Sigal

Fermerët  nga Lushnja – Kavaja dhe rrethe të tjera po abuzojnë me produktet bujqësore të stinës, duke u shtuar disa herë më shumë hormone se normalja. Përveç asaj çka vihet re me sy të lirë dhe në shije nga konsumatori, këtë e konfirmojnë edhe titullarët e AKU-së në Durrës. Ndërsa vite me parë shqiptarët nuk e dinin çdo të thotë “produkt bio”, e aq me pak “OMGJ”, sa më shumë që kalojnë stinët, aq më shumë po e kuptojnë se të parat janë drejt zhdukjes dhe të dytat kanë “lulëzuar” në treg. Dhe, më e keqja është  se tashmë, është bërë pothuaj e pamundur që të gjesh një produkt që të jetë i pastimuluar me hormone,  të cilët i rritin ato para kohe.

Situata

Në tregun e shumicës në Nishtulla të Durrësit, çdo ditë mbërrijnë me qindra furgonë e kamionë me produkte zarzavate, perime e fruta nga Lushnja, e qytete të tjera si Kavaja e Elbasani, të ngarkuar me këto produkte të tilla. Një pjepër shikohet me sy të lirë, që ka shkuar tre apo katër kilogram, në madhësi sa një bostan. Domatja është e “bukur” nga jashtë është jeshile brenda, shalqini nuk ka më shije dhe më shumë të jep përshtypjen e një kungulli sesa të një shalqini. Por çfarë ndodh realisht me frutat, zarzavatet që ne konsumojmë e që kanë mbushur markatën e Durrësit prej fermerëve e tregtarëve të shumicës. Përmes rrëmujës dhe zhurmës që nis prej orës 04:00 të mëngjesit, tregtarët thonë se asnjë produkt nuk rritet më pa hile, pa hormone, apo pa stimulantë dhe kjo është në dritë të diellit. Por problemi është në çfarë mase përdoren këto hormone?  A janë të kontrolluara, të verifikuara?

Përdorimi i hormoneve

Tregtarë të ndryshëm shprehen se fermerët shqiptarë i kanë mësuar të gjitha “hiletë” e zanatit. Duke i pyetur se çfarë ndodh me domaten që është e kuqe nga jashtë dhe jeshile nga brenda, tregojnë se në mëngjes fermeri  i lyen me hormone apo stimulant. Prek të gjitha domatet dhe pas 24 orësh të gjitha janë pjekur për të dalë në treg. E njëjta gjë me pjeprin me shalqinin, etj.. Ata thonë se prodhime origjinale ose bio është shumë e vështirë për të gjetur. “Një kg pjepër është 30 lekë/kg, bio  duhet të jetë 80 lekë, por nuk ka, sepse fermeri nuk prodhon më bio, shprehen tregtarët. Ndërkaq çmimet e të gjitha frutave perimeve e zarzavateve këtë verë janë shumë të shtrenjta për konsumatorin. Prodhimet e vendit po eksportohen për në Kosovë dhe Serbi dhe në tregun vendas ka mbetur vetëm cilësia më e dobët, por me çmime shumë të lartë thonë tregtarët. Kjo, si pasojë e faktit se për rritjen e tyre të parakohshme, frutave apo perimeve u injektohen hormone. Përveç faktit se ato nuk kanë shijen që duhet të kenë dhe se nuk kanë vitaminat e duhura, kanë edhe rreziqe për shëndetin e gjithsecilit prej nesh. Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës, apelojnë ndaj këtij fenomeni, por nuk kanë asnjë lloj mundësie kontrolli.